Gafa e Bajden: Një minutë heshtje...për nënën e gjallë të Kryeministrit
Kryeministri irlandez mësoi gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, se nëna e tij kishte “vdekur”. Zëvendës presidenti amerikan, Xho Bajden ka kërkuar një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e nënës së Kryeministrit irlandez, ndërkohë që ajo është gjallë dhe energjike. “Zoti e prehtë në paqe shpirtin e saj”, tha Bajden ndërsa e prezantonte Brajan Kouen dhe Presidentin Obama në festën e Shën Patrikut, në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën. Më pas ai e korrigjoi shpejt veten, duke thënë se ishte babai i Kryeministrit ai që nuk jeton më. “Prisni një minutë, nëna juaj ende... ende jeton. Ishte babai juaj që ndërroi jetë. Zoti e bekoftë shpirtin e saj. Duhej ta mësoja më qartë këtë”, tha Bajden. Më pas ai citoi proverbin irlandez, se “një gojë e heshtur dëgjohet me ëmbëlsi” dhe ia liroi podiumin Obamës.