E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Histori apo disa histori?

Edmond Tupja 

Shkrimtari, kolegu dhe miku im Agron Tufa, në një shkrim polemik me Dritëro Agollin, të botuar para tri ditësh te “Panorama” me titull “Kush ka frikë nga rishikrimi i historisë së letërsisë shqipe?”, i kundërvihet me argumente serioze dhe, siç i mendoj unë gjërat, bindëse, tezës agolliane sipas së cilës “historia e letërsisë [shqipe duhet] të pasurohet, jo të rishkruhet”. Me dëshirën konstruktive për të shkuar më larg (a nuk thoshte frëngu Jean Cocteau që intelektuali kërkon të dijë deri ku mund të shkohet tepër larg?), unë gjykoj që historia e letërsisë shqipe është pjesë e Historisë (me H të madhe) të mbarë kombit, popullit, shtetit dhe shoqërisë shqiptare në aksin kohor dhe në sferat e ndryshme të mendimit e të veprimit njerëzor. Rrjedhimisht, gjithmonë sipas meje, kjo Histori (me H të madhe) përbëhet nga shumë histori (me h të vogla) dhe të gjitha këto histori duhen rishkruar sepse, si pasojë e shtypjes, ndrydhjeve e shtrembërimeve skajërisht ideologjizuese tipike të totalitarizmit shqiptar të periudhës 1945-1990, ato nuk qëndrojnë më, në pjesën më të madhe, as nga pikëpamja morale, as nga pikëpamja shkencore.
Për një gjë të jetë i sigurt poeti dhe romancieri patriark i letrave shqipe: të rishkruash historinë e letërsisë shqipe do të thotë, sigurisht sipas meje, edhe ta pasurosh atë; ta rishkruash do të thotë jo të paraqesësh vetëm e vetëm një variant të ndryshëm ose të kundërt, por disa variante të tilla; çka do të ishte një provë e gjallë e pluralizmit shqiptar edhe në fushën e Historisë si shkencë dhe të historive si fryte të kësaj shkence. Po shpjegohem:
Dikur, kur isha nxënës shtatëvjeçareje e më pas gjimnazist, tekstet shkollore kishin emra të shquar si, për shembull, “Abetarja shqipe”, “Gjeografia e Shqipërisë”, “Letërsia shqipe” ose “Historia e Shqipërisë”, domethënë e vetmja Abetare, e vetmja Gjeografi, i vetmi tekst Letërsie, e vetmja Histori, ato të Partisë së vetme e të përjetshme në pushtet. Sot ekzistojnë ose ka ardhur koha që të ekzistojnë disa abetare, disa tekste gjeografie, letërsie apo historie, sigurisht të certifikuara nga një kuvend shkencor jashtë ndikimeve politike, çka të bën mirëfilli të pranosh ekzistencën paralele të teksteve me emra të pashquar si, për shembull, “Abetare shqipe”, “Gjeografi e Shqipërisë”, “Letërsi shqipe” ose “Histori e Shqipërisë”, domethënë njëra prej abetareve, njëra prej gjeografive, njëri prej teksteve të letërsisë, njëra prej historive, ato të epokës së pluralizmit, të demokracisë, të ekzistencës së shumë partive, nga të cilat asnjëra nuk mund e nuk duhet të jetë as e vetme as e përjetshme në pushtet.
Sa për ilustrim të asaj që sapo përmenda, unë i konsideroj si prirje tejet përqendruese përpjekjet e dukshme a të nëndheshme që janë bërë e ndoshta vazhdojnë të bëhen nga strukturat shtetërore kompetente për t’u imponuar, bie fjala, shkollave publike e private të ciklit të ulët përdorimin e vetëm të kësaj apo asaj abetareje. A e përfytyroni dot se çfarë përqendrimi monist do të ishte imponimi që mund t’u bëhej shkollave private, nëntëvjeçare, të mesme ose të larta qofshin ato, për t’i detyruar që nxënësit apo studentët e tyre të mësojnë pa përjashtim me të njëjtin tekst gjeografie, letërsie apo historie, matematike, fizike apo kimie?
Lidhur me pohimin guximtar e, rrjedhimisht, tronditës të Agron Tufës, sipas të cilit “estetika i paraprin etikës dhe jo anasjelltas”, mendoj se çdo njeri i aftë për ta përtypur e zbërthyer imtësisht atë, e kupton që ai përmban një të vërtetë të madhe sidomos, kryesisht dhe veçanërisht në lëmin e arteve e të letërsisë: mjerë ata artistë e shkrimtarë të cilët ngërçi i estetikës zhdanovo-hoxhiste ua ka ngurtësuar ndërgjegjen, pra edhe etikën! Mjerë ata historianë të letërsisë shqipe dhe jo vetëm shqipe që vuajnë nga e njëjta sindromë e pashërueshme!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›