E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autopsia e Trebickës me 4 kamera vëzhgimi

 

Trazhgim Sokolaj

Autopsia për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes së biznesmenit shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka, është zhvilluar në mbikëqyrjen e rreptë të kamerave të vëzhgimit që kanë fiksuar çdo veprim të mjekëve ligjorë.Në ambientet e morgut të spitalit rajonal të Korçës, aty ku mjekët kanë verifikuar kufomën e 52-vjeçarit Kosta Trebicka, me autorizim nga Prokuroria, janë instaluar kamera vëzhgimi në mënyrë që gjithçka të jetë e verifikueshme në çdo kohë. Është ende e paqartë nëse mjekët që kanë kryer autopsinë, kanë qenë në dijeni se veprimet e tyre po vëzhgoheshin. Burimet hetimore thanë se kamerat janë vendosur në katër këndet e dhomës së morgut, para se aty të mbërrinte grupi i ekspertëve mjeko-ligjorë që mori pjesë në autopsi. Me kërkesë nga Policia Kriminale, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë ka nisur në drejtim të Korçës një grup prej dy specialistësh nga më të mirët në Shqipëri, për ekzaminime të tilla. Ata fillimisht kanë marrë pjesë në këqyrjen e vendit të ngjarjes në Lekas, ku kanë hartuar raportet shkencore për pozicionin në të cilin është gjetur kufoma e Kosta Trebickës dhe kanë marrë pjesë në veprime të tjera procedurale të autorizuara nga Prokuroria e Korçës. Më pas, ekspertët mjeko-ligjorë janë nisur në drejtim të morgut të spitalit rajonal për të zhvilluar autopsinë. Në ndihmë të tyre është thirrur edhe eksperti mjeko-ligjor i Gjykatës së Apelit Korçë dhe ai i Pogradecit. Ata kanë verifikuar gjithë shenjat dhe dëmtimet e brendshme e të jashtme në kufomën e Kosta Trebickës dhe më pas kanë dalë me një përfundim.
Autopsia: Aksident
Grupi i mjekëve nga Tirana së bashku me specialistët e Korçës dhe Pogradecit ka filluar veprimet për autopsinë e Kosta Trebickës, mbrëmjen e 12 shtatorit 2008, në orën 22:00. Ekspertimi është kryer në ambientet e morgut të spitalit rajonal të Korçës, në një dhomë e cila ishte pajisur me kamera vëzhgimi në katër këndet e saj. Objekti i kamerave të vëzhgimit ka qenë pikërisht tavolina prej betoni e morgut, në të cilën ishte vendosur kufoma e Kosta Trebickës. Mjekët kanë kryer verifikimet e shenjave dhe dëmtimeve që kanë sjellë vdekjen e biznesmenit shqiptaro-amerikan, ndërsa çdo veprim i tyre është fiksuar nga kamerat në katër plane të ndryshme. Mjekët ligjorë kanë marrë mostrat kimike të nevojshme për të analizuar gjakun e viktimës dhe ushqimet e konsumuara nga 52-vjeçari para se të gjente vdekjen. Autopsia ka përfunduar rreth orës 00:03, kur mjekët kanë hedhur në letër gjithçka kishin konstatuar, duke u shprehur se shkak i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë politrauma e shoqëruar me kontezion (shembje) të kokës dhe gjoksit shoqëruar me dëmtime të organeve përkatëse në këto dy pjesë të trupit, karakteristike për traumat automobilistike. Gjatë gjithë veprimeve të autopsisë, përveç kamerave të vëzhgimit, veprimet e mjekëve janë ndjekur nga afër prej motrës së gruas së Kosta Trebickës. Kunata e biznesmenit shqiptaro-amerikan, studente e vitit të 5-të të Mjekësisë, nuk ka shfaqur asnjë pretendim lidhur me verifikimet dhe konkluzionin e mjekëve. Imazhet e fiksuara nga kamerat e vëzhgimit gjatë autopsisë së Kosta Trebickës janë administruar në dosje nga Prokuroria e Korçës me procesverbalin përkatës.

Policia: Hetuam edhe vrasjen, doli aksident. Prokuroria pa version zyrtar

TIRANE – Dëshmitari i parë që gjeti kufomën e Kosta Trebickës pas ngjarjes ende të paqartë të ndodhur me biznesmenin shqiptaro-amerikan, është pyetur për më se dy orë në policinë e Korçës, me qëllim zbulimin nëse kishte ushtruar dhunë apo kishte kryer veprime që kanë sjellë vdekjen e 52-vjeçarit. Kjo ka ndodhur në momentet e para të hetimit, kur policia nuk kishte në duar rezultatet e autopsisë dhe gjërat ishin ende të paqarta për atë që kishte ndodhur. Burimet policore konfirmojnë gjithsesi se kanë hetuar edhe mundësinë e vrasjes së biznesmenit, por me avancimin e hetimeve provat për këtë pistë kanë ardhur duke u zbehur, derisa vendin e pistës së vrasjes e ka zënë ajo e një aksidenti të komplikuar. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përmes zëdhënësit të saj, por edhe Ministria e Brendshme, deklaruan një ditë pas ngjarjes se Kosta Trebicka kishte gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti. Më shumë se në gjithçka tjetër, kjo pistë e deklaruar nga autoritetet qendrore të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, duket se u bazua në rezultatet e autopsisë së mjekëve ligjorë, të cilët u shprehën se dëmtimet që i morën jetën shqiptaro-amerikanit Trebicka, kishin karakteristika të një traume automobilistike. Megjithatë Prokuroria e Korçës ende nuk ka bërë një klasifikim për veprën penale mbi të cilën do të hetohet ngjarja. As prokuroria lokale dhe as organi qendror i akuzës nuk kanë bërë deklarata mbi pistën e hetimit, apo rezultatet e arritura deri më tani. Burimet zyrtare thanë se mbi 50 akte ekspertimi për ngjarjen janë dërguar në Prokurori.

Përcillet Trebicka,motra: Aksidenti i mori jetën Kostës

"Kosta nuk është më mes nesh. Një aksident e ndau atë nga jeta, familja, miqtë e shoqëria".

Rolanda Dhimitri, motra e madhe e Kosta Trebickës pohoi gjatë fjalës së lamtumirës në varreza se vëllai i saj kishte humbur jetën në një aksident. Në fakt familjarët e Trebickës, prej tri ditësh janë treguar të rezervuar përsa i përket deklaratave publike për vdekjen e biznesmenit. Ndërsa mediat kanë hedhur, versione nga më të ndryshmet, duke filluar që nga vrasja e Trebickës në cilësinë e dëshmitarit kryesor të "Gërdecit", e deri tek aksidenti i shkaktuar nga batimi i mjetit me të cilin ai lëvizte. Por ndryshe nga kjo motra e madhe e Trebickës, personi që mbajti fjalën e lamtumirës në varreza, pohoi se vëllai i saj kishte humbur jetën në një aksident. Kjo bën që familjarët e të ndjerit të jenë dakord me versionin që kanë dhënë zyrtarisht organet shtetërore për vdekjen e Trebickës, të cilën e kanë cilësuar aksidentale. Ndërkohë, edhe dje miqtë dhe shokët e biznesmenit që ndodheshin në kortezhin që përcolli në banesën e fundit trupin e pajetë pohuan se, vdekja e tij mbetej ende enigmë. Duke qenë se një pjesë e mirë e tyre njiheshin prej vitesh me Trebickën, ndërsa kishin edhe informacione për faktin se ai ndihej i kërcënuar për shkak të dëshmive që kishte dhënë për Gërdecin, i qëndronin mendimit se vdekja e 50-vjeçarit nuk mund të ishte aksident.
Ceremonia
Ceremonia mortore, e të ndjerit Trebicka u zhvillua për dy ditë në shtëpinë e tij në rrugën "Vëllezërit Kondi". Të premten pasdite, menjëherë pas marrjes së lajmit për vdekjen e tij bashkëshortja Brunilda, udhëtoi drejt qytetit të Korçës. Në banesë mbetën vetëm fqinjët dhe disa të afërm të familjes, të cilët kishin mbërritur pas lajmit të vdekjes së biznesmenit. Deri mbrëmjen e së shtunës ishte e pamundur sjellja e trupit të pajetë në Tiranë, pasi ekipi hetimor kreu autopsinë në spitalin e Korçës për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës trupi i Trebickës mbërriti në banesën e familjes në Tiranë, ndërsa ato momente u njoftua se varrimi i tij do të bëhej në orën 15:00 të së dielës në varrezat e Tufinës. Gjatë kësaj kohe në banesën e familjes Trebicka shkuan për ngushëllime mjaft politikanë, të afërm dhe të njohur të biznesmenit.
Varrimi
Arkivoli me trupin e pajetë të tij u nxor nga banesa rreth orës 15:00 të pasdites së djeshme. Kortezhi me makina të shumta lëvizi drejt varrezave të Tufinës, në të njëjtin vend ku ishin varrosur më parë dy prindërit e Kostës, Jorgji dhe Pandora Trebicka, ndërsa krah varrit të tyre ndodhej një vend bosh, në të cilin u vendos arkivoli i biznesmenit të vdekur. Po kështu, mesditën e djeshme në banesën e biznesmenit shkuan për ngushëllim mjaft politikanë, si kreu socialist Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Këta, pasi i shprehën ngushëllimet familjes u larguan sërish, ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta dhe Erion Veliaj qëndruan më pas për të shoqëruar deri në banesën e fundit, në varrezat e Tufinës, trupin e pajetë të biznesmenit Trebicka. 50-vjeçari, Trebicka i konsideruar si dëshmitari kryesor i trafikut të armatimit shqiptar në Afganistan, humbi jetën mesditën e së premtes në fshatin Lekas, pranë Voskopojës në Korçë. Zyrtarisht autoritet shtetërore pohojnë se mjeti me të cilin ai udhëtonte është batuar duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në pjesën e prapme të kokës. Kurse mediat, të cilat citojnë të afërm dhe miq të Trebickës i mëshojnë mendimit se vdekja e të ndjerit nuk mund të jetë aksidentale. Kjo për faktin se megjithëse janë kryer veprimet hetimore nga një ekip i specializuar ende kanë mbetur shumë enigma nga kjo vdekje.

