I penduari Adriatik Coli: “Në paraburgim kam takuar disa herë Agron Kuliqin”
Seanca e radhës për procesin e bandës së Durrësit ka vijuar dje disa orë me radhë. Objekt i gjithë seancës ka qenë i penduari Adriatik Coli, i cili ka qenë sërish nën presionin e pyetjeve të avokatëve të të pandehurve të tjerë. Procesi zhvillohet me dyer të mbyllura, por burime që ishin në sallë pohuan se Coli, midis të tjerave, ka përmendur për herë të parë emrin e një prej zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliqin. Emri i këtij të fundit ka dalë teksa Coli është pyetur konkretisht nga një prej avokatëve. Por kur është pyetur për arsyen e takimit, mësohet se ka pasur ndërhyrje nga prokurorët duke kërkuar ndryshimin e pyetjeve. Më pas pyetjet e avokatëve janë fokusuar te mënyra se si Coli ka ardhur në Shqipëri dhe kushtet që i janë vënë atij për të nënshkruar marrëveshjen për të bashkëpunuar me Drejtësinë shqiptare. Coli ka sqaruar për herë të fundit se në Shqipëri ka ardhur nga Kosova dhe është shoqëruar nga Policia kosovare. Ndërsa marrëveshjen e ka nënshkruar pasi është vënë në dijeni për kushtet që kishte. Coli ka më shumë se pesë seanca që u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësve të të pandehurve të këtij procesi. Me vendim të kolegjit penal, këto seanca po zhvillohen me dyer të mbyllura. Coli edhe në dëshmitë e mëparshme ka hedhur dritë për vrasje, konfliktet mes bandave për interesa që përkthehen në miliona dollarë, të cilat kishin ndodhur në zemër të Durrësit. Coli ka dëshmuar për miqësinë me Lulzim Berishën, për personat që urdhëronin atentatet, vrasjet dhe drejtonin trafiqet e lëndëve narkotike. Ai ka sqaruar arsyet që detyruan ndarjen e bandës mes Lulzim Berishës dhe Indrit Dokles dhe vënia e një çmimi marramendës për kokën e secilit prej tyre. I penduari i Drejtësisë, Adriatik Coli, u ka vënë autorët për secilën vrasje pa autorë që kanë ndodhur nga viti 1998 e deri para dy vitesh, kur dhe u arrestuan. Mësohet se Coli ka përmendur edhe emra personash, të cilët nuk janë të pandehur në këtë dosje, të dhëna të cilat për Prokurorinë konsiderohen si të dhëna sekrete që do të ndikojnë në zgjerimin e kësaj dosjeje.
Policia, 3 arrestime për vjedhje në kryeqytet
Policia e kryeqytetit arrestoi autorin e grabitjes së një kilogrami bizhuterish në një dyqan në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 20 mars 2010 në orën 04:00, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”.
Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se për veprën penale të vjedhjes, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë u ndalua shtetasi Vitri Perzhita, 30 vjeç, banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare mësohet se ky person, më datë datë 20.03.2010, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”, dyshohet se ka vjedhur dyqanin në pronësi të një shtetaseje ku ka marrë rreth 1 kg bizhuteri serm dhe rreth 50 copë ora. Drejtoria e Policisë së kryeqytetit tha se për veprën penale të vjedhjes dje në mesditë nga Komisariati i Policisë Nr. 1 Tiranë u arrestuan në flagrancë edhe shtetasit: Altin Zefit Mici, 28 vjeç, banues në Shkodër, Ndue Gjin Ndresha, 22 vjeç, banues në Shkodër. “Këta shtetas dyshohen se dje, në fshatin Stermas të komunës Petrelë, dyshohen të kenë realizuar vjedhjen e një dyqani market ushqimor në pronësi të një shtetasi, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme steka paketash”, - thuhet në njoftimin e Policisë.
26 Mars 2010