E dinim se Kosta po shkonte për gjah, pasi mori zagarin
Shërbyesja e Kosta Trebickës rrëfen për “Shekullin” drekën e fundit në shtëpinë e biznesmenit në Tiranë
TIRANË- Ato pak gra që mbetën në shtëpinë e Kosta Trebickës përpiqen të pastrojnë rrëmujën e ceremonisë mortore. Tymnaja që ka rrethuar shtëpinë ka asfiksuar gratë, ndaj mbesat dhe një grusht njerëzish që kanë mbetur në shtëpi po sistemonin gjithçka me shpejtësi. Trupi i pajetë i viktimës kishte vetëm pak minuta që ishte përcjellë për në banesën e fundit. Mes tyre ndodhet edhe pastruesja e familjes Trebicka, gruaja 40-vjeçare që ka mbi 6 vjet që shërben në shtëpinë e tyre. Për 6 vite që ka punuar në këtë shtëpi, Lumturia kurrë nuk e ka ndjerë vetën si shërbyese. Natyra e qeshur e Kostës por edhe e zonjës së shtëpisë ka bërë që Lumturia ta përjetojë tragjedinë e familjes Trebicka, njësoj si edhe të afërmit.Për gazetën “Shekulli”, Lumturia tregon ditën e fundit të Kostën në shtëpi si dhe atmosferën që ajo ka përjetuar, pas denoncimit që Kosta Trebicka ka bërë publikisht të trafikut të armëve nga Shqipëria në Afganistan.
Zonja Lumturi, sa vjet keni që punoni në familjen Trebicka?
Kam rreth 6 vjet që punoj në këtë shtëpi dhe me thënëtë drejtën, janë një familje e shkëlqyer. Vërtet unë shërbej këtu, por kurrë nuk jam trajtuar si një shpërbyese e thjeshtë. Kosta ishte një tip i qeshur dhe krijonte shumë atmosferë në shtëpi.
Po ditën e enjte keni qenë në shtëpi, kur është nisur Kosta për në Korçë?
Po. Madje ka ngrënë dhe drekën në shtëpi. Këtu ndodhej edhe Brunilda dhe e gjitha familja ka drekuar së bashku. Nuk mbaj mend sa ishte ora dhe Kosta u vesh për të udhëtuar drejt Korçës. E dinim që do të shkonte për gjah, se mori me vete edhe zagarin, qenin.
A e dinit ju sa kohë do të qëndronte në Korçë dhe ku do të shkonte ekzaktësisht?
Ajo që mësova ishte që do të shkonte për gjah dhe këtë gjë e dinte edhe gruaja e tij. Por sa kohë këtë nuk mund ta them. Ndoshta gjithë fundjavën do ta kalonte atje, nuk e di.
Me kë është nisur Kosta në udhëtim?
Nga shtëpia ka dalë vetëm. Ka marrë makinën dhe qenin e është nisur për rrugë.
Gjatë ceremonisë mortore a keni dëgjuar biseda të familjarëve që ngrenë dyshime mbi aksidentin?
Ishte një ceremoni mortore, ku është vajtuar vdekja e një njeriu. Nuk kam dëgjuar gjëra të tilla. Nuk di ç’të them se çfarë mendojnë njerëzit e afërt të shtëpisë. Kam dëgjuar vetëm vajin e gruas dhe motrave të tij për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë.