E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa gjatë do ta përballojë Izraeli presionin amerikan?

Ndërsa Presidenti Barak Obama po vazhdon përpara me nismat e paqes në Lindjen e Mesme, tonet e reja dhe sidomos modestia e administratës amerikane po nis të japë fryte. Edhe vetë Kryeministri izraelit, Beniamin Netaniau, është vendosur në vështirësi nga klima e re që është krijuar prej ndryshimit të qëndrimit amerikan.

Kur është gjendur kohë më parë nën akuzën e mungesës së fantazisë përpara situatave të vështira, Netaniau kujton një episod që i përket epokës kur ishte pjesë e forcave elitë të mbrojtjes së Izraelit, në të cilin i është dashur të kacavirret në shkëmbinjtë e një humnere për t‘ia dalë në krye të një operacioni tepër të vështirë. Sot, dyzetë vite nga ai episod, Netaniaut i kërkohet edhe një herë të përdorë gjithë imagjinatën dhe guximin që shfaqi në atë rast. Kësaj here sfida ka të bëjë me konfliktet e pandalshme në Lindjen e Mesme dhe me zhvillimet e reja karshi miqve të përhershëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në administratën Obama. Por zgjidhja e këtyre problemeve nuk është aspak e lehtë për Netaniaun: pjesa më e madhe e koalicionit të tij qeverisës (me prirje të forta djathtas) dhe partia e tij nuk e pranojnë atë që kërkon Obama.

Gjatë një fjalimi tepër të rëndësishëm të mbajtur të dielën, u përpoq të paraqiste planet mbi çështjen palestineze. Ai tha se ishte i gatshëm të pranonte krijimin e një shteti palestinez - por vendosi parakushte aq të ashpra (përfshi këtu kërkesën që shteti të ishte i demilitarizuar), sa zor të arrihet në një marrëveshje. Njëherësh hodhi poshtë edhe kërkesën e Obamës për ndalimin e plotë të përhapjes së kolonive izraelite në Bregun Perëndimor dhe përjashtoi çdo mundësi që Jerusalemi Lindor të lihej i lirë për t‘u kthyer në kryeqytetin palestinez.

Netaniau e ka bërë shpesh të qartë vizionin e tij të paqes me palestinezët: zhvillim ekonomik në Bregun Perëndimor, i cili kontrollohet nga lëvizja e moderuar Fatah e Presidentit Mahmud Abaz, zgjerim të territoreve të kolonive hebraike dhe asnjë lloj bashkëpunimi nga radikalët e organizatës Hamas në Rripin e Gazës. Nga ana tjetër, e ka konsideruar vazhdimisht Iranin si kërcënim serioz ndaj ekzistencës së Izraelit, por edhe për rajonin dhe Perëndimin.

Thyerja e qarkut të dhunës

Edhe pse Shtetet e Bashkuara e njohin më së miri pozicionin e Netaniaut, Shtëpia e Bardhë nuk është aspak dakord me të. Obama nuk është i kënaqur me situatën aktuale dhe kërkon ta ndryshojë duke mbajtur larg konfliktet. Për këtë arsye, analistët mendojnë se Netaniau do ta ketë tepër të vështirë të mos bëjë lëshime, ku përfshihet edhe njohja nga ana e Izraelit e një harte të rrugëve për paqen që do të shërbejë si udhëzues për politikat e mëpasshme në Lindjen e Mesme.

Harta e rrugëve është një plan që u vendos detyrime si palestinezëve ashtu edhe izraelitëve, synimi kryesor i së cilës është thyerja e qarkut vicioz të dhunës, intifadat, atentatet kamikaze dhe ndërhyrjet ushtarake. Në thelb plani ka largimin e plotë nga dhuna dhe njohjen e zgjidhjes me dy shtete nga ana e të dyja palëve.

Presidenti amerikan i është përkushtuar personalisht përmbushjes së planit. Lindja e Mesme, ndërkaq, ka rezultuar terren i vështirë për të gjithë reformatorët ambiciozë dhe shumë shpesh dështimet në bisedime e tratativa janë pasuar nga shpërthime të ashpra dhune (përvojë e provuar nga presidentët Klinton dhe Bush).

Po kësaj here?

Obama e bëri të qartë qëndrimin e vet në fjalimin e shumëpritur në Kajro. Tani ekzekutimi është në dorën e sekretares së Shtetit Hilari Klinton dhe të dërguarit të posaçëm amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Mitçell.

Netaniau fillimisht nuk e pranoi linjën e Obamës, duke e paguar këtë me çmimin e prishjes së raporteve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Kishim arritur mirëkuptimin mbi çështjen e kolonive, por ju nuk iu përmbajtët fjalës suaj dhe na zhgënjyet", i tha me ashpërsi Mitçell lidhur me zotimin izraelit për të mos ndërtuar vendbanime të reja në Bregun Perëndimor. Netaniau u tha disa njerëzve të afërt se toni dhe akuzat e të dërguarit amerikan ishin "të padrejta".

Presidenti Obama po kërkon me ngulm të arrijë sukses në Lindjen e Mesme - konfliktet e tjera ndërkombëtare, si ai në Pakistan dhe Afganistan, zor se do të mund të mbyllen në terma të shkurtra kohore. Mitçel udhëtoi me shpejtësi në Jerusalem, Damask e Bejrut për të tërhequr mirëkuptimin shumë të rëndësishëm të këtyre aktorëve kyç në zhvillimet e rajonit. Mundësi të reja po shfaqen në Damask, ku Presidenti sirian, Bashar Asad, po kërkon të fitojë peshë në rajon, i akuzuar kaherë si tepër i varur nga Irani dhe shumë i dobët me Perëndimin. Negociatat mes Izraelit e Sirisë mbi kthimin e lartësive Golan, me ndërmjetësimin e Turqisë, kishin nisur të jepnin fryte deri në çastin e shpërthimit të konfliktit në Rripin e Gazës.

Ndërkohë që tani ndihen lëvizje të vrullshme në Lindjen e Mesme, ndërsa duket se kanë nisur të ndihen pasojat e fjalimit të Obamës në Kajro. Në Liban, pjesa dërrmuese e elektoratit nuk ia besoi votën aleancës së dominuar nga ekstremistët e organizatës Hezbollah. Në të kundërt, zgjedhjet u fituan nga aleanca pro-perëndimore, në krye të së cilës është vendosur Saad Hariri, biri i ish-kryeministrit të vrarë Rafik Hariri. Tani për tani, antiamerikanizmi nuk duket më si faktor i rëndësishëm politik në Lindjen e Mesme - pasoja e fjalimit të Kajros, ku u nënvizua respekti i dyanshëm dhe përqasja ndaj konflikteve në rrugë të reja. Ndryshime të ngjashme po marrin jetë edhe në Iran, ku zgjedhjet presidenciale kanë ndezur një valë të pabesueshme emocionesh të reja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›