E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër- Hani i Hotit, kreu i qarkut firmës: Nis punimet



SHKODER- “Ndërtimi i rrugës Shkodër- Hani i Hotit duhet të bëhet sa më shpejt”. Kështu u shpreh dje kreu i këshillit të qarkut, Gjovalin Kolombi, por edhe drejtuesit vendorë të Bashkisë së Koplikut, si dhe të komunës së Bajzës. Kolombi i bëri thirrje firmës italiane të fillojë punimet, duke marrë përsipër zgjidhjen në mënyrë institucionale të problemit të shpronësimit të banorëve. Dy javë më parë, banorët nuk lejuan firmën të nisë punimet. Por kreu i qarkut mori përsipër ndërhyrjen e pushtetit vendor, nëse do të ketë sërish protestë dhe bllokim të punimeve nga ana e tyre. “Ne kërkojmë rrugën, qytetarët e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe të Malit të Zi kërkojnë rrugën. Askush nuk mund të bëhet pengesë për ndërtimin e saj” u shpreh dje Kolombi. Sipas tij, rruga do të ndërtohet, pavarësisht interesave që mund të ketë njëri apo tjetri në lidhje me pretendimet e pronësisë. “Kemi 5 vite që presim fillimin për ndërtimin e saj. Ne nuk kemi më kohë për të humbur”, u shpreh më tej kreu i qarkut të Shkodrës. Ai i bëri thirrje firmës italiane të nisë punimet, duke i garantuar se nëse do të ketë reagim të banorëve, ai do të ndërhyjë me policinë për të qetësuar situatën. Sipas tij, banorët duhet ta zgjidhin në rrugë institucionale çështjen e shpronësimeve. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›