LSI: “Sulmi ndaj ministrave nuk e fsheh krizën e PS-së”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj akuzave të deputetëve të PS-së ndaj ministrave të LSI-së, Dritan Prifti dhe Petrit Vasili. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Ardit Çela është shprehur dje për mediat se sulmi i PS-së ndaj ministrave të LSI-së tregon qartë krizën në të cilën është futur kjo parti. “Duke shprehur keqardhjen për dëshpërimin deri në humbje të orientimit, të lidershipit të Partisë Socialiste, dëshiroj të theksojë se sulmet e Edi Ramës dhe të zërave të tij të komanduar, ndaj ministrave të LSI-së, nuk mund të fshehin në fakt krizën dhe dështimin e tij të gjithanshëm. Sulmi ndaj ministrave të LSI-së, nuk mund të fshehin dështimin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, nuk mund të fshehin abuzimin e Edi Ramës me Partinë Socialiste, nuk mund të fshehin abuzimet e Edi Ramës me qeverisjen e bashkisë, nuk mund të fshehin paaftësinë për të miratuar buxhetin e bashkisë dhe për ta përfshirë kryeqytetin në projektet e mëdha të zhvillimit. E gjitha kjo histeri, është pasojë e dhimbjes që ai ndjen kur ai sheh se Shqipëria qeveriset në rrugën e integrimit europian, për të cilin kontribut të veçantë kanë ministrat e LSI-së”, - është shprehur Çela.
19 Korrik 2010