E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autonomia e shoqërisë civile si politikë private

17/03/2005  Nuk është fjala se ka dy politika të veçanta në Shqipëri. Mirëpo, ne vazhdojmë të kemi të ngrirë konceptualisht idenë, për politikën, si monopol vetëm partiak. Ky deformim antiqytetar i politikës, si monopol vetëm i strukturave publike, është rezultat i përfytyrimit tonë të dikurshëm, totalitar të partisë shtet. Në kushtet e shoqërisë së hapur dhe demokratike pluraliste, thyhet tabuja e politikës së mbyllur, të izoluar dhe atribut i vetëm i strukturave publike, dhe po lançohet një koncept dhe praktikë e re, e politikës si veprimtari qytetare.

Në kohën tonë, flitet pikërisht për një proces të madh, të rizbulimit të politikës, thelbi i së cilës është që politika moderne, nuk kufizohet vetëm me institucionet shtetërore, që realizojnë politikën publike. Paralel me të, jo si faktor rival, por si element komplementar, por edhe kontestues dhe opozitar zhvillohet “politika private” e shoqërisë civile, nëpërmjet rrjetit të organizimit dhe të influencës së saj kapilare, pothuajse në të gjitha sferat e jetës publike. Edhe në vendin tonë, që shoqëria civile është në hapat e parë të saj të konsolidimit strukturor, kur ende qytetarët nuk janë organizuar dhe lobuar në grupe të veçanta interesi, ndihet pothuaj në shumë fusha influenca, impakti dhe kontributi i “politikave private” të OJF-ve në shoqëri.

Në disa fusha si në arsim, shërbim social, shëndetësi, mbrojtje ligjore të të drejtave dhe lirive të njeriut, politika private, është bërë linjë e kristalizuar e shoqërisë civile dhe shprehje e forcës së saj. Shoqëria civile, ka një pavarësi relative nga politika funksionuese publike, por pa u shkëputur nga korniza ligjore kombëtare, po tenton të kristalizojë rrjetin e vet të institucioneve joqeveritare, në shërbim të qytetarit dhe të nevojave të tij. Tashmë ato kanë identitet të fortë personal, profesional dhe financiar. Rrjeti i OJF-ve, "togat e vogla" të shoqërisë civile, po zgjerohen çdo ditë në Shqipëri, duke u bërë një realitet i padyshimtë, ndikues në jetën publike, komplomentar dhe konkurrues me politikat institucionale publike. Ato kanë struktura, rrjet kombëtar dhe ndërkombëtar, financime polivalente nga strukturat publike dhe private, kapacitete profesionale konkurruese me strukturat publike, përvojë, aftësi, vullnet dhe sensibilitet qytetar të veçantë.

Organizatat jo fitimprurëse, funksionojnë mbi bazë të një kuadri të plotë ligjor, kanë statute, personel të kualifikuar. Padyshim, organizatat e shoqërisë civile, duke qenë pjesë e shoqërisë, respektojnë kuadrin e politikës shtetërore dhe legjitimitetin kushtetues të saj, por, ndërkaq, ato kanë politikat e tyre private, institucionale, principe të emancipuara profesionale, kombinime sui generis, të politikave të pagesës dhe vullnetarizmit, kërkesa dhe module të veçanta, të konceptimit tipologjik, profesional e qytetar, të ndikimit të tyre publik. Në një farë mënyre, mund të thuhet, se ky rrjet i fuqishëm organizatash private të shoqërisë civile, që çdo ditë do të vijë duke u zgjeruar, është duke u bërë një botë sociale me identitet të veçantë politik dhe publik, të cilët kanë politikat e tyre private.

Politika publike institucionale e shtetit dhe politikat private të institucioneve kapilare të shoqërisë civile nuk janë kurrë në konflikt, kur shoqëria është e ndërtuar dhe funksionon mbi principe demokratike.

