Dobësohet euro pasi Papandreu shfaq pasiguri: BE të votojë ndihmën e shpejtë
Greqia ka kërkuar nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së, një votim të shpejtë për ndihmat financiare në takimin e nivelit të lartë që mbahet javën e ardhshme. “Në këtë takim BE duhet të marrë një vendim”, tha Kryeministri grek, Jorgo Papandreu gjatë një vizitë në Parlamentin Evropian, në Bruksel. Por deklarata e tij ka përçuar pasiguri të reja për Greqinë dhe euron në sytë e botës. Euro pësoi ulje dje kundrejt dollarit ndërsa u shtuan më tepër shqetësimet edhe pas një raporti, se vendi nuk ishte optimist mbi marrjen e ndihmës nga vendet e Eurozonës. Deklarata u bë nga një zyrtar grek (anonim), i cili kishte pohuar për vëzhguesit që përpiluan raportin, se Greqia ishte gjithnjë e më shumë pesimiste mbi perspektivën për të marrë një ndihmë në samitin e 25 marsit nga BE dhe se mund të kërkohet ndihma e Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë 2-4 prillit. Megjithatë ministri grek i Financave, Jorgo Papakonstantinu mohoi planin për t’u kthyer për ndihmë nga FMN-ja, duke thënë se të gjitha opsionet për të marrë mbështetje janë ende të hapura. Kërkesa e Papandreut gjithsesi bie në kundërshtim me një nga zërat më të fortë në BE, Anxhela Merkel, e cila është shprehur shpesh kundër ndihmave të shpejta financiare. Por telashet e Greqisë nuk ndalen te zyrtarët e BE-së. Ironia me krizën financiare në Greqi, pas deklaratave të politikanëve gjermanë mbi shitjen e ishujve, po vazhdon me deklarata ruse. Një miliarder rus ka propozuar që Greqia të shitet e tëra përmes projektit të “Gazprom”-it, i cili secilës shtëpi greke do t’i jepte nga një pishtar olimpik. Kriza në Greqi dhe masat e ashpra të kursimit të Qeverisë kanë provokuar greva të vazhdueshme të përmasave të mëdha. Masat kanë zemëruar edhe Kishën Ortodokse, e cila për herë të parë në historinë e Greqisë po tatimohet.