Autoritetet kosovare deklarojnë se Kosova është një rast i veçantë
Sipas tyre ajo nuk mund të ketë asnjë ngjashmëri me Osetinë Jugore dhe me Abkhazinë, që janë përfshirë në një konflikt të armatosur në Gjeorgji. Ato thanë se logjika e balancave në botë të çështjeve dhe ngjashmërive, përmes dhunës i takon së kaluarës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi ndërkaq, ka kundërshtuar fuqishëm çfarëdo ideje për ndarjen e Kosovës dhe tendencat për krijimin e opinionit për modele eventuale të ndarjes së Kosovës. "Kosova është një rast sui generis dhe si e tillë edhe ka përshpallur dhe njëkohësisht është përkrahur për pavarësinë e Kosovës. Logjika e balancave në botë të çështjeve të ndryshme dhe ngjashmërive përmes dhunës është çështje e së kaluarës, i ka takuar luftës së ftohtë dhe nuk i takon kësaj lufte. Neve na vjen keq kudo në botë që ndodhin incidente, që ndodhin konflikte të armatosura. Ne luftojmë të angazhohemi që kudo në botë, në cilëndo pjesë të botës të mbizotërojë paqja, qetësia, zhvillimi dhe mirëqenia qytetare". Qëndrimi i zotit Kuqi pason deklaratat e ish të dërguarit të posaçëm të BE-së, Wolfgang Petriç, dhënë BBC-së, për krijimin e një statusi special për veriun e Kosovës. Kjo pjesë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë kundërshtarja më e fuqishme e saj, dhe serbët e këtushëm kanë deklaruar se nuk do të lejojnë shtrirjen e institucioneve kosovare në veri.
13 Gusht 2008