E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet në sy të gruas biznesmeni



DURRES/ OERD ULQINI

Ekzekutohet në sy të gruas biznesmeni nga Durrësi. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 20:15., kur viktima, Shyqyri Deliallisi u qëllua me disa plumba pistolete nga dy persona ende të paidentifikuar. Sipas policisë, 35- vjeçari, banor i lagjes nr.13 në zonën e plazhit është qëlluar me plumba në kraharor duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Mësohet se viktima, emigrant i kthyer nga Italia disa kohë më parë ndodhej në mjetin e tij tip Wolsvagen me targë DR 0730 F së bashku me bashkëshorten e tij. Ata ishin nisur për në banesë, kur në afërsi të Unazës së Plazhit autorët i kanë zënë pritë. Sipas dëshmisë së dhënë nga bashkëshortja e viktimës, por edhe disa dëshmitarë që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, dy persona i kanë dalë para mjetit dhe i kanë bërë shenjë drejtuesit të saj të ndalonte. Në momentin që Deliallisi ndaloi makinën e tij, personat i janë afruar me shpejtësi dhe njëri prej tyre e ka qëlluar atë me pistoletë duke e lënë të vdekur. Më pas ata janë larguar me një mjet ende të paidentifikuar. Policia e Durrësit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes pas alarmit të dhënë nga e shoqja e viktimës dhe dëshmitarët. Pas hetimeve paraprake rezultoi se viktima ishte pronar i disko "3X" në zonën e plazhit. "Viktima ishte duke udhëtuar në segmentin Shkozet- Unaza e plepave, kur rreth orës 20:15 autorët e ndaluan në rrugë dhe më pas e qëlluan për vdekje me pistoletë. 35- vjeçari ishte bashke me gruan në makinë në momentin që është qëlluar, por fatmirësisht ajo iu ka shpëtuar plumbave", bënë të ditur burime nga policia e Durrësit. Dyshohet se viktima është kthyer nga Italia për shkak të problemeve që ka pasur në këtë shtet me drejtësinë. Për efekt të hetimit, policia nuk dha detaje për "skedën" e të vrarit. Sipas burimeve, viktima ka qenë person me probleme edhe pas kthimit të tij në Durrës. Pas ngjarjes blutë shoqëruan 10 persona, disa prej të cilëve dëshmitarë okularë të vrasjes, ndërsa të tjerë të dyshuar se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ndonëse në gjendje të rënduar psikologjike, bashkëshortja e viktimës ka mundur të përshkruajë autorët të cilët sipas saj kanë qenë dy vetë. Po sipas dëshmisë së saj, ata iu kishin bërë shenjë që të ndalonin para se ta qëllonin 35- vjeçarin. Policia e Durrësit gjeti në vendin e ngjarjes disa gëzhoja të cilat janë çuar menjëherë në laboratorin e kriminalistikës për të kryer ekspertizën përkatëse balistike. Burime të policisë bënë të ditur se janë duke hetuar, por ende nuk ka persona konkretë të arrestuar. Paraprakisht dyshohet se 35- vjeçari mund të jetë ekzekutuar për shkak të konkurrencës, apo të problemeve që ai mund të ketë pasur në shtetin italian, por, burime nga grupi i hetimit nuk përjashtuan edhe konfliktet personale që mund të ketë pasur viktima në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›