E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eksplozivi te “Don Bosko”, dyshohet “banda e Lushnjës”

17/03/2005  “Objekt” një familje e dëmtuar nga ky grup. Viktima nga qyteti i të ndaluarve

Zbulohet operativisht objekti i dyshuar i atentatit te “Don Bosko”, ku pas shpërthimit të një sasie tritoli mbeti i vdekur vetë autori, i cili ende nuk është identifikuar. Ndalohen tre persona nga Lushnja, të dyshuar se kanë dijeni për fakte dhe rrethana të ngjarjes së ndodhur dhe autorit të saj, të cilët mendohet se nuk e tregojnë qëllimisht të vërtetën. Prokuroria dyshon se viktima e mëngjesit të së shtunës së dy javëve më parë, është me origjinë nga rrethi i Lushnjës, nga mendohet të jenë edhe personat që kanë qenë objektiv i atentatit. Ata banojnë në një hyrje pranë asaj që ndodhi shpërthimi. Dyshohet se në këtë atentat të mbetur në tentativë ka dorë “banda e Lushnjës”, që ka dashur të godasë një familje, të cilën e kanë dëmtuar edhe kohë më parë.

Të ndaluarit

Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, policia e kryeqytetit në bashkëpunim me atë të Komisariatit të Lushnjës, kanë ndaluar tre persona të dyshuar se kanë dijeni mbi shkaqet e shpërthimit të eksplozivit të shtunën e dy javëve më parë, si edhe mbi identitetin e viktimës. Lajmi është bërë i ditur dje gjatë një konference për shtyp nga drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Albert Dervishi. Ai tha se nga forcat e Kimisariatit nr.3 të kryeqytetit u ndaluan tri vetë, në lidhje me shpërthimin e një sasie lënde eksplozive në një pallat në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, ku mbeti i vdekur një person i seksit mashkull, ende i paidentifikuar. Mario Hasani, 25 vjeç, nga Lushnja dhe Elvis Pethi, 18 vjeç, e Ardian Llapushi, 27 vjeç, që të dy banues në fshatin Dushk të rrethit të Lushnjës, janë ndaluar gjatë orëve të para të natës së djeshme në banesat e tyre. Dervishi pohoi dje për mediat se, personat e lartpërmendur dyshohen se kanë dijeni për fakte e rrethana të ngjarjes së ndodhur si dhe të autorit të saj. Por qëndrimi i mbajtur dhe veprimet e kryera prej tyre, pengojnë zbulimin e të vërtetës që ata e bëjnë qëllimisht, theksoi Dervishi. Veprat penale të mësipërme parashikohen nga nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal.

Hetimi

Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë që hetuan këtë ngjarje, dyshohet se objekt i atentatit mund të ketë qenë një familje lushnjare, e cila banon aty afër dhe ka qenë e dëmtuar më parë nga “banda e Lushnjës”. Sipas burimeve, nga verifikimi që i është bërë kartës së celularit të gjetur në vendngjarje, që mendohet se i përket viktimës rreth të 40-ave, ka rezultuar se ai ka kryer dhe ka marrë thirrje nga numrat celularë të tre personave të ndaluar ditët e fundit para shpërthimit. Mësohet se nga verifikimet e kryera nga kompania celulare, rezulton se nuk është se ka pasur vetëm thirrje telefonike, por ata kanë biseduar në mënyrë reciproke me njëri-tjetrin. Nga këto rezultate të verifikimit të tabulateve telefonike është konkluduar se, tre të ndaluarit kanë pasur njohje me viktimën ende të paidentifikuar dhe se kanë dijeni mbi motivin e ngjarjes. Ndërsa, qëllimisht nuk kanë denoncuar në polici identitetin e tij për të fshehur motivet, sqarojnë burimet. Ato shtojnë se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe të verifikimeve paraprake, dyshohet se edhe viktima mund të jetë nga Lushnja, por se ende nuk është konkluduar zyrtarisht. Burimet pohojnë se nga verifikimet paraprake dyshohet se viktima mund të ketë qenë pjesëtar i “bandës së Lushnjës”, apo të paktën të ketë qenë vegël e përdorur prej tyre. Gjithashtu dyshohet se objekt i atentatit ka qenë një familje lushnjare me banim pranë shkallës ku ndodhi shpërthimi, e cila ka pasur konflikte të vjetra me “bandën e Lushnjës”. Por burimet theksojnë se ende nuk ka një konkluzion zyrtar mbi këtë ngjarje dhe pritet që së shpejti të identifikohet viktima. Një person i seksit mashkull, rreth 40 vjeç, u masakrua afro dy javë më parë në një pallat në rrugën “Don Bosko”, si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi, që mendohet se ai e mbante vetë. Sipas Prokurorisë, dyshohet që eksplozivi të ketë shpërthyer si pasojë e një thirrje aksidentale në numrin e telefonit celular, që ishte montuar në eksploziv për të mundësuar aktivizimin. Tre të ndaluarit mohojnë akuzat

