E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patentat false, 5 të pandehur në gjykate

Ish-zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor janë dërguar në gjykatë me akuzën e dhënies së lejeve për drejtim të mjeteve të falsifikuara. Prokuroria e Tiranës tha dje se të pandehurit e kësaj dosjeje janë Kadri Dajçi, pronar i autoshkollës "Univers Vip", instruktorët e kësaj autoshkolle Qazim Hoxha dhe Jonuz Meshi, si dhe 2 ish-punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor të Tiranës, Emiljano Kahu dhe Sokol Breça. Zyrtarët e patentave, sipas akuzës, janë filmuar duke marrë ryshfet. Operacioni "Gërshërët e ligjit" filloi në muajin janar të këtij viti, pas denoncimit të një qytetari. Të dyshuarit, për një periudhë tremujore, janë mbajtur nën vëzhgim. "Pas denoncimit, rasti në fjalë është kopsitur dhe gjatë hetimeve kanë dalë dhjetëra raste të tjera, ku të arrestuarit kanë marrë dokumente të qytetarëve të ndryshëm kundrejt të hollave", thanë burimet nga akuza, të cilat saktësojnë se patentë merrnin personat që paguanin, ndërsa ata që nuk paguanin nuk fitonin. "Prova më të forta që sollën arrestimin e zyrtarëve janë përgjimet, ndërsa ka pamje filmike dhe fotografi. Për çdo kursant, përveç pagesës 30 mijë lekë, merrnin edhe 35 mijë lekë të tjera në formën e ryshfeteve", thanë hetuesit e çështjes. Prokuroria e Tiranës saktëson se hetimet për zyrtarët e patentave kanë filluar edhe pas një indicie të marrë nga emisioni investigativ "Fiks Fare", në "Top Channel". Disa zyrtarë të patentave kanë lëshuar një dëshmi për drejtim automjeti me emrin e themeluesit së Tiranës, Sulejman Pasha. Gazetari ka arritur, kundrejt një pagese, të marrë patentën e rregullt. Fiksi ka arritur të pajisë me patentë ndërkombëtare edhe ish-kampionin e botës në Formula 1, Fernando Alonso. Nxjerrja e këtyre patentave ishte mjaft e thjeshtë. Gazetarët shkuan në disa autoshkolla. Në njërën prej tyre gjetën edhe një sekser, i cili merrte përsipër nxjerrjen e patentave për drejtim makine, pa u paraqitur fare në provim dhe pa bërë asnjë ditë kurs. Gjatë bisedës me sekserin, u mësuan edhe çmimet e tregut, kuptohet me pagesa që bëhen nën dorë. 70 mijë lekë të reja kushton nxjerrja e një patente për një person, i cili nuk bën asnjë ditë kurs, por duhet të paraqitet në provim. Paraqitja në provim është sa për sy e faqe, sepse çfarëdo që të shkruajë në fletën e provimit, patentën e ka të marrë. Por nëse preferon të mos paraqitet fare në kurs, i duhet të paguajë më shumë për të marrë patentën. Dhe për këtë nevojiten 100 mijë lekë të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›