Autobusi urban i Porcelanit del nga rruga, përplaset me pallatin
• TIRANE – Dalja e një autobusi urban nga rruga shkaktoi mëngjesin e djeshëm një aksident në kryeqytet, në të cilin fatmirësisht nuk u shënuan dëme në njerëz.Policia e Tiranës pohoi se shkak për aksidentin mendohet se ishte një problem në sistemin e frenimit të automjetit të transportit urban, gjë që çoi në aksident. Ndërkohë është vënë në pranga drejtuesi i mjetit. Urbani, i cili u përplas me një pallat rreth orës 10:00 të mëngjesit i përkiste linjës Qendër–Porcelan, ndërsa në të ndodheshin dhjetëra persona. Në momentin e përplasjes mjeti ndodhej duke udhëtuar nga qendra drejt periferisë në rrugën “Qemal Stafa”, kur në afërsi të unazës ai ka dalë nga rruga dhe është përplasur në katin e parë të një pallati pesëkatësh, ku dhe ka qëndruar. Hetuesit dhe ekspertët kriminalistë të mbërritur në vendngjarje kanë nxjerrë si shkak paraprak bllokimin e sistemit të drejtimit dhe frenimit të mjetit, ndërsa drejtuesi i tij, i cili tashmë ndodhet i prangosur, është përpjekur të shmangë pasojat e rënda, megjithëse ndodhej duke ecur me një shpejtësi të vogël. Mjeti i transportit urban, që brenda pak çastesh ishte bërë i pakomandueshëm, ka kaluar bordurën e rrugës dhe pasi ka ecur diagonal me trotuarin ka përfunduar te muri i pallatit ku ka qëndruar. Pas përplasjes është krijuar një situatë frike nga pasagjerët dhe banorët e pallatit, të cilët kanë njoftuar policinë të traumatizuar, ndërsa drejtuesi i mjetit ka dhënë sqarime. Pasi policia e ka vënë në pranga atë, ka kaluar dokumentet në ngarkim të tij në Prokurori për hetime të mëtejshme. Ende hetimi nuk ka përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një gabim njerëzor apo mekanik. fa.ma.PasojatPërplasja e autobusit urban të linjës Qendër-Porcelan pati pasoja vetëm dëme materiale, pasi fatmirësisht shpejtësia me të cilën ai po ecte ishte e vogël, duke shpëtuar mrekullisht në këtë mënyrë të gjithë pasagjerët që ndodheshin në të.