E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me thika për garën me motorë, plagosen 3 persona

 

Etleva Delia

Parakalimet me motorë kanë shkaktuar 3 të plagosur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Dy vëllezër kanë mbetur të plagosur rëndë me thika dhe një miku i tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në hyrje të lagjes "Ali Demi" të kryeqytetit. Dy grupe të rinjsh kanë debatuar ashpër mes tyre, duke kaluar në fyerje, sharje, grushte e më pas në thika. Të plagosur kanë mbetur vëllezërit Taulant dhe Klodian Allmuçaj, 24 dhe 29 vjeç, si dhe miku i tyre Fatjon Çela, 22 vjeç. Tre të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se dy vëllezërit janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën, ndërsa 22-vjeçari Çela ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia bënë të ditur se të rinjtë fillimisht ndodheshin në një lokal në hyrje të lagjes "Ali Demi", pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Më pas ata janë thirrur nga dikush jashtë lokalit dhe aty ka nisur përleshja me disa persona të tjerë, bashkëmoshatarë të tyre. Një skenar i ngjashëm me vrasjen e para disa ditëve në Laprakë të Tiranës, nga e cila një i ri mbeti i vrarë. Sipas burimeve nga policia mësohet se autorët ende nuk janë identifikuar, por po punohet për kapjen e tyre. Të plagosurit ende nuk kanë dhënë asnjë lloj dëshmie për oficerët e policisë, deri sa gjendja e tyre shëndetësore të përmirësohet. Ndërkohë mësohet se janë shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, për të dhënë deklarimet e tyre rreth ngjarjes. Hetimet paraprake të policisë flasin për një sherr të momentit mes të rinjve, ku shkak kanë qenë parakalimet me motorë. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes në momentin që mes të rinjve ka nisur sherri, aty janë mbledhur më shumë se 20 djem, të cilët debatonin me tone të forta me njëri-tjetrin. Më pas sherri u pasua nga goditje me grushte dhe thikash, ku mbetën të plagosur 3 persona. Sipas burimeve nga Komisariati Nr.1 i policisë së Tiranës mësohet se identifikimi i autorëve ka qenë paska i vështirë, për shkak se në momentin e ngjarjes kanë qenë shumë persona të pranishëm dhe asnjë nga dëshmitarët nuk ka qenë në gjendje të identifikojë autorët. Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët dhe ka realizuar gjatë gjithë natës kontrolle të imtësishme në rrugë.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›