E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Ja sa do rriten pagat dhe pensionet në 2009

 

fabiola Çela

Vitin e ardhshëm pensionet e fshatit do të rriten me 20 për qind, ndërsa ato të qytetit me 10 për qind. Për sa i përket pagave, rritja më e lartë do të jetë për mjekët dhe arsimtarët, paga e të cilëve është parashikuar të rritet me 15 për qind. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka zbardhur detajet e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Për vitin e ardhshëm qeveria ka planifikuar të ulë deficitin buxhetor dhe për këtë arsye në 2009-ën do të ulen investimet me financime të huaja. Por kjo ulje do të kompensohet me rritjen e financimeve me fonde të brendshme. Sipas Shehut, në 2009-ën nuk do të ketë projekte të reja madhore, për sa i përket infrastrukturës rrugore, por do të vazhdohen punimet në projektet ekzistues. Sipas parashikimeve të kryera, gati 60 për qind e rrugëve të hapura priten të përfundojnë brenda vitit 2009, ndërsa pjesa tjetër e projekteve rrugore do të mbyllen në 2010-ën.
Sa është vlera e projektbuxhetit të vitit 2009?
Sipas parashikimeve tona, në vitin 2009 do të kemi 332 miliardë lekë të ardhura. Për sa i përket shpenzimeve në 2009-ën do të kemi 383 miliardë lekë shpenzime. Buxheti i këtij viti ka një rritje kundrejt atij të 2008-ës, sidomos përsa i përket të ardhurave, ku rritja është mbi 12 për qind. Po kështu kemi edhe një rritje të shpenzimeve, por rritja e tyre është më e vogël, pasi në 2009-ën ne kemi parashikuar që të ulim deficitin buxhetor.
Sa do të ulet deficiti buxhetor dhe a do të ndikojë në uljen e fondit të investimeve?
Në vitin 2008 ne kemi patur një deficit buxhetor të lartë dhe kjo si pasojë e kostos së lartë të investimeve me financime të huaja. Por në buxhetin suplementar të 2008-ës ne kemi bërë një rritje të ndjeshme të investimeve të brendshme, rreth 13 miliardë lekë. Në projektbuxhetin e vitit 2009 do të ketë rënie të shpenzimeve kapitale, por gjithnjë për sa i përket pjesës së investimeve me fonde të huaja. Një gjë e tillë ishte e domosdoshme për të ulur deficitin buxhetor. Por nga ana tjetër, ne do të rrisim investimet me fonde të brendshme. Në 2009-ën parashikojmë një rritje të investimeve me fonde të brendshme, që shkon nga 45 deri 55 miliardë lekë.
Sa është parashikuar të jetë rritja e pagave dhe pensionet vitin e ardhshëm? 
Edhe në 2009-ën ne do të vazhdojmë me politikën e rritjes së pagave. Për arsimtarët dhe punonjësit e shëndetësisë rritja është parashikuar të jetë 15 për qind. Për pagat e tjetra 10 për qind, ndërsa për pagat e larta do të ketë vetëm indeksim. Përsa i përket pensioneve, edhe në 2009-ën është parashikuar që pensionet e fshatit të rriten më shumë se të qytetit. Konkretisht pensionet e fshatit do të rriten mesatarisht me 20 për qind, ndërsa në qytet 10 për qind. Objektivi ynë është që të bëhet barazimi i pensioneve.
Cilët janë projektet rrugore që do të marrin pjesën më të madhe të parave?
Rrugët kryesore janë ato që ne kemi në buxhet. Kjo, pasi ne kemi parashikuar që në 2009-ën të mbyllim pjesën më të madhe të projekteve rrugore. Kështu do të jetë rruga Durrës-Kukës, për këtë projekt kemi parashikuar që segmentet kryesore të përfundojnë në 2009-ën. Gjithashtu për vitin e ardhshëm nuk kemi në plan ndonjë projekt të ri madhor, përveç vazhdimit të ndonjë segmenti, siç është ai rrugës së Arbrit dhe Qafë Plloç-Qafë Thanë. Pra, për 2009-ën kemi parashikuar që të mbyllim 60 për qind e rrugëve të hapura, ndërsa pjesa e mbetur do të përfundojë në 2010-ën.

Treguesit e buxhetit (në milionë/lekë)

Emërimi               P/buxheti 2009
TOTALI I TË ARDHURAVE        332.993
Të ardhurat nga ndihmat        6.720
Të ardhurat tatimore            304.771
Nga tatimet dhe doganat            230.168
Të ardh. nga push. Vendor        18.412
Të ardh. buxh. Pavarur            56.191
Të ardhura jotatimore            21.502
TOTALI I SHPENZIMEVE        383.680
Shpenzime korrente            283.211
Personeli                73.363
Interesat                36.356
Shpenzime op. mirëmbajtje        33.430
Subvencionet                2.785
Shpen. sig.shoq. e shënde        83.476
Shpenzime për buxh. lokal        35.335
Shpenzime të tjera            17.866
Kompensim ish të përndjek.        2.000
Kompensimi i pronarëve            600
Fondi rezervë                10.000
Shpenzime kapitale            90.469
DEFICITI                -50.687
Financimi i deficitit            50.687
Të brendshëm                12.375
Të huaj                    38.312
Produkti i Brendshëm Bruto        1.180.000

