E Diel, 1 Nëntor 2026

Autogoli "Taivan" dhe imazhi i politikës

Pesë vjet e gjysmë më parë, në një emision televiziv, kreu i opozitës së kohës, Sali Berisha, akuzonte publikisht një biznesmen karburantesh, si mafioz dhe të korruptuar. Shumëkush s‘ia kishte dëgjuar emrin këtij personi deri në atë kohë. Vite më pas, zoti Berisha u ftua në një tjetër studio të komentojë deklaratat e fushatës elektorale të vitit 2005. "Nuk ishte Taçi, tha pa asnjë mëdyshje, ishte Naçi". Kjo batutë shkaktoi të qeshura të hidhura në studio, duke u arshivuar si njëra ndër gënjeshtrat publike flagrante të Kryeministrit Berisha qëkurse kemi nisur t‘ia dëgjojmë emrin. Sot, kur ai i ka hyrë mandatit të dytë qeverisës, gënjeshtrat janë shtuar. E parafundit ishte prezenca e pretenduar dhe e përgënjeshtruar e deputetëve të opozitës në një darkë me zyrtarë të lartë nga Brukseli. Kurse e fundit, ajo që po vazhdojmë ta kundrojmë, ka të bëjë me privatizimin e disa qindra metrave tokë publike në vitin 2005, nga pronari i lokalit "Taivan" në qendër të Tiranës. Akuzat e Kryeministrit dhe të Kryetares fanatike të Parlamentit, rreth rolit korruptiv të Edi Ramës në dhënien e kësaj toke pronarit në fjalë, u çngjyrosën nga videoja e seancës ku u votua vendimi në fjalë dhe ku kartonët jeshilë të të djathtës kishin qenë shumë më tepër se dy, siç pretendonte zonja Topalli.
Nga gënjeshtrat e vogla e të mëdha e deri te sulmet personale që përfshijnë brenda tyre të gjallë e të vdekur, të mirë e të ligj, të mëdhenj e të mitur, po jetojmë në një klimë ku fjala s‘ka më vlerë dhe ku s‘është më turp të lëpish atë që ke pështyrë. Kemi ardhur në një situatë të tillë absurde, kur një numër i konsiderueshëm shqiptarësh (pa asnjë dyshim shumica e tyre), u vjen rëndë nga ato që Kryeministri nxjerr nga goja, megjithëse vetë atij nuk i duket se po bën ndonjë gjë jonormale. Kjo sjellje parapolitike, agresive dhe tërësisht joetike, pasqyron kodin e egër të komunikimit që përdor sot e gjithë ditën elita drejtuese në këtë vend. Kur Kryeministrit, administratorit institucional të Shqipërisë, nuk i bën asnjë përshtypje kjo mënyrë sulmimi dhe denigrimi i/e kundërshtarit që ka përballë, kur ai vetë bëhet frymëzuesi dhe shtytësi i adoptimit të të njëjtave terma gjuhësorë, fyerje personale dhe fakte të pretenduara, nga e gjithë masa e pasuesve që e rrethojnë, atëherë këtu kemi të bëjmë me një psikozë të rrezikshme kolektive, të cilën e kemi parë në të gjitha sistemet totalitare, që nga koha e totalitarizmave të shekullit të 20-të, e deri te diktaturat e sotme. Klasa jonë politike, mazhoranca më së pari, ndodhet nën efektin e një mpirjeje cerebrale, e cila po e shtyn të sillet herë si një gjysmë regjim totalitar, herë si opozitë që proteston rrugëve kundër vetë opozitës, e herë si një trupë ushtarake që mban shënim ato që thotë lideri dhe i përsërit në mënyrë mekanike. Mes këtij kontingjenti njerëzish ka pa asnjë dyshim profesionistë, ekspertë dhe politikanë karriere, që janë në gjendje të dallojnë arin nga bronzi. Por tek i sheh të shajnë me shpengimin e një njeriu të rrugës dhe pa u menduar aspak për atë që po nxjerrin nga goja, mendja të shkon se këtu luhet diçka më shumë se interesat personale, politike apo financiare. Nga mënyra sesi u anatemua Edi Rama në javët e fundit, nga ethet deri qesharake që i zunë papritur krerët e shumicës për të reaguar ndaj dhunës kundër grave e fëmijëve (Kuvendi hapi dyert për aktivitete për dhunën ndaj femrave), nga rregullsia e koordinimi befasues i deklaratave publike dhe vënia në rresht e thuajse të gjithë grupit parlamentar për të recituar tezat e fjalimit të Berishës - e gjitha kjo ishte krejtësisht e panatyrshme, e dhunshme dhe e tepruar. Sot, një muaj pas fjalës së Kryeministrit në Parlament, pasi Partia Demokratike e ka "zbërthyer" atë me zellin e komunistëve që i bënin jehonë fjalimeve të Enver Hoxhës nëpër plenume, mund ta shohim në të gjithë përmasën e saj absurdin që jetuam gjatë atyre orëve, kur çështja numër një e Shqipërisë u bë papritur fakti sesa herë i kishte nxjerrë nga shtëpia Edi Rama femrat e jetës së tij.