Vajza mbërriti nga SHBA

Vajza 18-vjeçare e Kosta Trebickës kishte udhëtuar nga SHBA ku jetonte bashkë me nënën, për t'i dhënë lamtumirën të atit. Së bashku me hallën e vet, e cila gjithashtu jeton në Amerikë, vajza mbërriti paraditen e së shtunës në Tiranë. Vajza e Trebickës u njoftua nga familjarët e tjerë për humbjen e të atit, ndërsa djali 11-vjeçar ende nuk e di se çfarë ka ndodhur me të atin. Menjëherë pas lajmit të vdekjes së të atit, familjarët e dërguan djalin tek disa të afërm ku ndodhet aktualisht. Burime të familjes pohojnë se, djali i Trebickës tashmë mbikëqyret nga të afërm dhe punonjës socialë të shkollës ku ia ndiqte mësimet, me qëllim për të mos mësuar humbjen e të atit, në mënyrë që të mos pësojë tronditje mendore.

Rama dhe Meta në ceremoninë mortore

TIRANE - Krerë të politikës së të majtës dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kryen vizita ngushëlluese në banesën e biznesmenit të vdekur Kosta Trebicka. Numri një i socialistëve shqiptarë, Edi Rama vizitoi familjarët e Trebickës mesditën e djeshme. Pas tij aty shkuan për vizitë edhe kreu i lëvizjes "G99" Erion Veliaj. Pasi qëndroi pak minuta Rama u largua sërish, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe ministri Nishani, i cili dha një prononcim për mediat në momentin e largimit. Po kështu dje për ngushëllime ndodhej edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndryshe nga politikanët e tjerë Meta dhe Veliaj qëndruan deri në fund të ceremonisë, ndërsa shoqëruan kortezhin edhe në varrezat e Tufinës derisa arkivoli me trupin e pajetë të biznesmenit u vendos në banesën e fundit, përkrah dy prindërve të tij. Në banesën e familjes Trebicka kryen vizita ngushëlluese edhe mjaft deputetë, dhe politikanë të tjerë, një pjesë e të cilëve shoqëruan arkivolin për në varreza pasditen e djeshme. f.m

