E Hënë, 2 Nëntor 2026

Transplanti i veshkës, ekipi i mjekëve për provën e parë

17/03/2005  Mjekët i kërkojnë Solisit sigurimin e pajisjeve. Ministri aprovon kërkesën. Nis puna për të bërë bilancin e mjeteve

Ekipi i parë i mjekëve, që do të kryejnë transplantin e veshkave, do të jenë Mustafa Xhani, Myftar Barbullushi dhe Edmond Kapedani. Ky ekip, së bashku me një reaminator, do të nisen më datën 20 mars për të marrë eksperiencë në një nga spitalet jashtë shteti. Zyrtarisht ky njoftim mjekëve do t’u jepet sot. Kjo vizitë do të zgjasë një javë. Por, mjekët që kanë marrë përsipër transplantin e veshkës i kanë bërë më parë një letër me disa kërkesa ministrit të Shëndetësisë, pa plotësuar ato kërkesa, ata nuk pranojnë të nisin punë. “Ne nuk i kemi bërë këto kërkesa tani, por që kur u hodh kjo ide. Kemi kërkuar që të vijnë pajisjet e duhura. Për këtë arsye do të shkojmë dhe jashtë. Do të shohim krejt organizimin e punës në një transplant, çfarë pajisjesh duhen, çfarë kemi ne dhe çfarë nuk kemi, në mënyrë që t’i sigurojmë”, thotë Myftar Barbullushi, mjek nefrolog, i pyetur nga gazeta “Metropol”. Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, ju ka premtuar që do të mundësoj blerjen e pajisjeve të nevojshme. Barbullushi shton se pas tyre do të shkojnë dhe mjekë të tjerë për të marrë përvojë, kirurgë, reaminatorë, imunologë etj.

Prova

Në fund të këtij viti do të mund të realizojmë transplantin, ka deklaruar drejtori i Kujdesit Shëndetësor, Gjergj Leka, dy javë më parë. Me të ardhurat e këtij instituti do të mundësohet dhe blerja e pajisjeve të duhura, dhe do të mbulohen gjithë shpenzimet e tjera. Ai ka shpjeguar se fillimisht do të aplikohet për pak persona. Kështu që kjo nuk do të kushtoj shumë. Mjekët janë shprehur kushedi se sa herë që ndihen të përgatitur për të aplikuar këtë metodë, problemi është në sigurimin e kushteve perfekte në pavionin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme

Si bëhet një transplant

Eshtë një operacion që zhvillohet paralelisht te dy njerëz dhe gjithçka duhet të zhvillohet në kohën e saktë dhe sterilizimi duhet të jetë perfekt. Në të njëjtën sallë, në dy krevatë paralel shtrihen dy persona, njërit që është dhuruesi i hiqet veshka, ndërsa tjetrit i vihet, por para kësaj duhet të bëhen analizat që vërtetojnë se veshka e dhuruesit i përashtatet trupit të tjetrit. Gjithçka duhet të ecë sahat.

Duke vdekur, në pritje të transplantit

Deri tani personat që kanë nevoj për transplant shkojnë jashtë shtetit, kryesisht në Turqi dhe Greqi. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka një marrëveshje me spitalet e Turqisë për të dërguar pacientë, për të cilët trajtimi është falas. Por, në bazë të kësaj marrëveshjeje vetëm 2 deri 3 transplante në vit pranojnë spitalet turke për të kryer. Ndërkohë që numri i atyre që presin radhën është disa herë më i lartë. Ka dhe pacientë që humbasin jetën, pasi nuk kanë mundësi të kryejnë transplantin në kohë. Të sëmurët nga insuficensa renale, paaftësia e veshkës për të thithur helmet në gjak pas një periudhë kohe i nënshtrohen procesit të hemodializës. Por, pas një farë kohe as ky lloj pastrimi mekanik i gjakut nuk ju bënë efekt, e vetmja mundësi mbijetese është transplanti i një veshke. Në spitalet e Turqisë, ku janë dhe çmimet më të lira, transplanti i veshkës kushton deri 40 mijë euro. Me dializë në Shqipëri vuajnë rreth 400 persona, por vetëm 58 prej tyre arrijnë të bëjnë hemodializën me kalimin e kohës këta persona kanë nevoj për transplant që të sigurojnë jetëgjatësinë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›