E Hënë, 2 Nëntor 2026

Memushi: Nano ka folur simbolikisht

17/03/2005  Reforma e Arsimit të lartë, njësohet me procesin e Bolonjës, që po zbatohet në të gjithë Evropën

Ministri jua hedh fajin universiteteve që nuk kanë hartuar kurrikulat

Ministri i Arsimit, Luan Memushi, ka akuzuar universitetet, që nuk kanë bërë gati kurrikulat mësimore, të cilat duhet të dorëzoheshin brenda këtij viti. Ndërkohë, ai i është përgjigjur dhe akuzave të Kryeministrit Fatos Nano. „Deklaratat e Kryeministrit Nano, duhet të merren në kuptimin simbolik të tyre“, deklaroi ministri i Arsimit, Luan Memushi, në konferencën kombëtare për reformën në arsimin e lartë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Evropës. Kryeministri Nano e ka akuzuar më 7 mars, në një vizitë në Universitetin Bujqësor, si ministri që nuk ndërmerr reforma, dhe se kjo ministri nga vet emri që ka MASH, duket si masha që nuk lëshon atë që ka. Reforma në Arsimin e lartë në Arsimin shqiptar është njësuar me Kartën e Bolonjës, që është procesi në të cilin po kalojnë të gjitha universitetet e Evropës.

Njësimi i dy reformave

“Njësimi i „Bolonjës“ me reformën në Arsim, Karta e Bolonjës e nënshkruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në vitin 2003, qëndron në themel të strategjisë kombëtare për arsimin 2005- 2015. Ajo synon në liberalizimin dhe modernizimin e arsimit të lartë në Shqipëri”, tha ministri Memushi. Por, shumë pedagogë mendojnë se Arsimi i Lartë dhe në përgjithësi arsimi, kërkon ndërmarrjen e një sërë reformave të tjera, për të rritur cilësinë e Universiteteve, para se sa të arrijmë te procesi i Bolonjës. Pikërisht, zbatimi i kësaj marrëveshjeje të nënshkruar synon që të ngrejë më lart arsimin e lartë në Shqipëri. Prandaj, edhe MASH gjatë nxjerrjes së udhëzimeve të saj respekton mjaft nga këto rregulla si futja e sistemit të krediteve apo edhe detyrimi i ndjekjes së leksioneve dhe përcaktimin e ngarkesës mësimore për stafin pedagogjik. Reformimi i arsimit të lartë do të shoqërohet me përcaktimin e standardeve dhe strukturave të reja të departamenteve në fakultetet shqiptare, gjë që do të kërkojnë edhe riorganizim dhe kualifikim të mëtejshëm të stafeve pedagogjike.

Ngarkesa mësimore e kontrolluar

Me standardet e reja në arsimin universitar, pritet të përfshihet dhe koncepti i ri për ngarkesën mësimore, që nënkupton shpërblimin e stafit pedagogjik sipas orëve fizike që do të japin në auditor, gjë që, do të kontrollojë më shumë shpërblimet e një pjese të stafit pedagogjik.

Vlerësimi në fakultet, me nota dhe kredite

Universitetet shqiptare, do të kenë dhe sistem kreditesh si të huajt.

Të lëvizësh nga një universitet në tjetrin

Sipas Kartës së Bolonjës, të gjitha universitetet duhet të kenë 70 për qind të kurrikulave të përbashkëta, në mënyrë që të quhen në të njëjtin nivel. Kjo do të siguroj lëvizjen e studentëve nga Universiteti i Tiranës në atë të Vlorës dhe anasjelltas, por dhe nga një i Tiranës në atë të Bolonjës, pa humbur asnjë provim. Vendosja e Sistemit të Krediteve, u krijon mundësi studentëve tanë që të transferohen në vite të ndërmjetme në universitete evropiane (sikurse mundëson edhe studentë të huaj për të ardhur në universitetin tonë). Lëvizja e studentëve është konsideruar nga Komuniteti Evropian si një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit ndëruniversitar.

Evropa, me sistem krediti 1-60

Në Evropë është pranuar sistemi i llogaritjes së pikëve të kreditit nga 1-60 pikë, çka nuk krijon vështirësi për transferimin e tyre nga një vend në tjetrin. Ndërsa për të shmangur mospërputhjet për notat lokale, është propozuar një përllogaritje e përbashkët, që ndërton një sistem të përbashkët notash: A,B,C etj. Në përdorimin e krediteve ECTS, të cilat tregojnë ngarkesën e plotë të punës së studentit për çdo lëndë, ku përfshihen leksionet, seminaret, konsultimet, studimi individual në bibliotekë ose në shtëpi, provimet dhe procedurat e tjera vlerësuese. Përcaktimi i Pikëve të Kreditit, duhet kuptuar jo vetëm si sistem që vlerëson sasinë e punës që bëjnë studentët e universitetit tonë, por njëkohësisht edhe si nxitje për përmirësime cilësore në disa hallka që kanë të bëjnë me formimin e tyre akademik. Gjithashtu, menaxhimi i procesit të realizimit të lëvizje të studentëve kërkon pa dyshim, edhe një strukturë të re pranë çdo fakulteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›