Vdekja e biznesmenit, Nishani premton zbardhje deri në fund

TIRANE - Zbardhje deri në detaje të vdekjes së Kosta Trebickës. Ky ishte premtimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dje pas ngushëllimit të familjarëve të të ndjerit. Në mesditë rreth orës 14:00, Nishani, teksa po dilte nga banesa e familjes Trebicka, në rrugën "Vëllezërit Kondi", pohoi për mediat se ka një angazhim maksimal të institucioneve shtetërore për të nxjerrë të vërtetën e vdekjes së Trebickës. "Është duke u zhvilluar një proces i tërësishëm, i zgjeruar dhe i hollësishëm mbi çdo gjë, mbi çdo detaj, në çdo akt në çdo veprim", pohoi dje për mediat ministri Nishani, ndërsa shtoi se për këtë rast ishin angazhuar disa institucione, prej të cilëve ishte ngritur një grup ekspertësh të të gjitha fushave të duhura për të hetuar ngjarjen që ende konsiderohet enigmë. Gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm bëri me dije se: "Një ekip i madh i drejtuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, po drejton punën e të gjithë ekspertëve më të mirë që ka pasur dhe ka Policia e Shtetit dhe të gjitha organet e specializuara". Deklaratat e Nishanit erdhën pas akuzave të opozitës për ekzekutivin dhe institucionet e tjera shtetërore. Duke e quajtur vrasje, për shkak të dëshmisë që i ndjeri ka dhënë për trafikun e armëve, opozita "sulmoi" qeverinë duke pretenduar se institucionet shtetërore nuk kanë vullnetin për të zbardhur të vërtetën e vdekjes së Trebickës. Ndërkohë ministri shtoi dje se, në ndihmë të hetimit ndodhen dy ekspertë amerikanë, të cilët po punojnë krahas kolegëve shqiptarë në mbledhjen edhe analizimin e provave. "Natyrisht që Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndihmën edhe të ekspertëve amerikanë dhe është në të drejtën e saj, është një çështje që i përket Prokurorisë së Përgjithshme", tha Ministri i Brendshëm. Ndërsa i pyetur nga gazetarët për cilësinë e bashkëpunimit mes institucionit të tij dhe prokurorisë, ministri vijoi se, besonte se bashkëpunimi me prokurorinë ka qenë i mirë. "Jo vetëm në këtë çështje, por në të gjitha çështjet ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me prokurorinë", përfundoi Nishani, ndërsa u largua nga banesa e familjes Trebicka rreth një orë para se të niste dërgimi i trupit të pajetë në varreza.              fa.ma

Kuvendi, priten debate për Trebickën

Seanca e pasdites së sotme parlamentare pritet të ketë debate në lidhje me ngjarjen më të fundit të ndodhur disa ditë më parë, ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka. Liderët e partive politike kryesore kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me vrasjen e dëshmitarit kyç të çështjes së "Gërdecit". Ata kanë kërkuar deri edhe dorëheqjen e Kryeministrit Berisha. Këto qëndrime priten të bëhen publike dhe në seancën e Kuvendit, gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës që kanë deputetët.

Meta: Pa ikur Berisha, nuk zbardhet “Gërdeci’

Kryetari i LSI-së i kërkoi sërish dje Kryeministrit Berisha dorëheqjen.

Aristir Lumezi

Gjatë një konference për shtyp, Meta akuzoi Berishën dhe qeverinë e tij se nuk ishin të aftë të mbronin dëshmitarin kyç të çështjes së Gërdecit. "Ti dhe qeverisja jote nuk e mbrojtët dot këtë denoncues kurajoz dhe dëshmitar të korrupsionit dhe qeverisë tënde. Ti zoti kryeministër, ke dështuar në detyrën tënde primare për të ruajtur shtetin dhe qytetarët e tij", u shpreh Meta. Kreu i LSI-së kërkoi zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, për të dalë të gjitha përgjegjësitë, por e konsideroi humbjen e Trebickës si një goditje të rëndë që i bëhet këtij procesi. "Vdekja e papritur e qytetarit kurajoz, Kosta Trebicka, i dha një goditje shumë të rëndë procesit më të rëndësishëm gjyqësor në këtë vend, atij të Gërdecit, atij procesi që do të përcaktojë qartë integritetin tonë si shtet, aftësinë e sistemit tonë demokratik për t'u vetëmbrojtur nga kapja, nga ilegjitimiteti, nga autokracia dhe diktatura", tha Meta. Edhe pse sipas LSI-së zbardhja e tragjedisë së Gërdecit është një nga çështjet kyçe, nga e cila varet dhe integrimi i vendit, Meta u shpreh se në vend ka forca të errësirës që e pengojnë zbardhjen e të vërtetës. "Ky proces do të përcaktojë, sikurse u shprehën edhe aleatët tanë amerikanë, edhe vetë integrimin tonë në të ardhmen në NATO. Hedhja e dritës mbi Gërdec ka kohë që pengohet nga forcat e errësirës, nga ato forca që janë të zhytura deri në fyt në kraterin e zi të korrupsionit, nga ato forca të errësirës që nuk kanë asnjë ndjenjë njerëzore për jetët e shkrira në Gërdec, dhe si rrjedhim nuk ndjejnë asnjë lloj përgjegjësie për të dhënë drejtësi", u shpreh Meta. Sipas tij, "drita mbi Gërdecin pengohet nga ato forca të errëta që duan që përmes projektligjit të ri për Prokurorinë, të ndryshojnë dhe të rrudhin kompetencat e Prokurorisë, në mënyrë që t'i frikësojnë dhe intimidojnë hetuesit dhe prokurorët, që fajtorët të mos gjenden kurrë". Me qëllim zbardhjen e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit, Meta këmbëngul në ngritjen e komisionit hetimor të propozuar nga partia e tij. "Ne kërkojmë  ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit. Njëkohësisht jemi akoma më shumë të bindur se, pa dorëheqjen e Berishës nuk do të ketë zbardhje as të tragjedisë së Gërdecit dhe as të gjithë atij korrupsioni, i cili nuk mund të shqitet nga përgjegjësia që ka ky shtet dhe që drejtohet nga ky kryeministër", tha Meta.