Shoqëria civile është faktor ndihmues, plotësues dhe zbutës i barrës sociale të shtetit. Asnjë shtet nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat sociale të shoqërisë. As me institucione dhe as me financime. Politika e zgjidhjes së problemeve vetëm me institucione publike, me burim financiar të centralizuar (buxheti i shtetit) është politikë e dështuar. Historia botërore, por edhe e vendit tonë, kanë treguar se shteti, sado gjigand të duket në pamje të parë, është i pafuqishëm të përballojë, të zgjidhë vetë të gjithë problematikën dhe kërkesat e shoqërisë përmes politikës dhe institucioneve publike të tij. Këtë vështirësi të shtetit, historikisht të njohur edhe në Shqipëri, mund ta zvogëlojë veprimi energjik i shoqërisë civile. Me fjalë të tjera, aktualisht ne kemi nevojë të rikonceptojmë bashkekzistencën komplementare dhe të ndërtojmë funksionimin paralel të politikës publike të shtetit, të institucioneve të tij, të shërbimit social, të arsimit, shëndetësisë, ambientit, bujqësisë, në politikën private të organizatave jo fitimprurëse të shoqërisë civile, dhe rrjetin e tyre të gjerë dhe në ekspansion të shoqërisë civile, roli i të cilëve po vjen çdo ditë duke u zgjeruar.

Në fakt, komplementariteti i shtetit dhe shoqërisë civile, i institucioneve publike dhe institucioneve private, i politikave të tyre respektive, nuk mund t’i kundërvihen njëri-tjetrit. Në vend të konceptit konfrontues, është e domosdoshme të zhvillohet atmosfera e bashkëpunimit, bashkëjetesës pa xhelozi, duke shfrytëzuar epërsitë e njëra-tjetrës, kapacitetin e fuqishëm financiar e kapital të shtetit me aftësitë e zhdërvjelltësinë, vullnetarizmin dhe fleksibilitetin e njohur të strukturave të organizatave jo fitimprurëse. Kur flasim për politikë private të OJF-ve, si struktura të shoqërisë civile, nuk e kemi aspak fjalën për disa hallka të politikës publike, të cilat janë monopol dhe eksluzivitet i “politikës së madhe” që e bëjnë shteti dhe partitë politike, si politika e jashtme, e mbrojtjes, e rendit, a ndonjë tjetër, në të cilat ka pak hapësirë për intervenim të politikës private të shoqërisë civile.

Por tani është koha të mendojmë më thellë dhe me shumë përgjegjësi për disa detyra imperative që kemi përpara. Janë ndërmarrë shumë reforma dhe janë konceptuar shumë ligje, që synojnë demokratizimin e shoqërisë, nëpërmjet decentralizimit dhe dekoncentrizimit të kompetencave të qeverisjes së vendit, nëpërmjet rritjes së kompetencave të pushtetit vendor dhe të vetëverpimit të strukturave qytetare të shoqërisë civile. Politika e madhe publike deri tani e ka konceptuar këtë proces, e ka ndërtuar kuadrin ligjor të funksionimit, por procesi me gjithë dëshirën e qeverisë për t’u çliruar nga ca barra të tepërta e për t’i kaluar ato në përgjegjësi të pushtetit vendor dhe komunitetit, nuk ka ecur me ritmet ligjore të parashikuara, sidomos në fushën e decentralizimit. Sipas mendimit tim, handikapi i këtij procesi, buron nga fakti që ende shpresat e procesit decentralizues janë të mbështetura vetëm në realizimin e tij, me mjetet e krahut të politikës publike të shtetit, pa inkorporuar në këtë proces sa duhet dhe pa ndërtuar struktura private të shoqërisë civile, me të cilat do të realizohen objektivat komunitare të pushtetit vendor në arsim, shëndetësi, shërbim social etj.