Gati borxhi 300 milionë euro

Për herë të parë qeveria shqiptare ka planifikuar që të shesë letrat me vlerë në bursat ndërkombëtare. Pra, Shqipëria do të hyjë në tregun e eurobonove. Për këtë qeveria ka planifikuar që në muajt e parë të 2009-ës të emetojnë gati 200 deri në 300 milionë eurobono, ose e thënë ndryshe gati 500 milionë dollarë, shumë kjo goxha e konsiderueshme. Sipas zëvendësministrit të Financave, e veçanta e këtij projektbuxheti do të jetë huamarrja në tregun evropian, pra në emetimin e bonove të thesarit. Aktualisht ekspertët e kësaj ministrie po punojnë paralelisht me njoftimin publik për emetimin e eurobonove, i cili do të ndodhë në muajt e parë të vitit 2009. Kështu brenda shtatorit, Ministria e Financave do të kryejë edhe njoftimin publik. Eurobonot do të kenë një afat maturimi prej 5 deri në 10 vjet. “Kjo do të jetë huamarrje nga tregu, gjë që do ta listojë Shqipërinë në bursat ndërkombëtare, sepse letrat me vlerë ose obligacionet e qeverisë shqiptare do të jenë të shitshme në tregun evropian”, ka thënë Shehu. Sipas tij, vlera e tyre do të arrijë nga 200 deri në 300 milionë euro.

AMC ul tarifat e bisedave telefonike

Kompania celulare AMC ka ulur tarifat e bisedave telefonike për klientët e saj. Që nga 1 gushti, AMC krijoi 3 paketa biznesi të quajtura Corporate plus dhe 5 programe të reja të bashkangjitura që mund të kombinohen me gjithë programet e biznesit. Këto programe të kombinuara i reduktuan pagesat mujore deri në 21%, rritën kohën e bisedës falas deri në 50% dhe reduktuan tarifat deri në 63%. Ndërkohë duke nisur 15 shtatori AMC ul tarifat e saj për të gjithë abonentët Albakarta, duke përfshirë thirrjet kombëtare dhe ndërkombëtare. AMC ndjek një politike tarifore të bazuar në moton “Fol më shumë, paguaj më pak”. Tarifat ulen në varësi të kohëzgjatjes së bisedës. Për shembull, për një telefonatë 3-minutëshe brenda rrjetit, abonenti do të paguajë 63,90 lekë në vend të 112,5 lekë (43% më pak). Nëse abonenti flet më tepër (një bisedë 5-minutëshe tani kushton 87,90 lekë dhe jo më 187,50 lekë), ai përfiton një ulje më të ndjeshme prej 53%. Dhe nëse flet edhe më tepër (10 minuta), ulja bëhet 61% (147.9 lek në vend të 375 lek). Ulje të tilla janë gjithashtu të vlefshme për thirrje jashtë rrjetit. Me këto tarifa të reja, abonentët ALBAKARTA do të flasin më tepër, duke paguar më pak. E angazhuar për të qenë në një linjë me vendet e tjera të BE, AMC premton se do të vazhdojë uljen e tarifave të tjera për gjithë abonentët gjatë muajve në vijim.