Frikë nga ndjekja, Trebicka ndryshoi ngjyrën e makinës

Trazhgim Sokolaj

I vendosur si dëshmitar në qendër të hetimeve për një skandal ndërkombëtar lidhur me tregtinë e armëve dhe i portretizuar publikisht si dëshmitari kyç në këtë çështje, edhe pse nuk shprehej asnjëherë hapur, Kosta Trebicka duket se ndihej i frikësuar.

 Është pikërisht statusi i tij si person në dijeni të aferave që shoqëruan tregtinë e fishekëve shqiptarë që dërgoheshin në Afganistan, e së fundi si dëshmitar i Prokurorisë shqiptare, madje edhe Kongresit amerikan, shkaku pse vdekja e biznesmenit 52-vjeçar shikohet si një ngjarje e komplikuar. Por është pikërisht ky status që gëzonte Kosta Trebicka, si dhe denoncimet e tij publike në mediat amerikane e shqiptare për tregtinë e armëve, që duket se atë e kishin kushtëzuar të tregohej i kujdesshëm. Fillimisht duke vendosur roje private që vëzhgonin shtëpinë përgjatë 24 orëve, më pas duke mos afruar persona të panjohur e deri tek lëvizjet e kujdesshme, qëndrimi vetëm me njerëz të besuar, e në fund, edhe ndryshimi i ngjyrës së makinës për të mos rënë në sy. Shumëkush që zotëron një database të Policisë së Shtetit, nëse vendos aty targat e makinës “Nissan Patrol” Kabriolet që u gjet 43 metra larg kufomës së biznesmenit, mund të shikojë lehtësisht se automjeti përshkruhet të ketë ngjyrë blu. E megjithatë imazhet e makinës me ngjyrë të kuqe me të cilën Kosta Trebicka udhëtoi për në Korçë e më pas doli për gjueti në Lekas, kanë bërë tashmë xhiron e botës. Automjeti me targa TR 8843 J në vendin ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka, duket qartë se ka një ngjyrë të kuqe. Me urdhër të Prokurorisë së Korçës, automjeti i Kosta Trebickës ndodhet i mbyllur në një vend të sigurt dhe i rrethuar me shiritat e paprekshmërisë, madje ai ruhet me policë përgjatë 24 orëve. Në Korçë pritet të mbërrijnë së shpejti ekspertët autoteknikë amerikanë, të cilët do të bëjnë ekspertizën e makinës për të parë nëse ajo ka pasur defekte apo dëmtime që mund të kenë shkaktuar ngjarjen. 
Ndryshimi i makinës
Në momentet e para të ngjarjes policia dhe prokuroria duket se kanë qenë të zëna me veprime më të rëndësishme sesa verifikimet për ngjyrën e makinës së Kosta Trebickës. Megjithatë misteri për këtë është zgjidhur ditën e djeshme, kur në morinë e dokumenteve të automjetit të biznesmenit shqiptaro-amerikan, është gjetur një faturë tatimore, e cila mban datën 1 gusht 2008. Në faturë, e cila është plotësuar nga një servis në Tiranë, përshkruhet qartë se Kosta Trebicka e ka çuar makinën në servis dhe me kërkesën e tij ka bërë ndryshimin e ngjyrës së saj, për çka më pas ka bërë pagesën e nevojshme. Fatura në fjalë tashmë ndodhet në dosjen hetimore të hapur për vdekjen e Kosta Trebickës, i cili mesa duket ishte kujdesuar të “maskonte” sadopak lëvizjet me fuoristradën e tij, që kryesisht e përdorte për gjah, por vetëm kaq. Ai nuk kishte bërë në dokumentet e automjetit përshkrimin për ndryshimin e ngjyrës së makinës dhe për këtë shkak, në evidencat e policisë, por edhe në dokumentet e makinës, thuhet ende se automjeti me targa TR 8843 J është një fuoristradë “Nissan Patrol” Kabriolet me ngjyrë blu. Siç duket biznesmeni e kishte kuptuar se lëvizjet me makinën që ai përdorte zakonisht mund të binin në sy dhe, për këtë qëllim kishte menduar ndryshimin e ngjyrës së saj, nga blu në të kuqe.
Gëzhoja në vendngjarje
Pranë grupit hetimor të ngritur në Korçë për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Kosta Trebickës, kanë mbërritur dje informacione se në vendin ku u gjet kufoma e biznesmenit janë gjetur gëzhoja armësh. Burimet zyrtare nga hetimi konfirmojnë se, në fakt zyrtarisht është administruar vetëm një gëzhojë e tillë, e cila është gjetur më tepër se 50 metra larg rrethimit që policia kish vendosur për të ruajtur vendngjarjen ku vdiq biznesmeni 52-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare, gëzhoja në fjalë po ekspertohet, megjithatë zona ku u gjet ajo është mjaft e rrahur nga gjahtarët që vënë në përdorim armë të ndryshme sipas kafshëve që gjuajnë. Paraprakisht dyshohet se gëzhoja ka mbetur aty pasi ka dalë nga armët e gjahtarëve që kanë gjuajtur në zonë, ndërsa autopsia e bërë në kufomën e Kosta Trebickës nuk ka gjetur asnjë gjurmë të dëmtimeve me armë zjarri në trup, por as edhe grimca baruti, të cilat mbeten zakonisht në sipërfaqet pranë të cilave qëllohet me armë zjarri. Megjithatë gëzhoja e gjetur së bashku me të gjithë komponentët e saj, si lloji i armës, koha e qitjes, largësia nga kufoma dhe elementë të tjerë, po ekspertohen nga grupi i hetimit.

