Si përdorën grekët senatorë amerikanë kundër çështjes shqiptare
Edwin L. James
GJENEVË – Presidenti Harding dhe senatori Lodge ishin shfaqur këtë pasdite para Komitetit të Gjashtë të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në mbështetje të Greqisë, kundër Shqipërisë së vogël, të cilën presidenti Uillson e mbrojti në Konferencën e Paqes në Paris. Tani ajo po kërkon ndihmë te Lidhja për shkak se është e rrezikuar nga agresioni i fqinjëve më të mëdhenj, Greqia dhe Jugosllavia. Gjatë javës së kaluar atje kishte pasur luftime përgjatë kufirit verior të Shqipërisë. Pasi ishte tërhequr nga një sërë pozicionesh, Shqipëria tani është duke mobilizuar ushtrinë e saj të vogël për të luftuar serbët. Gjatë takimit të sotëm ishin lexuar mesazhe të njëpasnjëshme që tregonin se ky vend po luftonte.
Lufta kishte nisur
Shqipëria pretendon se të gjitha luftimet janë bërë brenda kufijve të saj. Ajo deklaron se kufijtë e saj ndodhen më poshtë sesa ato që ishin përcaktuar në Marrëveshjen e Londrës së vitit 1913. Serbët përgjigjen se kufijtë e vitit 1913 nuk ekzistojnë më dhe se ata nuk kanë shkuar poshtë vijës së caktuar në Konferencën e Paqes, ku u caktuan paraprakisht kufijtë e saj. Dhe e gjitha ajo ata po bëjnë është të kthejnë shqiptarët prapa, në territoret që u takojnë. Për këtë ata argumentojnë se Shqipëria nuk ka arsye të shtrojë çështjen përpara Lidhjes. Zhurmat e luftës kishte nisur dhe grekët nuk hezitojnë të tregojnë se ata kanë pretendime ndaj territorit të Epirit, ndërkaq edhe shqiptarët kanë të tyret.
Lobimi i grekëve
Ishte pikërisht Franguli, përfaqësues i Greqisë në Komitetin e Gjashtë, që i solli argumentet e presidentit Harding dhe senatorit Lodge. Duke komentuar kushtin paraprak që presidenti Uillson kishte vendosur në Konferencën e Paqes, i cili e ndaloi Greqinë që të marrë Epirin, zoti Franguli argumentoi se tani qeveria amerikane ka ide tërësisht të ndryshme. Ai shpërndau te delegatët një dokument të titulluar: Letra e presidentit Warren Harding”. Megjithatë, dokumenti ishte një letër e datës 24 tetor 1920, përpara se të zgjidhje senatori Harding, dhe ishte në mënyrë të qartë një thirrje zgjedhore, që siç duket, mund të jetë lexuar para komunitetit grek në Boston atë kohë. Me sa duket letra ishte publikuar në atë periudhë. Pasi jepej një lëvdatë për kombin grek, letra thoshte: “Ju duhet të jeni të sigurt se unë do të luftoj që të bëj më tepër për çështjen e drejtë të kombit grek, pasi shumë shtetas të shkëlqyer të këtij vendi kanë kontribuar për atdheun tonë. Unë do të vazhdoj t’ju ndihmoj në çdo mënyrë të mundshme, ashtu siç kam bërë në Senat gjatë dy viteve të kaluara. Unë votova për rezolutën e Lodges, duke deklaruar se Senati mund veprojë në mënyrë të arsyeshme që Epiri i Veriut, duke përfshirë Korçën, 12 ishujt dhe bregdetin perëndimor të Azisë së Vogël, t’i bashkëngjitet Mbretërisë së Greqisë. Unë jam për një zgjidhje, e cila do të sjellë drejtësi të plotë për popullin grek. Amerika gjithmonë do të përmbushë rolin e saj të plotë dhe njerëzor në mbarë botën ndonëse këmbëngul se ajo do të jetë e orientuar nga ndërgjegjja dhe koncepti i saj i drejtë dhe i paanshëm. Vendi ynë gjithmonë do të jetë në pararojë të komunitetit të kombeve për promovimin e paqes me drejtësi dhe vërtetësi dhe për shërimin e botës së plagosur nga vuajtjet”.
