Xhaçka: “Prokuroria të nisë hetimin ndaj ministrit Dritan Prifti”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste i ka bërë dje thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimin e pasurisë së ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ka qenë deputetja Olta Xhaçka që ka kërkuar hetimin e 1.8 milion eurove të fituara brenda një viti nga ministri Prifti. Në këtë kontekst, Xhaçka ka hedhur akuza edhe mbi koalicionin Berisha-Meta, ku sipas saj, në këmbim të mandateve të tyre, ministrave të LSI-së, iu është lënë dorë e lirë të shtojnë në mënyrë marramendëse pasurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre me gjithfarë aferash korruptive.
Deklarata
“Dritan Priftit, të cilin Berisha dhe Meta e shpëtuan nga përballja me drejtësinë për aferat korruptive miliona euroshe, ku ishte përfshirë si drejtor i KESH-it, tani i është dhënë mundësia të vjedhë e të pasurohet si ministër i Ekonomisë së një vendi të zhytur në një krizë të thellë ekonomike”, - u shpreh Xhaçka, duke shtuar se “në një kohë që shqiptarët varfërohen, në një kohë që çmimet rriten në mënyrë të papërballueshme dhe papunësia po kap shifra të frikshme, ministri Prifti na deklaron si të ishte gjëja më normale në botë se ka marrë 1.8 milion euro ose 150 000 euro në muaj nga shitja e aksioneve të një kompanie fantazëm tek kushëriri i ministrit Vasili, pronar i kompanisë Megafarma”.
Deputetja socialiste e sheh me skepticizëm fitimin kolosal në euro të kompanisë farmaceutike, Megafarma. “Në ç’vend të botës demokratike, kompania e kushëririt të ministrit të Shëndetësisë mund të fitojë miliona euro tendera për ilaçe nga ministri kushëri, për t’i paguar pastaj 1.8 milion euro kolegut të partisë të ministrit kushëri? Këto gjëra mund të ndodhin vetëm në ndonjë republikë afrikane dhe nën pushtetin e çiftit Berisha-Meta”. Sipas PS-së, është e dukshme që dyshja Berisha-Meta nuk duan të reagojnë ndaj ministrit Prifti, sepse ky i fundit nuk po bën gjë tjetër, por vetëm sa po respekton marrëveshjen qeverisëse PD-LSI.
Ekonomia
Sipas PS-së, pasurimi me miliona euro të ministrave të qeverisë ‘Berisha’ e bën të pandjeshme për ta krizën ekonomike që po përballen qytetarët shqiptarë. “Nuk është për t’u habitur që Dritan Prifti dhe patronët e tij politikë, Berisha dhe Meta të flasin për mrekulli ekonomike dhe për ulje të varfërisë. Për një qeveri ministrat e së cilës fitojnë nga 1.8 milion euro në vit jo me punë e djersë, por vetëm duke dhënë tendera e licenca, vetëm duke bërë ndere e favore, rritja e cmimit të energjisë, ushqimit e shërbimit shëndetësor natyrisht që nuk përbën një problem. Me sa duket vetëm një firmë e Dritan Priftit vlen më shumë sesa të ardhurat që mund të ëndërrojë një familjeje shqiptare për një jetë të tërë”, - u shpreh deputetja Xhaçka.
19 Korrik 2010