E Shtunë, 31 Tetor 2026

Automjetet e vjedhura, 80 për qind e pronarëve, viktima të trafikantëve dhe shtetit

Operacionet e fundit të policisë kanë bllokuar në të gjithë Shqipërinë qindra automjete të vjedhura jashtë vendit. Po a bllokohen në bazë të ligjit? Çfarë procedurash ka policia, prokuroria dhe gjykata për kthimin e tyre? Po dokumentet që duhet të paraqesin "hallexhinjtë" për ta rimarrë? Pyetjeve të mësipërme i ka kthyer përgjigje Prokuroria e Përgjithshme, e cila saktëson se 80 për qind e automjeteve të bllokuara janë zhdoganuar dhe disponojnë dokumente të shitblerjes, madje dhjetëra automjete të tjera kanë marrë edhe leje qarkullimi. Ngërçi, sipas akuzës, qëndron te lista e automjeteve që janë denoncuar si të "humbura" në vendet Perëndimore. "Megjithëse policia mund të ketë tipin e automjetit, shasinë, e dokumente të tjera, për bllokimin përfundimtar duhet edhe kallëzimi përkatës i pronarit të automjetit në shtetin përkatës ku është vjedhur. Mospasja e një kallëzimi të tillë e detyron automatikisht zhbllokimin e mjetit dhe lënien në përdorim të personit të tretë që e ka blerë", thanë burimet nga policia. Por le t‘i marrim me radhë problemet që has policia dhe prokuroria.

Bllokimi i automjeteve

Së fundmi, policia shqiptare ka ndërmarrë dhjetëra operacione në të gjithë vendin për bllokimin e automjeteve të vjedhura. Me urdhër nga "lart", policët kanë bllokuar çdo automjet i cilësuar si i vjedhur në të gjithë botën. Në listën që verifikohet me anën e një kompjuteri, kanë targën dhe tipin e automjetit. Duke verifikuar të dhënat, vendosin në vend për bllokimin e mjeteve. Disa ditë më parë, në kuadër të operacionit "Shtator 2008", janë bllokuar rreth 50 mjete. Të gjitha makinat e sekuestruara janë luksoze dhe kanë hyrë në Shqipëri prej kohësh. Burimet zyrtare të policisë thanë se në zbatim të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, më datën 23 shtator 2008, ka nisur operacioni i koduar "Shtator 2008", në bashkëpunim me INTERPOL-in. Ky operacion ka synuar përfshirjen e të gjitha strukturave të hetimit të krimit, në drejtim të intensifikimit të punës, në parandalimin e trafikimit të mjeteve motorike, goditjen e autorëve të trafikimit të mjeteve motorike, si dhe sekuestrimin e mjeteve të trafikuara, kryesisht atyre luksoze. Në vazhdim të këtij operacioni, nga specialistët e seksionit antitrafik është mundësuar sekuestrimi i dhjetëra automjeteve, të cilat, pasi janë verifikuar, rezultuan të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë. Makinat janë vjedhur kryesisht në vendet Perëndimore, si në Gjermani, Itali, Angli dhe Francë.

Automjetet e vjedhura

Por si mbërrijnë në Shqipëri automjetet e vjedhura në vendet Perëndimore? Burime nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se në disa raste, shtetas të huaj kryejnë një kallëzim në vendin përkatës, se automjeti me të cilin udhëtonte, është grabitur, megjithëse mjetin e kanë shitur. Pas këtij kallëzimi regjistrohen të dhënat dhe shasia korresponduese futet në listën e automjeteve të vjedhura të EUROPOL-it (Policisë Evropiane). Pas kallëzimit shtetasi i huaj përfiton të gjithë vlerën e blerjes së automjetit nëpërmjet kompanive të sigurimeve. Ndërsa personi që e ka blerë automjetin me një vlerë shumë më të ulët nga ajo reale, pasi e ka pajisur me të gjithë dokumentacionin shqiptar, e shet sërish, duke përfituar të hollat. "Viktimat" (të tretët), pa e ditur se automjeti është i vjedhur qarkullojnë në Shqipëri. Dhe një ditë të bukur ndalohen dhe kallëzohen penalisht për "trafikim të mjeteve motorike", përveç faktit që makina iu sekuestrohet. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se shumica e mjeteve luksoze që qarkullojnë në Shqipëri janë denoncuar si të zhdukura nga shtetas evropianë, por në fakt kallëzimi është formal, pasi automjetin e kanë shitur dhe këtë e vërteton fakti që pronarët pas kapjes së mjeteve në Shqipëri, nuk kërkojnë rikthim të tyre edhe pse bëhet fjalë për vetura të shtrenjta.

Dosjet në prokurori

Pas operacioneve, policia tha se automjetet e bllokuara muajin e shkuar, janë vjedhur në periudha të ndryshme kohore që nga viti 2003. Madje, një pjesë e tyre janë pajisur edhe me targa shqiptare. Sipas policisë, po punohet për identifikimin e trafikantëve të këtyre mjeteve, ndërkohë që materialet i kanë kaluar prokurorisë për ndjekje të mëtejshme. Tashmë organi i akuzës ka filluar edhe mbledhjen e të gjitha dosjeve nga policia. Dhjetëra shtetas janë paraqitur në prokurori për të servirur dokumentet që zotërojnë. "Kemi aktin noterial të shitblerjes së mjetit. Automjeti është i pajisur dhe me targa shqiptare. Nuk e kuptoj arsyen përse është i bllokuar", pretendon një qytetar. Ai ka marrë si përgjigje se duhet të paraqitet në gjykatë me gjithë dokumentacionin përkatës për kthimin e mjetit. "Më thanë të paraqitem në gjykatë me të gjitha dokumentacion", thotë qytetari.

Paditë në gjykata

Si merret automjeti i denoncuar i vjedhur, megjithëse i zhdoganuar dhe i pajisur me targa shqiptare? Prokuroria e Përgjithshme deklaron se të gjithë shtetasit duhet të paraqiten në gjykatën e rrethit ku jetojnë me gjithë dokumentacionin. Ata duhet të disponojnë aktin noterial të shitblerjes me emrin përkatës të personit që ia kanë blerë mjetin. Pas padisë, personi i dëmtuar mund të fitojë kthimin e automjetit, ose çështja mund të zgjidhet privatisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›