Itinerari i Trebickës përcaktohet nga celulari

TIRANE – Aparati i telefonit celular që është gjetur pranë kufomës së Kosta Trebickës pas mesditës së 12 shtatorit 2008, kur ai humbi jetën në Lekas, pritet të ndihmojë hetimin në zbardhjen e shumë momenteve enigmatike. Grupi hetimor ka bërë një kërkesë zyrtare për kompaninë përkatëse, të cilës i kërkon listën (tabulatet) e telefonatave hyrëse dhe dalëse në numrin celular të Kosta Trebickës për muajin shtator 2008. Në këtë mënyrë pritet që hetuesit të kenë në dispozicion listën e telefonatave që ka bërë dhe ka marrë biznesmeni në celularin e tij si dhe mesazhet, të gjitha me numrat përkatës. Një kërkesë e dytë i është bërë kompanisë celulare, të cilës i kërkohet të saktësojë informacionet dhe të hartojë një raport mbi lëvizjet që Kosta Trebicka ka bërë gjatë ditës së fundit të jetës së tij, nga mëngjesi i 12 shtatorit deri në momentin kur është gjetur i vdekur në Lekas, 6 kilometër larg Voskopojës. Burimet hetimore thanë se kompanitë celulare përmes pajisjeve të tyre, mund të saktësojnë vendndodhjen e përdoruesit të një numri celular, por edhe lëvizjet e tij. Në të gjithë territorin e vendit për të mbuluar zonat me sinjal, kompanitë celulare kanë vendosur antena të cilat përcjellin rrjetin e valëve. Pikërisht përmes bërthamave elektronike të këtyre antenave dhe sinjaleve që ato dërgojnë në qendrat informatike të kompjuterizuara, arrihet të matet largësia dhe pozicioni i përdoruesit të një telefoni nga antena më e afërt. Për këtë shkak, grupi i hetimit ka bërë kërkesë zyrtare për kompanitë telefonike, duke u kërkuar atyre të paraqesin të dhëna për gjithë itinerarin e lëvizjeve të Kosta Trebickës pasi ai ka dalë për gjah më 12 shtator. Të dhënat lidhur me zonat ku biznesmeni ka kaluar duke gjuajtur zogj, pritet të ndihmojnë hetimin, pasi me të marrë këto informacione do të bëhet vëzhgimi i të gjithë zonave që ka përshkuar 52-vjeçari para se të gjendej i vdekur. Po kështu do të mësohet nëse ai ka qëndruar në zona të banuara, ku mund të ketë pasur kontakte me persona të tjerë.           

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›