Denigrimi i kundërshtarit, delegjitimimi i tij ekstrem (ky hyn edhe shtrembërimi i emrave, si një deviacion folklorik i luftës politike), akuzat publike të pambështetura në fakte, prekja e jetës private duke ndërtuar artificialisht "përbindësha" socialë, janë sot disa armë që elitat tona vijojnë t‘i përdorin të pashqetësuara, megjithëse vendi ka ndryshuar jo pak në 20 vitet e fundit. Si të thuash se megjithëse Lufta e Ftohtë ka mbaruar, palët vazhdojnë ta gjuajnë njëra-tjetrën me armë bërthamore. Gjuha e urrejtjes mbijeton te mbartësit e gjuhës së urrejtjes. Dhe ne e dimë të gjithë kush janë ata, në të gjitha katet e politikës shqiptare, që nga maja e deri te themelet. Në këtë hierarki, zoti Berisha ka fatkeqësisht pjesën e luanit. Ai ka qenë në dy dekadat e fundit njëri ndër gjeneratorët kryesorë të kulturës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve, ashtu siç është ndodhur rregullisht në vështirësi kur i është dashur të tërheqë mbrapsht një pjesë apo të gjitha akuzat e piskamat që ka lëshuar kundër Nanos, Metës, Majkos e të tjerëve. Problemi i madh që kemi është se sot Sali Berisha është jo vetëm një politikan i rreshtit të parë, por edhe një përfaqësues i rreshtit të parë për vendin në të gjithë botën. Është dëshpëruese të mendohet se çfarë efekti mund të ketë pasur fjalimi i tij i 26 nëntorit i përkthyer në anglisht, për veshët e atyre me të cilët po negociojmë nga mëngjesi në darkë heqjen e vizave dhe hyrjen në Europë. Statusi i ri i Shqipërisë kërkon edhe mentalitet të ri. Kjo s‘është ndonjë gjë e re, por ia që nocionet në mjedisin shqiptar zënë vend me aq vështirësi, saqë mesa duket edhe parimet elementare nuk e humbin kurrë aktualitetin e tyre.
Në këtë amulli totale mitingjesh, akuzash dhe kërcënimesh biblike, një aferë si ajo e "Taivanit" nuk shënon ndonjë element me peshë për debatin politik. Por kjo s‘do të thotë që kjo histori e pakëndshme tarifash të tokës publike në qendër të Tiranës, të mos përbëjë një indikator tjetër shqetësues për shkallën e hipokrizisë, të pavërtetës dhe manipulimit që mund të bëhet në emër të interesave politike dhe denigrimit të kundërshtarit. Berisha, Topalli dhe të tjerët pranë tyre, e kanë ditur kronologjinë e atij transaksioni tregtar, por kanë menduar se mund të na shesin pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë, një variant të rremë të tij. Ashtu si kur e bënë Taçin Naçi, si kur shpikën deputetë të opozitës në darkën e miqve nga Brukseli, apo kur akuzuan Ilir Metën për floririn e Kërrabës. Tek i sheh të rrethuar me bodigardë, veneracion dhe pushtet, e ke të vështirë të besosh se mund të nxjerrin nga goja gënjeshtra, të cilat do ta kishte për turp t‘i artikulonte edhe një fëmijë i fillores. E megjithatë ja që ndodh, sepse vetë turpi është një nocion shumë jashtë mode këto kohë në këtë anë të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›