Tre personat e ndaluar në bazë të dyshimeve se kanë dijeni mbi shpërthimin e eksplozivit te “Don Bosko” si dhe mbi personin që humbi jetën aty, nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre. Nga burime të policisë mësohet se gjatë marrjes në pyetje, ata nuk kanë pranuar se kishin dijeni mbi ngjarjen. Gjithashtu, ata kanë mohuar të njihnin numrin e telefonit të kartës së viktimës që u gjet në vendngjarje, me të cilin kishin kryer disa herë biseda reciproke. Aq më tepër ata kanë mohuar të kishin dijeni mbi identitetin e personit, i cili u shkrumbua si pasojë e shpërthimit të eksplozivit. Por, Prokuroria dhe policia nga ana e saj ka ngritur dyshimet se, tre të ndaluarit mohojnë qëllimisht njohjen e numrit celular në fjalë dhe të identitetit të viktimës. Kjo, pasi ata i druhen zbardhjes së motivit të kësaj ngjarje, thonë burimet.

Gati identikiti i viktimës së eksplozivit

Burime zyrtare të policisë kryeqytetase thanë dje për gazetën “Metropol” se, këto ditë do të publikohet një identikit i viktimës. Kjo me qëllim që, qytetarët të cilët do të shikojnë aty përafërsi fizike të ndonjë personi që rezulton i zhdukur prej afro dy javësh, të denoncojnë në polici identitetin e tij. Burimet sqarojnë se ekzistojnë edhe fotografi të viktimës, por fytyra e tij është thuajse e shkrumbuar dhe nuk mund të njihet. Gjithashtu ajo është thuajse e papranueshme për publikim, për shkak të etikës qytetare, pasi është mjaft e ç’përfytyruar, përfundojnë burimet.

