Britaniku i Mbrojtjes viziton Shqipërinë
17/03/2005 Ivor Caplin, zëvendëssekretari i Shtetit i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, vizitoi Shqipërinë në datat 15 dhe 16 mars, si pjesë e një vizite më të gjerë në rajon. Caplin u takua me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pandeli Majko, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Luan Hajdaraga dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Lejtnant Gjeneral Pëllumb Qazimi, për të diskutuar përparimin e Shqipërisë drejt qëllimit të përbashkët të një anëtarësimi të mundshëm në NATO, kontributin e Shqipërisë drejt një stabiliteti më të gjerë në rajon, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. Caplin vizitoi gjithashtu dhe Memorialin e Luftës së Britanisë dhe Commonwealth-it në Parkun Kombëtar të Tiranës, për të nderuar ushtarët që humbën jetën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.