E Diel, 1 Nëntor 2026

Autizmi ne Shqiperi Liri Berisha ne Studio e Hapur

Presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” Liri Berisha  në një intervistë në “Studio e Hapur” ka folur gjerësisht për sëmundjen e autizmit që vitet e fundit po merr përmasa të frikshme në botë. Ajo ka dhënë detaje rreth  punës së fondacionit që drejton dhe “Qendrës “Fluturo për Jetën” që prej dy vjetësh trajton fëmijët autikë. Zonja Berisha theksoi se ende shoqëria nuk është e ndërgjegjësuar sa duhet për autizmin dhe pse sot konsiderohet si kriza e shëndetit publik. Ajo  vlerësoi se sa më herët që prindërit të konstatojnë problemin tek fëmijët e tyre aq më rezultativ do të jetë trajtimi i tyre.

“Jo vetëm ta konstatojë, por edhe në qoftë se dyshon nuk duhet të presë. Kjo është një këshillë për të gjithë prindërit. Nuk duhet të presë kur edhe dyshimi është më i vogël. Sa më herët të kapet aq më rezultate pozitive ka. Veç kësaj, pasi prindi bindet janë edhe dy momente të tjera që ai duhet t’i kapërcejë, është ndjenja e fajit të të pasurit një fëmijë të tillë që e mundon shumë prindin, është dhe ndjenja e turpit. Pra janë tre faktorë, frika, ndjenja e fajit dhe ndjenja e turpit për të patur një fëmijë të tillë, që duhet të kapërcehen në mënyrë të domosdoshme sepse është prindi dhe vetëm prindi që duhet të jetë bashkëpunëtor, partner në një rrugë shumë të mundimshme dhe të gjatë të trajtimit të fëmijës së tij. Sa më herët ta kapërcej prindi këtë situatë aq më rezultate pozitive dhe të shpejta do të ketë fëmija në trajtimin e autizmit” tha zonja Berisha.

Zonja Berisha tha se është e nevojshme që në qendrat spitalore dhe ato ambulatore të ngrihen njësi të posaçme për këtë fenomen, qendra të posacme duhet të ketë sipas saj në çerdhe, kopësht dhe shkolla. Po kështu zonja Berisha tha se do t’i kërkohet strukturave shtetërore një mbështetje financiare afatgjatë të fëmijëve autikë.

“Ne do të kërkojmë nga strukturat shtetërore që këta fëmijë të trajtohen në mënyrë afatgjate dhe të rimbursohen nga sistemi shëndetësor. Është shumë e rëndësishme. Ajo që është më e rëndësishme, do kërkonim nga strukturat shtetërorë që të rishikohen në mënyrë të plotë kushtet e asistencës sociale, të kempit, në mënyrë që këta fëmijë dhe këto familje të marrin pagesën maksimale që t’u krijohet mundësia që të jetojnë si të gjithë të tjerët” tha zonja Berisha.

Shkaqet e autizmit ende janë të pazbuluara, por ai konsiderohet një çregullim neurobiologjik i cili dëmton komunikimin, marrëdhënien sociale dhe modelin e sjelljes. Autizmi është çrregulim i trajtueshëm, por ende i pashërueshëm.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›