Loja e përfaqësuesit grek
Më pas, zoti Frangulis i paraqiti Senatit një rezolutë të miratuar më 17 maj 1920, që thoshte se Senati kishte arsye që Epiri i Jugut t’i kalojë Greqisë. Në mënyrë të dukshme grekët mbivlerësonin miqësinë e senatorit Lodge për realizimin e kauzës së tyre, apo ndoshta ata dështuan, pasi ai (senatori) ishte më tepër kundër presidentit Uillson sesa pro grekëve për Shoqërinë e Miqve të Greqisë, e pohuar edhe në letrën e shkruar nga zoti Lodge, e cila mban datën 29 qershor 1921:
“Unë kam letrën tuaj të tridhjetë. Rezoluta që unë parashtrova në Senat, për të cilën unë isha shumë i lumtur të bëja përpjekjet e mia, sigurisht, në pajtim të Kongresit, edhe mund të jetë përmendur nga ndonjë prej anëtarëve të tij, por unë nuk e ndiej se kjo do të aprovohet, meqenëse Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të Lidhjes së Kombeve dhe një anëtarësim i tillë ishte refuzuar nga vetë populli. Që kjo çështje të shtrohet për zgjidhje, unë mund të marr përsipër të ofroj më pas ndonjë këshillë nëse do të më bënin anëtarë të Senatit apo kryetar të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë”.
Reagimi i Fan Nolit
Peshkopi Fan Noli, kryetar i delegacionit të Shqipërisë, i cili ishte shfaqur shpesh në Amerikë si një “prind i edukuar”, nuk iu përgjigj këtyre letrave. Atje nuk ishte debatuar mbi këtë pjesë të fjalimit të përfaqësuesit grek, përveçse një rezolute, e cila caktoi një komision për të vëzhguar gjendjen në Shqipëri që do të vepronte në emër të Fuqive Aleate dhe atyre që u bashkëngjiten. Ashtu si presidenti Harding, dhe senatori Lodge, mundet, nëse ata e dëshirojnë një gjë të tillë, që të dërgojnë një përfaqësues për të marrë informacion në terren, direkt në dorë të parë. Një tjetër rezolutë ishte kaluar, ku rekomandohej që Shqipëria të pranojë vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, e cila tani angazhohej më caktimin e kufijve. Përtej këtyre rezolutave, Lidhja nuk mund të bënte asgjë tjetër në lidhje me përpjekjen e Greqisë dhe Jugosllavisë, me gjithë mbështetjen e siguruar nga Franca, Anglia, Italia dhe Japonia. Ambasadorët e kishin çështjen në dorë dhe Lidhja e Kombeve duhet të presë vendimin e tyre. Në një farë kuptimi, kjo nuk i gëzoi shqiptarët, çështja e të cilëve, në tërësi, është ndërtuar mbi pretendimin e Konferencës së Ambasadorëve dhe Këshillit të Ambasadorëve që ata nuk kanë të drejtë të caktojnë kufijtë e tyre që ishin skicuar në vitin 1913.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 27 shtator 1921
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Përplasja mes Fan Nolit dhe delegacionit serb në Lidhjen e Kombeve
Çështja shqiptare shkakton debate të ashpra në Asamblenë e Lidhjes, e cila u zhvilluar më 26 shtator 1921
Kërkesat e Lidhjes që Shqipëria të pranojë heqjen e territoreve të saj dhe refuzimi i Nolit për një propozim të tillë
Debatet dhe deklaratat e Fan Nolit me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha: “Ne i duam serbët aq sa dhe ata na duan neve”.
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
13 Gusht 2008