Berisha: Zbatimi i “Ohrit”,bazë për stabilitetin e Shkupit
• Kryeministri shqiptar, Sali Berisha u takua dje me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Menduh Thaçi, për të diskutuar për krizën politike të krijuar në këtë vend nga mosrespektimi i marrëveshjes së Ohrit, e cila kërkon më shumë të drejta për komuniteti shqiptar në këtë vend. Takimi ndodhi para shpërthimit tragjik në Gërdec. Ky mund të vlerësohet si një nga takimet e rralla të kryeministrit shqiptar me kreun e PDSH në Maqedoni, në prag të Samitit të Bukureshtit ku si Shqipëria edhe Maqedonia presin një ftesë anëtarësimi për në aleancën veriatlantike. Kreu i qeverisë shqiptare ka diskutuar edhe qëndrimet e PDSH-së në Maqedoni, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Menduh Thaçi, e ka konsideruar shumë të rëndësishëm informimin e kryeministrit Berisha se sukseset e qeverisë shqiptare shihen edhe si suksese të shqiptarëve në tërësi. “Ishte tepër e rëndësishme që ta informoj kryeministrin Berisha se sukseset e qeverisë shqiptare ne i shohim edhe si suksese të shqiptarëve dje, unë e përgëzoj këtë. E dyta, ta informoj për ngjarjet në Maqedoni dhe përcaktimin definitiv dhe final të Partisë Demokratike Shqiptare besoj dhe të qeverisë së Maqedonisë për këtë proces tepër të rëndësishëm, domethënë në Samitin e Bukureshtit për marrjen e ftesës për në NATO”, ka vlerësuar Menduh Thaçi. Ndërsa kryeministri shqiptar ka sqaruar se, “Me zotin Menduh Thaçi patëm një diskutim të hollësishëm mbi zhvillimet në rajon për qëndrimet e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni dhe përpjekjeve të këtij vendi për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Kemi gjetur mirëkuptim në vendimet e kësaj partie për të mbështetur në mënyrë të palëkundur përpjekjet e Maqedonisë për këtë ftesë, qëndrimin e saj për të parandaluar një krizë të mundshme dhe proces elektoral të panevojshëm në këtë periudhë”, u shpreh kryeministri Berisha pas takimit. Berisha ka shprehur për zotin Thaçi rëndësinë që i jep qeveria shqiptare situatës në Maqedoni, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm për rajonin paqen dhe stabilitetin në këtë vend fqinj dhe mbështetjen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, me të gjitha arritjet e bëra në zbatimin e saj. “Ne jemi të sigurt dhe besojmë se zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë”, u shpreh Berisha. Edhe kryetari i PDSH-së e siguroi kryeministrin Berisha se partia e drejtuar prej tij do të bëjë gjithçka që të mbisundojë paqja, stabiliteti dhe qetësia. “Kam dhënë një sqarim, se kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, marrëveshja e Ohrit vetë kërkesa që i ka vendosë PDSH-ja janë tashmë pjesë e axhendës së integrimit evropian dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, shtoi Thaçi.Maqedonia me qeveri minore Deri në Samitin e NATO-s në Bukuresht, politika në Maqedoni do të drejtohet nga një qeveri minore, me kapacitet të plotë. Ky ishte përfundimi i takimit të mbrëmshëm të liderëve, në të cilin ishte i pranishëm kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, liderët të PDSH-së dhe BDI-së, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, nënkryetarët e LSDM-së Igor Ivanovski dhe Jani Makraduli, ministri i Punëve të Jashtme Antonio Milloshoski dhe negociuesi i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë të funksionojë si qeveri minore, me kapacitet të plotë në dy-tri javët e ardhshme, respektivisht deri në Samitin në Bukuresht. Vlerësojmë se sjellja e këtillë e Kuvendit do të demonstrohet, që do të japë edhe kapacitet të mirë për veprimin tonë fuqiplotë”, deklaroi pas përfundimit të takimit ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski. Ministrat dhe drejtorët e PDSH-së mbeten në funksion deri në zgjedhjen e qeverisë së re.