Vendimi, zbardhen referencat për 60 lloje biznesesh të vogla

Qeveria do të përcaktojë numrin referues të të punësuarve që duhet të sigurohen në 60 lloje biznesesh, të klasifikuara edhe në bazë të xhiros vjetore.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u shqyrtua një pr.vendim i propozuar nga Ministria e Financave “Për përcaktimin e numrit referues të të punësuarve, për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, në disa veprimtari kryesore, për tatimpaguesit e regjistruar në biznesin e vogël”.
Projektvendimi
Sipas draftit të propozuar nga ministri Ridvan Bode, rreth 60 lloje biznesesh të vogla, do të kenë tashmë një numër referues për punëtorët që duhet t’u paguajnë kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Klasifikimi i bizneseve do të bëhet në bazë të xhiros së tyre vjetore. Më konkretisht, një hotel i cili ka një xhiro vjetore 2-3 milionë lekë të reja në vit (166 mijë-250 mijë lekë të reja në muaj) duhet të ketë të siguruar të paktën 3 punonjës. Në relacionin që shoqëron këtë projektvendim thuhet se, është konstatuar se ndërsa numri i aktiviteteve ekonomike që janë të regjistruar në biznesin e vogël në dy vite ka pësuar një rritje, numri i të punësuarve të deklaruar këto biznese së bashku me personin e vetëpunësuar është ende i vogël dhe llogaritet mesatarisht 1.24 persona për biznes (63 mijë të punësuar për 50.356 subjekte). “Ndërkohë që kontrollet e ushtruara, si dhe nga vëzhgimet e bëra rezulton që në mbi 50% të subjekteve të regjistruara në biznesin e vogël, të cilat kryejnë aktivitete shërbimesh, prodhimesh por edhe aktivitete profesionale dhe shitjes (përjashtuar veprimtaritë ambulante apo në tregjet e shitjeve) rezultojnë të kenë mesatarisht mbi 2.5 të punësuar duke konstatuar kështu një shkallë të lartë të shmangies mbi pagesat”, thuhet në relacion. Sipas projektvendimit, kur administrata tatimore vëren se numri i të punësuarve të deklaruar nga tatimpaguesit e regjistruar në biznesin e vogël, për efekt të pagimit të kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, nuk është real dhe nuk i përgjigjet vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin të bëjë rivlerësim, sipas llojit të veprimtarive dhe volumit të të ardhurave vjetore, ndërkohë që bizneset nëse kanë kundërshtime lidhur me vlerësimet e organeve tatimore kanë të drejtë të provojnë të kundërtën. Sipas relacionit, pas miratimit të këtij projektvendimi parashikohet që në mbi 25 mijë biznese të vogla numri i të punësuarve të rritet mesatarisht me rreth 1.6-1.8 punonjës, ose në rreth 40-45 mijë persona. Në të njëjtën kohë parashikohet të rritet numri i personave që përfitojnë mbrojtje nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndërkohë që të ardhurat nga kontributet që derdhen për këta persona përllogariten në 2.6-2.7 miliardë lekë. Por ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka dalë kundër mënyrës se si po miratohet ky pr.vendim. “Nga shqyrtimi i nenit 72 dhe në tërësi i ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, nuk rezulton që Këshilli i Ministrave është i autorizuar për të përcaktuar numrin referues të të punësuarve, për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Mendojmë se një rregullim i tillë duhet të bëhet me udhëzim të ministrit të Financave, të nxjerrë në zbatim të ligjit”, thekson Alibeaj në letrën dërguar ministrit Bode.

Numri minimal referues i të punësuarve

Të punësuar gjithsej sipas nivelit të të ardhurave bruto vjetore për bazën e taksës.
                                               (Në mijë lekë)
Lloji i veprimtarisë        +2000-             +3000-             +5000-            +7000
                3000            5000            7000            8000

Hotele                3            4            5            5
Motele                2            3            4            5
Hotel-restorant
Motel- restorant            5            5            6            6
Bar restorant            3            4            5            5
Restorant            3            3            4            5
Bar kafe                2            2            3            4
Bar, kafe, lojëra internet        3            3            4            5
Minimarkete            2            2            3            4
Prodhime brumi            2            3            4            5
Prodhime buke            2            3            4            4
Prodhime brumi dhe tregtim    3            4            4            5
Prodhime pastiçerie        1            2            2            3
Hamburger, doner, etj        2            2            3            4
Hamburger, doner, akullore    2            2            3            5
Piceri                2            2            3            4
Piceri, doner,
Hamburger, akullore, etj        2            3            3            4
Birrari, qebaptore            2            2            3            4
Punime duralumini        3            3            4            5
Punime karpenterie        3            3            4            5
Hekurthyes, prodhim
Montim kangjella, etj        3            3            4            5
Punime suvatimi + lyerje        3            3            4            5
Punime të ndryshme ndërtimi
(riparime, ndërtimi, hidro
elektro, etj)            3            3            4            5
Reparte riparimesh,
aparate elektrike,
elektronike            2            2            3            4
Punime druri e mobilie        3            4            4            5
Punime dekori reklama        2            3            3            4
Punime tapicerie            3            3            4            5
Autoservise            2            3            4            5
Autoservis + shitje
pjesë ndërrimi            3            3            4            5
Çmontim makina dhe
Shitje p/ndimi të përdorura    2            3            4            4
Shkolla                -            5            6            7
Kopshte                2            3            5            7
Çerdhe                2            4            5            7
Kurse të ndryshme        2            3            4            5
Autoshkollë            4            4            5            5
Klinika mjekësore        3            3            4            5
Lab. analizash mjekësore        3            3            4            5
Klinika dentare            2            2            3            3
Klinika dentare+laboratorë    3            4            5            5
Laboratorë dentare        2            3            4            5
Qendra estetike,
Sallone bukurie            2            3            4            5
Qendra fituesi,
terapie dietologjike        3            3            3            4
Shtëpi botuese            2            2            3            4
Shtypshkronja            4            4            5            6
Shtypshkronja +
aktivitet shitje            4            4            5            6
Studio projektimi            4            4            5            5
Studio arti, pikture        3            3            3            4
Studio konsulence e
ekspertize teknike,
ligjore, financiare            4            4            4            5
Agjenci shërbimesh
të ndryshme            1            1            2            3
Agjenci shërbimesh funerali    4            5            5            6
Prodhime materiale ndërtimi    3            4            4            5
Prodhime, korniza, riparime    2            2            3            4
Prodhime kozmetike        2            3            4            4
Pro. të pijeve freskuese        2            3            4            5
Prodhime mermeri        3            3            4            5
Lavazhe                2            3            4            5
Transport udhëtarësh
me autobus            2            2            2            2
Transport udhëtarësh
me furgon            1            1            2            2
Transport udhëtarësh
me taksi                1            1            1            1
Transport mallrash        2            2            3            3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›