Të ndaluarit

•Elvis Pethi, 18 vjeç, banues në Dushk të Lushnjës

•Ardian Llapushi, 27 vjeç, banues në Dushk të Lushnjës

•Mario Hasani, 25 vjeç, banues në Lushnjë

Historia e vrasjeve të bandës së "Aldo Bares", sipas akuzës

Vrasjet nisën vite më parë, në nëntor të vitit 1998. Shkak ka qenë një grindje mes viktimës Besnik Haxhiu dhe pjesëtarit të grupit të Aldo Bares, Gentian Xhaferri, edhe ky i plagosur e vdekur në vitin 1999, në Itali. Në datën e mësipërme, Besnik Haxhiu dhe Artan Sulçe, sipas akuzës, ishin duke lëvizur me automjetin tip fuoristradë nga qendra në drejtim të fabrikës së plastmasit, Lushnjë. Ndërkohë, Gentian Xhaferri së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, i kishin zënë pritë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 68 gëzhoja të qitura, këto nga 5 armë të ndryshme. Mësohet se vrasja është bërë për hakmarrje. Më pas ka qenë tetori i vitit 1999, ai që ka hapur "luftën" midis grupit dhe policisë së komisariatit të Lushnjës. Policia kishte marrë urdhër të godiste me çdo kusht veprimtarinë e grupit. Pikërisht në këto momente ka filluar hakmarrja. Në datën 25 shkurt të vitit 2000, te "Blerimi" në Lushnjë, është goditur shefi i komisariatit, Sinan Meta. Por goditja nuk ishte vdekjeprurëse. Pak kohë më vonë, oficerit të policisë, Arben Koçi, i vihet eksploziv në banesën e tij, por pa pasoja. Ndërkaq nga kokat e grupit bëheshin plane të mëtejshme. Kështu, në datën 25 mars 2000, në hyrje të stadiumit në Lushnjë vihen 5 kg eksploziv. 4 kg kanë qenë jashtë pakos dhe 1 kg brenda pakos. Të dyja sasitë kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ishin gati të shpërthenin me telekomandë. Këtë sasi eksplozivi e kishte pregatitur në mënyrë të specializuar shtetasi Riza Balla, i cili kishte punuar në ushtri. Eksplozivi ishte i destinuar të shpërthente në momentin që në stadium do të hynte shefi i komisariatit, Sinan Meta. Pakoja me eksploziv ishte vendosur me porosi të të pandehurit Maksim Çela. Eksperti në pako gjeti një gjurmë gishti, e cila i përkiste fillimisht Maksim Çelës, por më pas, Gjykata e Elbasanit e pushoi çështjen me pretendimin se gjurma e gishtit nuk ishte e Çelës. Vetëm në 2003-shin u bë krahasimi dhe një akt tjetër ekspertimi, që nxori fajtor shtetasin Petrit Liçi. Në 14 prill 2000, në lagjen "Xhevdet Neprevishta" në Lushnjë, vritet oficeri i policisë gjyqësore, Klenti Bano. Sipas akuzës, Bano nën drejtimin e shefit Sinan Meta kishte hartuar një plan për asgjësimin e bandës së Aldo Bares. Por plani mbeti në mes. Në vrasjen e Banos, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë edhe Gentian Kulla, pjesëtar i grupit, vrarë në vitin 2002.

Të pandehurit

Vila

Dritan Vila, i dënuar edhe më parë për krimin e vrasjes, akuzohet se në datën 13 nëntor 1998, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë shtetasit Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe. Në datën 14 prill 2000, Dritan Vila ka vrarë oficerin e policisë gjyqësore, Klenti Bano. Në 19 prill 2001, akuzohet se ka vrarë shtetasin Nosh Gjelaj. Në datën 16 prill 2002, tentoi të vrasë shtetasin Bernard Gjini. Në datën 23 prill 2002, akuzohet se ka vrarë Alfred Pirrën.

Liçi

Petrit Liçi, i dënuar më parë, akuzohet se ka vrarë në bashkëpunim me Dritan Vilën e të tjerë, Bledar Haxhiun dhe Artan Sulçen, në datën 23 nëntor 1998. Ndërkohë akuza e dytë e tij, të cilën edhe e ka pranuar se ka qenë ndihmës, është ajo e vënies së bombës në stadiumin e Lushnjës, në datën 25 mars 2000. Në datën 27 mars 2003, në bashkëpunim me Erjon Cicin, tentuan të vrasin shtetasin Bardhyl Kurti.

Çela

Maksin Çela, i dënuar më parë. Akuzohet se në 14 prill 2000, në bashkëpunim ka vrarë Klenti Banon.

Dondollaku

Enver Dondollaku, i dënuar më parë për vrasje. Në 14 prill 2000, akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë Klenti Banon, oficer i policisë gjyqësore Lushnjë.

Leonard Prifti, i dënuar më parë për vrasje. Akuzohet se ka vrarë në 14 prill 2000, Klenti Banon.

Cici

Erjon Cici, i dënuar më parë për vrasje, akuzohet se në datën 27 mars 2003, ka tentuar të vrasë shtetasin Bardhyl Kurti.

Kashari

Erjon Kashari, i padënuar më parë. Akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë shtetasit Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe, në datë 23 nëntor 1998.

Mermali

Elton Mermali, akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë Bledar Haxhiun dhe Artan Sulçen, në 23 nëntor 1998.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›