Po shitet Lajmi

Pesë muaj pas shitjes së gazetës Zëri, pritet të vijë edhe shitja e dytë e tillë në Kosovë. Ajo është gazeta Lajm. Shumë shpejt, kjo gazetë, pronar i së cilës është biznesmeni kosovar Behxhet Pacolli, pritet të bëhet pronë e personit të njëjtë që bleu edhe Zërin. Ai është biznesmeni i njohur Remzi Ejupi.
I njëjti është edhe pronar i kompanisë së fluturimeve “Eurokoha Reisen”.
I kontaktuar nga Express, Ejupi konfirmoi se aktualisht janë duke bërë negociata lidhur me këtë dhe se sipas tij, së shpejti mund të pritet që të konfirmohet lajmi për shitjen e Lajmit.
“Jemi në negociata, pritet që kjo të finalizohet së shpejti”, tha Ejupi.
Sa i përket çmimit të mundshëm me të cilën do ta blejë këtë gazetë, Ejupi pohoi se është herët për të ditur një gjë të tillë.
“Nuk dihet, ende ka kohë. Më vonë me siguri se do ta bëjmë publike. Nuk e di akoma, për besë”, tha ai duke shtuar se po ashtu nuk dihet nëse çmimin me të cilën do ta blejë gazetën Lajm do të jetë më u lartë apo më i ulët se sa çmimi me të cilin ka blerë gazetën Zëri.
Ndërsa arsyeja që ky biznesmen ka vendosur për blerjen e gazetës Lajm, sipas tij, është që kjo gazetë i është dikur më interesante.
“Më është dukur si gazetë pak më interesant për neve, dhe besoj që përputhen konceptet. Po ashtu besoj që mund të bëjmë ndryshim pak më të madh”, vlerësoi ai.
Remzi Ejupi po ashtu paralajmëroi se së shpejti do ta zgjerojë biznesin e tij me riaktivizimin e revistës “Zëri” dhe me hapjen e një televizioni të ri.
Gazeta Zëri ishte shitur në fund të muajit gusht të vitit të kaluar me çmimin rreth 300 mijë euro.