E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet kambisti, arritën që t’i merrnin 40 milionë lekë

Ka qenë ora 5:00 e pasdites, kur në qytetin e Fierit, një kambisti, pasi e kanë sulmuar duke e qëlluar me tullë në kokë, i kanë marrë edhe një shumë të konsiderueshme të hollash. Pasi ka mbyllur punën dhe është nisur për në shtëpi, Shefqet Bregasi është goditur me tullë nga dy persona të pamaskuar e të paarmatosur, të cilët më pas kanë arritur që të largoheshin me shumën prej 40 milionë lekësh të vjetra, që kampisti kishte ato momente me vete. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Kastrioti” në Fier, shumë pranë banesës së kampistit. Për ngjarjen kanë folur edhe familjarët e kambistit, të cilët tregojnë se vendi ku ai u grabit, është vetëm 2 pallate larg hyrjes së pallatit ku i afërmi i tyre banon. Më tej vëllai i viktimës tregon edhe se si ka vajtur ngjarja, duke dhënë edhe detaje të grabitjes, që iu bë të vëllait, nga ku iu morën 40 milionë lekë të vjetra.

Ngjarja

Pasi ka lënë punë dhe është drejtuar për në shtëpinë e tij, 57-vjeçari Bregasi ka hasur në dy djem të rinj, njëri prej të cilëve, sipas të vëllait, ishte duke folur në telefon. Dy personat kanë qenë të paarmatosur dhe të pamaskuar, por ata e kanë zënë në befasi kambistin, duke e goditur me një tullë në kokë dhe në sy. Pavarësisht goditjes së rëndë që 57-vjeçari ka marrë nga dy të rinjtë, nuk i ka humbur ndjenjat. “Por, ai është ngritur dhe ka filluar që të përleshet me dy grabitësit, duke thërritur edhe për ndihmë”, - tregon vëllai i viktimës. Pavarësisht thirrjeve për ndihmë të 57-vjeçarit, askush nuk është gjendur aty pranë për ta ndihmuar. Megjithëse kambisti ka filluar që të përleshet me dy autorët e krimit, duke qenë një kundër dyve, nuk ka mundur dot që të shpëtojë nga kthetrat e grabitësve shumën e parave.

Kambisti i grabitur, pasi nuk ka mundur që t’i shpëtojë paratë, është drejtuar për në komisariatin e këtij qyteti, duke bërë edhe denoncimin për ngjarjen e ndodhur. Menjëherë pasi 57-vjeçari ka bërë denoncimin, policia e Fierit ka filluar hetimet për të bërë të mundur edhe identifikimin e autorëve. Burime nga policia e Fierit shprehen se identifikimi i dy autorëve të ngjarjes nuk do të vonojë shumë, pasi duke qenë të pamaskuar, viktima i ka parë ata dhe ka dhënë edhe përshkrimin e tyre.

Ndërkohë, mësohet se 57-vjeçari Shefqet Bregasi ndodhet i shtruar në spitalin e Fierit, ku po merr edhe ndihmën mjekësore në plagët e krijuara nga goditja me tullë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›