Skamja, zbardhet harta e varfërisë nw vend, zonat më të prekura
Jonida Tashi
Varfëria është “ulur” këmbëkryq në familjet shqiptare nga jugu deri në veri të vendit. Papunësia dhe mungesa e mundësive ekonomike i kanë çuar në skamje me mijëra familje shqiptare, të cilat “luftojnë” çdo ditë me varfërinë ekstreme. Këtë fakt e vërtetojnë të dhënat e Shërbimit Social Shtetëror, të cilët kanë zbardhur dje zonat e vendit, në të cilat familjet jetojnë në varfëri ekstreme. Më konkretisht bëhet fjalë për zonën e Shkodrës, Dibrës, Kukësit, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës. Por pas këtyre zonave nuk ngelet mbrapa as kryeqyteti, për shkak se vitet e fundit, pjesë e tij janë bërë edhe shumë familje të ardhura nga rrethe të ndryshme të vendit, me shpresën se këtu do të mund të siguronin një jetë më të mirë, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka rezultuar kështu.
Harta
Në zonat veriore dhe verilindore të vendit, niveli ekonomik është nën minimumin jetik dhe këtë e pohojnë vetë institucionet shtetërore. Grupi i punës, që është ngritur në Ministrinë e Punës, i drejtuar nga zëvendësministri i këtij dikasteri, Kastriot Sulka, ka tashmë gati të dhënat mbi zonat të cilat raportojnë varfëri ekstreme. Një nga anëtarët e këtij grupi, që është njëkohësisht dhe nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, ka deklaruar dje se familjet që jetojnë në varfëri ekstreme i përkasin zonës së Shkodrës, Dibrës, Kukësit, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës. “Grumbullimi i të dhënave është bërë i mundur në bashkëpunim me institucionet që disponojnë statistika të tilla dhe nga vëzhgimet e inspektorëve tanë në terren. Gjithashtu kemi bashkëpunuar me njësitë vendore dhe kryepleqtë e çdo fshati për të pasur shifra të sakta të numrit të familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme. Duhet të theksoj se të dhënat që disponojmë janë paraprake pasi vazhdon puna për përpunimin e tyre si dhe grumbullimin nga terreni”,- u shpreh Strazimiri. Të gjitha këto të dhëna do të shërbejnë për krijimin e hartës së varfërisë, sipas një urdhri që kryeministri i vendit, Sali Berisha i ka dhënë Ministrisë së Punës.
Familjet
Përcaktimi i numrit të familjeve më të varfra në vend do të shënojë dhe hapin e fundit të punës për hartën e varfërisë. Kjo hartë do t’i japë mundësi institucioneve të Shërbimit Social në vend që të ndërhyjnë për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve me një paketë ushqimore çdo muaj në formë tolloni. Sipas Ministrisë së Punës, kjo ndihmë do të lehtësojë sadopak nivelin ekonomik të tyre. Përsa i përket zonave me varfëri më të madhe, evidentohet se të tilla janë pikërisht ato që kanë numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike. Nga të dhënat e Shërbimit Social Shtetëror, duket se harta e varfërisë shtrihet nga jugu deri në veri, duke përfshirë edhe Shqipërinë e Mesme. Konkretisht qarqet që kanë dhe numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, janë qarku i Shkodrës, i cili trajton me skemën e ndihmës ekonomike rreth 16000 familje, Dibra rreth 12875 familje, Elbasani rreth 12065 familje, Kukësi rreth 11030 familje, Tirana rreth 10000 familje, Korça rreth 9358 familje dhe Lezha rreth 7855 familje.
Zonat më të varfra
16000 familje në Shkodër trajtohen me ndihmë ekonomike
12875 familje në Dibër trajtohen me ndihmë ekonomike
12065 familje në Elbasan trajtohen me ndihmë ekonomike
11030 familje në Kukës trajtohen me ndihmë ekonomike
10000 familje në Tiranë trajtohen me ndihmë ekonomike
9358 familje në Korçë trajtohen me ndihmë ekonomike
7855 familje në Lezhë trajtohen me ndihmë ekonomike
Reforma në spitale
Ilir Dashi: “Ditët e qëndrimit në spital do të kenë kosto hotelerike”
Pacientët do t’i paguajnë ditët e qëndrimit në spitalin “Nënë Tereza” njëlloj sikur të ishin në hotel, me lekë për çdo orë. Kështu ka deklaruar dje drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ilir Dashi, gjatë vizitës së punës që deputetët e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë kanë kryer dje në këtë institucion shëndetësor. Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e këtij institucioni dhe shefat e pavijoneve deputetët kanë kërkuar mendime dhe propozime që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka pohuar se prioritet mbetet zbatimi i Sistemit të Referimit, por edhe hartimi i protokolleve të mjekimit dhe kostove të shërbimeve. “Ajo që ne duam të bëjmë është përfundimi i protokolleve të mjekimit gjatë këtij viti dhe më pas nxjerrja e kostove të shërbimeve, deri në koston hotelerike për ditë qëndrimi në spital. Por një tjetër pikë e që ne po punojmë është përmirësimin e situatës në çdo pavijon, duke filluar nga kushtet e deri tek furnizimi me barna”,- ka theksuar Ilir Dashi. Ndërkohë që shefat e pavijoneve kanë diskutuar për problematikat dhe ndryshimet që duhet të bëhen në ligj. Sipas Mihal Tases, shef Shërbimi tek Sëmundjet interne, rëndësi ka zgjerimi skemës së sigurimeve shëndetësore. Ndërsa shefi i Shërbimit të Kardiologjisë, Artan Goda, ka propozuar që investimet në sektorin shëndetësor të shkojnë aty ku janë edhe pikat më të nxehta të tij.
Liberalizimi i licencave
Taksistët në protestë: Apel shtetit të ndalë informalitetin
Taksistët e licencuar në kryeqytet kanë protestuar dje kundër liberalizimit të licencave dhe informalitetit në shërbimin taksi. Dhjetëra taksi të licencuara të njohura ndryshe si “taksitë e verdha” kanë nisur protestën e tyre të radhës nga sheshi “Nënë Tereza”, për të kaluar më pas në bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit” e për t’u ndalur në sheshin “Skënderbej”. Të mbledhur para Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve, drejtuesit e taksive u kanë kërkuar këtyre dy institucioneve të frenojnë konkurrencën e pandershme në kryeqytet e cila po i çon ata drejt falimentimit. Dy kërkesat e taksistëve janë frenimi i liberalizimit pa kufi të licencave, për të cilën ata i kërkojnë Ministrisë së Transporteve që të vendosë kritere të forta. Kërkesa e dytë që i drejtohet Bashkisë së Tiranës, institucion ku ata paguajmë taksat është se ajo duhet t’u përgjigjet taksistëve për shërbimin taksi që ofrojnë, duke u siguruar vende parkimi. Sipas një vendimi të Ministrisë së Transporteve, taksitë e licencuara janë pajisur me taksimetrin, në bazë të të cilit qytetari paguan për shërbimin e kërkuar. Sipas drejtuesve të taksive, kjo ka shtuar detyrimet e tyre ndaj shtetit, ndërsa ky i fundit nuk po bën asgjë për ta.
26 Mars 2010