Vjedhin pjesët e makinave të bllokuara, pranga 3 policëve
Tre efektiva policie të komisariatit të Vlorës, u arrestuan dje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Punonjësit e arrestuar të policisë, kryenin shërbim pranë pikës së ruajtjes së automjeteve të bllokuara në Vlorë, ku akuzohen se kanë vjedhur pjesë këmbimi të këtyre automjeteve dhe më pas i kanë shitur ato në tregun e zi. Sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Brendshme, efektivat e arrestuar të Policisë së Vlorës, mbanin gradën e inspektorit dhe kryenin shërbim pranë pikës së bllokimit të automjeteve.
“Inspektor Musa Nushi, 59 vjeç, inspektor çobo Sakaj, 45 vjeç, dhe inspektor Muhamet Sulejmani, 43 vjeç, u arrestuan nga oficerët e SHKB, pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Vlorës”, tha dje Ministria e Brendshme.
Vjedhja
Rreth tre muaj më parë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kishte marrë disa ankesa nga qytetarët për humbjen e pjesëve të ndryshme në makinat e tyre, që ishin bllokuar për kundravajtje nga Policia e Vlorës. Qytetarët kanë denoncuar se pasi kanë shlyer gjobat dhe kanë shkuar të tërheqin makinat, kanë konstatuar se mjeteve u mungonin pajisje të ndryshme si kasetofonat, gomat apo pasqyrat. Menjëherë pas këtyre denoncimeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm filloi hetimet duke zbuluar në pak kohë, se pjesët e mjeteve të bllokuara vidheshin nga tre efektivat e arrestuar të policisë. Ata vidhnin pasqyrat, gomat ose kasefotonat e makinave që mbaheshin në pikën e bllokimit, duke i shitur këto pajisje në tregun e zi, me qëllim përfitimet financiare në mënyrë të paligjshme. Pas më shumë se tre muajve që kur filloi hetimi, SHKB në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, i janë drejtuar gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre policëve për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. “Arrestimi i inspektorëve që kryenin funksionin e trupës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve në Vlorë, u krye pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë më datë 18 mars 2010 caktoi për ta masën e sigurisë “arrest në burg pa afat”, tha zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme. Sipas saj, këta punonjës të policisë, duke qenë me shërbim, në kohë të ndryshme dhe më shumë se një herë kanë vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve të bllokuara nga policia, duke ua shitur ato personave të tretë.
Policët e arrestuar
1. Musa Hysen Nushi, Inspektor, 59 vjeç
2. çobo Nuro Sakaj,Inspektor, 54 vjeç
3. Muhamet Hatem Sulejmani,Inspektor, 43 vjeç