Të mos na duket gjë e çuditshme, por është krejt reale që zgjidhja dhe përballimi i problemeve që preokupojmë komunitetin qytetar nuk mund të zgjidhen, në qoftë se loja e ping-pongut të përgjegjësive do të vazhdojë të zhvillohet në “fushën publike” të lojës politike midis hallkave të pushtetit qendror dhe atij vendor, vetëm në rafsh të politikës dhe përgjegjësive të pastra konceptuale, politike e organizative.

Politika publike e qeverisë së madhe dhe e pushtetit vendor, duhet të kuptojë, dreqi e mori se ku çalon procesi i decentralizimit, dhe pse zhvillohet dueli hezitues midis tyre. Në mes të hezitimit të qeverisë, për të lëshuar kompetenca, e përgjegjësi ekskluzive apo të deleguara dhe këmbënguljes së pushtetit vendor, për t’i marrë ato sa më shpejt dhe me çdo kusht, qëndron pikërisht mungesa e terrenit të strukturave territoriale, me të cilat do të realizohen këto detyra dhe përgjegjësi komunitare.

Politika publike, sidomos në rajonet e vendit, në bashki e komuna, duhet të jetë më afër, më e motivuar dhe më nxitëse për të ndërtuar rrjetin e institucioneve private, qytetarë të shoqërisë civile. Nuk ka mundësi pushteti vendor, sado financime të ketë nga buxheti i shtetit, të ardhurat e veta dhe donatorët eventualë, të ndërtojë rrjetin e nevojshëm institucional për të realizuar kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, sidomos në fushën e gjerë të cilësisë së jetës, pa siguruar ekzistencën, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin midis politikës publike e lokale, që realizon dhe llogarit nevojat e komunitetit, por që ka në juridiksion, me politikën private të rrjetit të organizatave jo fitimprurëse që funksionojnë në territorin e tij.

Planifikimi i nevojave territoriale dhe zgjidhja e tyre optimale, kërkon interferim sa më të plotë të politikës publike të pushtetit vendor, me politikat private të rrjetit jo publik të organizatave funksionuese të shoqërisë civile. Ky bashkëveprim, kjo bashkëjetesë e politikës publike dhe private pa sforcim, xhelozi e konflikt, është hapi i parë i madh në vazhdimin e procesit të ndërtimit të demokracisë, duke krijuar një aliazh të ri funksionues midis shtetit dhe shoqërisë civile, midis politikës së madhe dhe politikës së vogël, politikës publike e politikës private, institucioneve publike dhe “togave të vogla” të shoqërisë civile (OJF), midis funksionarit dhe nëpunësit publik dhe njeriut si qytetar. Për të realizuar këtë proces të vëshitrë të rikonceptimit social të shoqërisë, të mbështetur në bashkëjetesën e shtetit më shoqërinë civile, duhet që t’i kthejnë sytë jo si gjithnjë te politika e madhe e qeverisë, sipas konceptit tonë të vjetër të besimit të verbër në fuqinë tipologjike të shtetit totalitar, por në vënien në funksionim me prioritet të politikës së vogël private, të thjeshtë, qytetare, por me vlera të mëdha, impaktet e së cilës janë të padyshimtë. Ne nuk këmi pse, dhe as nuk jemi të dënuar të “shpikim rrotën”, të ndërtojmë modele të veçanta, duke qenë viktimë e “mitit të Sizifit”. Atë e kanë shpikur të tjerët, e kanë vënë në punë dhe i kanë parë hajrin. Në vend të saj, ne të fillojmë të ndërtojmë jetën si qytetarë, duke i larguar pak nga pak, mendjen dhe verbërinë tonë nga praktika e madhe…

Nuk është rastësi, që tani ka filluar të përdoret koncepti “qeveri private”. Në të vërtetë në mënyrë figurative, ky term është sinjifikativ për të treguar forcën e organizatave vullnetare, jo qeveritare e jo fitimprurëse të shoqërisë. Ato kanë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë forca dhe autoritet publik e profesional sa që kanë filluar të veprojnë krejt të pavarura prej “qeverisë publike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›