Autonomia në lëvizje, izolohen brenda katër mureve të shtëpisë 4 mijë të verbër
Mungesa e kushteve të përshtatshme të lëvizjes për të verbrit ka bërë që 4 mijë prej tyre t’i kalojnë ditët të “kyçur” brenda katër mureve të shtëpisë. Kështu, përveç fatkeqësisë që i rëndon çdo ditë jetës së tyre, kjo kategori njerëzish në vendin tonë është e detyruar që të jetojë e izoluar. Shifra tronditëse për të verbrit e “burgosur” në shtëpi bëhet e ditur nga kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj. Sipas këtij të fundit, 4 mijë prej 10 500 të verbërve në Shqipëri janë me nivel zero të shikimit. Shoqata që mbron të drejtat e tyre deklaron se problemet kryesore me të cilat hasen të verbrit në Shqipëri janë autonomia në lëvizje dhe aksesi për informacion. Për këto arsye, Tafaj shpjegon se pa informacion dhe pa lëvizje ata janë të detyruar të mbetën brenda katër mureve. “Kanë probleme të mëdha në edukimin dhe në punësimin e tyre. Për pasojë, ata janë të përjashtuar nga shoqëria. Janë të veçuar. Ky është problem i madh, i pari dhe i fundit që kanë njerëzit e verbër”,- shpjegon Tafaj. Sipas tij, nga kjo rrjedhin dhe probleme të tjera sociale, ekonomike e kulturore të tyre.
26 Mars 2010