E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e kombit nuk përfundon as këtë vit, shkurtohen fondet nga buxheti



Ervin KOÇI

Vepra më e madhe infrastrukturore e kombit, rruga Durrës-Kukës duket se nuk do të përfundojë punimet as këtë vit. Shkak për këtë janë bërë fondet të cilat kanë mbaruar më parë nga sa parashikohej, në një kohë që ende pa u përfunduar është dhe një pjesë e mirë e saj. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, rruga Rrëshen-Kalimash i ka konsumuar të gjitha paratë e vendosura në dispozicion për vitin 2010. Të njëjtat burime konfirmojnë duke iu referuar shifrave zyrtare të MF-së, se “për këtë vit ishin planifikuar rreth 10 miliardë lekë, të cilat janë shpenzuar brenda 6 muajve të parë, kur kanë mbetur ende edhe katër muaj të tjerë punime”. Të njëjtat të dhëna u publikuan pak ditë më parë edhe nga Ministria e Transporteve, gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për rishikimin e buxhetit. Sakaq, burimet nga MF-ja sqaruan se, “fatura e lartë është shkaktuar edhe nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura për punimet e kryera gjatë vitit 2009”. Por ministri i Financave, pak kohë më parë në një deklaratë të bërë në një emision televiziv, tha se “për pjesën e mbetur të vitit, deri në tetor, kur planifikohet të mbyllen punimet, parashikohen edhe 3 miliardë lekë punime”.

Ecuria
Vënia në funksion ndonëse pjesërisht e autostradës Durrës-Kukës, veçanërisht tuneli i Kalimashit (në një prej galerive), ka shumëfishuar jo vetëm lëvizjen e turistëve, por edhe të mallrave, kryesisht të eksportit nga Shqipëria. Në 10-ditshin e parë të korrikut është shënuar edhe shifra më e lartë në fluksin e mjeteve dhe njerëzve në hyrje në Doganën e Morinit. Sipas regjistrave në sportelet e kësaj dogane, rezulton se, në Shqipëri hyjnë mesatarisht nga 8 deri në 9500 mjete në ditë, ndërsa në fundjavë numri i mjeteve që hyjnë në Shqipëri shkon nga 10 deri 11.500, si dhe 35 deri 40 mijë persona. Agjencitë e udhëtimit në Kosovë tregojnë se mesatarisht 2/3 e kosovarëve udhëtojnë për pushime në drejtim të Shqipërisë, ku më shumë se gjysma e tyre qëndrojnë të paktën dy javë, ndërsa pjesa tjetër vetëm në fundjavë, duke e përsëritur gjatë gjithë verës. Fitimi i shqiptarëve edhe nga kjo lëvizje nuk është i vogël, pasi sipas një llogaritjeje, çdo pushues kosovar lë në Shqipëri minimumi 10 euro në ditë, ku në total i bie rreth gjysmë milioni euro. Në 6-mujorin e parë të vitit 2010 është rritur edhe volumi i eksporteve dhe gjithashtu të ardhurat doganore, përkatësisht nga 250 mijë të parashikuara, në 2.5 milionë euro.

Dogana
Drejtori i doganës, Ali Tota, tregon se eksportet në vitin 2010, për 6-mujorin e parë, ashtu si dhe në vitin që shkoi, janë dhjetëfishuar në raport me vitet e tjera. “Në ditët më të mira para se të hapej tuneli i Kalimashit kryheshin mesatarisht 10 transite (kamionë me mallra që zhdoganohen) në ditë, ndërsa pas hapjes së tunelit kryhen rreth 90 transite në ditë”,- tha drejtori Tota. Për 6-mujorin e parë të vitit 2010 kjo doganë ka derdhur në arkën e shtetit 2.5 milionë euro, që i takojnë kryesisht periudhës pas hapjes së tunelit, kundrejt një shume tepër modeste që realizohej më parë. Vetëm për qershorin ishin arkëtuar nga eksportet mbi 450 milionë lekë, kur në qershorin e 2006-s ishin arkëtuar vetëm 30 milionë. Me modernizimin e infrastrukturës së kontrollit, si dhe të shërbimeve të tjera në Doganën e Morinit, shoferëve nuk u bie të presin shumë.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›