Gjoni: “Ulet siguria e jetës në vend në 6 mujorin e fundit”
Partia Socialiste ka deklaruar se siguria e jetës në vend është ulur në 6 mujorin e fundit. Deputeti socialist, Ilir Gjoni i ka konsideruar fiktive shifrat e sigurisë të prezantuara nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha për 6 muajt e fundit.
“Analiza mbi veprimtarinë e Policisë së Shtetit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, përveç entuziazmit të ministrit Basha nga vetë të dhënat e raportit, tregoi rritje të ndjeshme të kriminalitetit në tërësi ndaj jetës e pronës në veçanti, mungesë efikasiteti ose dështim të strategjisë së parandalimit të krimit dhe policimit në komunitet, mungesë profesionalizmi dhe dilentantizëm në luftën ndaj krimit dhe ç’është më kryesorja, mungesa e sigurisë së jetës në Shqipëri”, - u shpreh Gjoni, duke shtuar se në arritjet e përmendura nga ministri Basha në raport renditen shumë “heroizma” veçse harrohej ajo çka është më thelbësorja, garantimi i jetës dhe sigurisë së qytetarëve. “Në imagjinatën e tij, ai ju referua demonstrimeve të opozitës, ndërkohë që anashkalon faktin se në protestat e opozitës, përveç faktit të hipjes së tij majë çatisë kryeministrore rrethuar nga snaipera e badigardë në kqyrje të protestuesve paqësore nuk u thye asnjë xham e as nuk u sulmua asnjë komisariat apo institucion shtetëror, ashtu siç ndodhte me protestuesit e partisë së tij në 1998,2000, e 2001”, - u shpreh deputeti socialist. Gjoni deklaroi se në 6 muaj e fundit është 2.7 herë më shumë drogë e qarkulluar dhe e kapur, 156 vepra penale më shume në fushën e krimit financiar, korrupsionit dhe krimit ekonomik, 33 vepra penale më shumë kundër personit dhe ulje të fuqisë zbuluese me 3%, si dhe 27 vjedhje me dhunë më shumë etj. “Duhet të bien kambanat e alarmit, për ekzistencën e një arsenali të tërë armatimi në duart e elementëve me precedentë penalë, si dhe faktit të rigjallërimit të trafikut të armëve sipas raporteve të besueshme të agjencive të tjera shtetërore, për vrasjet e hapura, pa harruar ato të sofistikuarat, të kryera në mes të ditës, në mes të qyteteve dhe kryeqytetit; për moszgjidhjen ligjore të konflikteve të mëparshme dhe të njohura nga Policia, të cilat kanë shërbyer si shkak kryesor për vrasjet dhe tentativat për vrasje; për shifrat alarmante të vrasjeve, plagosjeve të rënda, që për hir të rastësisë nuk kanë përfunduar në vrasje; të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen; vdekjet aksidentale në punë dhe jashtë saj, si dhe për vetëvrasjet, të cilat po ua kalojnë edhe vdekjeve automobilistike, për të cilat në analizë, nuk u tha asnjë fjalë”, - u shpreh Gjoni. Deputeti socialist deklaron ndër të tjera se, në raportin më të fundit të Antimafias Italiane në mënyrë eksplicite thuhet se grupet shqiptare të krimit të organizuar të përfshira në trafikun e drogës kanë lidhje të ngushta me krerët që veprojnë në atdheun e origjinës, pra në Shqipëri.
Të hënën, Bashkia e Tiranës nis padinë ndaj ministrit Prifti
Bashkia e Tiranës ditën e hënë do të nisë procedurat për padinë ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Këshu, Rama shton listën e padive të bëra në adresë të përfaqësuesve të maxhorancës. Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florjan Serjani, tha dje se politika e baltës nuk mund të sundojë mbi ligjin dhe se ligji do të jetë përgjigja për ata që fyejnë dhe shpifin. Ishte Partia Socialiste e para që deklaroi se do të bënte padi për deklaratat e ministrit Prifti, i cili akuzoi nga foltorja e Kuvendit në seancën plenare të së enjtes, kreun e PS-së për përdorim droge, korrupsion dhe devijime të karakterit seksual.
19 Korrik 2010