E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia ndalon operacionet ushtarake në Gjeorgji



Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, ka urdhëruar dje ndalimin e veprimeve të mëtejshme ushtarake në Gjeorgji. Ai tha se ishte realizuar siguria e civilëve dhe paqeruajtësve rusë në Osetinë Jugore. Por ai theksoi se trupat e tij do të përgjigjeshin në rast se sulmoheshin. Urdhri u cilësua si një lajm i mirë nga presidenti francez, Nicolas Sarkozi, që ndodhet në Moskë për bisedime me presidentin Medvedev. Ai po përpiqet që të ndërmjetësojë armëpushimin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Kryeministri i Gjeorgjisë citohet t'i ketë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” se ai kishte nevojë për më shumë fakte përsa u takon operacioneve të Rusisë. Ai tha se nevojitej që të gjithë të firmosnin një marrëveshje që ta respektonin.
Reagimi rus
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka shprehur mosbesimin ndaj presidentit Mikail Sakashvili, duke thënë se do të ishte më mirë sikur ai të largohej nga detyra, por Rusia nuk kishte plane për ta rrëzuar atë. Zoti Lavrov tha gjithashtu se çdo armëpushim do të kërkonte që Gjeorgjia të largonte të gjitha trupat nga Osetia Jugore, duke përfshirë edhe veprimet paqeruajtëse. Ai shtoi se Gjeorgjia duhet të heqë të gjitha trupat nga çdo zonë prej nga ku mund të kryente sulme mbi rajonin separatist si edhe të firmoste një marrëveshje ku të hiqet dorë nga përdorimi përsëri i forcës.
Diplomacia në ndihmë
Një takim i planifikuar në Bruksel mes zyrtarëve të lartë të NATO-s dhe ministrit të Jashtëm gjeorgjian është anuluar. Një zëdhënës nga Ambasada Gjeorgjiane është cituar të ketë thënë se ministri nuk mund të largohet nga Tbilisi për shkak të situatës në Gjeorgji. Rusia ka kërkuar një takim të vetin emergjent me NATO-n për të shpjeguar veprimet e saj, por një zëdhënës i Aleancës tha se NATO kishte nevojë për më shumë kohë për t'u përgatitur. Zyrtarë polakë thanë se presidenti i Polonisë dhe katër presidentë të tjerë nga vendet e Europës Lindore planifikonin të shkonin në Gjeorgji. Në Gjeorgji të martën mbërriti edhe avioni i parë me ndihma për civilët. UNHCR-ja thotë se avioni i parë transportonte 34 tonë me tenda, batanije dhe kuzhina lëvizëse, të cilat erdhën nga një depo logjistike e saj në Dubai. Avioni i dytë me ndihma pritet të mërkurën nga Kopenhageni. Agjencia e OKB-së për Refugjatët thotë se disa qindra mijëra veta janë shpërngulur për shkak të luftimeve.

Shënim

Cilët janë faktorët që çuan në konfliktin mbi Osetinë Jugore

Analistët pohojnë se konflikti aktual ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë u nxit nga fakti që Tbilisi dërgoi javën e kaluar trupa në përpjekje për të marrë nën kontroll Tskhinvalin, kryeqytetin e republikës separatiste të Osetisë Jugore. Rusia, e cila ka trupa të dislokuara në këtë republikë separatiste, iu përgjigj sulmit duke dërguar trupa shtesë, tanke dhe automjete të blinduara në rajon dhe duke u hedhur në ofensivë. Osetia Jugore, së bashku me rajonin e Abkazisë, shpalli pavarësinë nga Gjeorgjia në mes të viteve '90. Presidenti i Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili, është zotuar të vërë përsëri nën kontroll të dyja rajonet. Tensionet kanë vazhduar të shkallëzohen gjatë muajve, ndërkohë që Rusia ka intensifikuar lidhjet ekonomike, tregtare dhe politike me dy rajonet separatiste. Një seri veprimesh ushtarake si nga Gjeorgjia dhe nga Rusia në rajon ndihmuan në rritjen më tej të tensioneve. Shumë ekspertë nuk po gjejnë shpjegim për faktin përse President Sakashvili vendosi të dërgojë trupa në Osetinë Jugore në atë kohë. Por shumë analistë, përfshirë Marshall Goldman i Universitetit Harvard, thotë se ky hap ishte një llogaritje shumë e gabuar. "Ai gjeti tamam momentin e gabuar. Sakashvili ishte i irrituar pasi rusët kishin shkelur hapësirën ajrore të Gjeorgjisë. Ndoshta ai mendonte se kjo ishte mënyra më e mirë për të vepruar. Pa dyshim ky veprim i provokoi rusët. Mendoj se rusët po kërkonin justifikim dhe Sakashvili ia dha këtë shans". Udhëheqësit perëndimorë, përfshirë presidentin amerikan Xhorxh Bush, thonë se përgjigjja ruse ka qenë më e ekzagjeruar se duhet. Robert Legvold i Universitetit Kolumia në Nju Jork thotë se përgjigjja e fortë ushtarake e Rusisë i kapërcen tej mase arsyet e saj fillestare për të mbrojtur qytetarët rusë në rajon: "Nuk bëhet më fjalë për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Osetinë Jugore. Tani, mendoj unë, synimi është të shkatërrohet ndikimi i Gjeorgjisë në Osetinë Jugore dhe bile edhe në Abkazi, si dhe përgatitja e terrenit, nëse Rusia e dëshiron një gjë të tillë, për aneksimin e Osetisë Jugore. Në rastin e Abkazisë, synohet që të njihet pavarësia e këtij rajoni dhe pastaj të fillojnë përpjekjet për një formë tjetër marrëdhëniesh me të". Analistët thonë se përgjigjja e komunitetit ndërkombëtar ndaj konfliktit në Gjeorgji ka qenë e vakët. Ja si shprehet analisti Marshall Goldman: "Europianët kanë qenë të neutralizuar. Pjesërisht për arsye se janë të varur nga nafta dhe gazi rus. Për shembull, në rastin e Gjermanisë, Rusia përmbush 42 për qind të nevojave të këtij vendi për gaz natyror. Prandaj nuk mund të pritet që gjermanët të marrin rol udhëheqës në këtë çështje". Ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara, përkrahëse të forta të Presidentit gjeorgjian Sakashvili, nuk kanë qenë në gjendje të bindin të dyja palët të ndalin konfliktin. Robert Legvold thotë se kjo krizë mund të rezultojë në një dështim të politikës së jashtme amerikane, pasi nga njëra anë nuk është në gjendje të ndihmojë ushtarakisht Gjeorgjinë, dhe nga ana tjetër nuk është në gjendje të mbajë nën kontroll Rusinë: "Gjeorgjianët po fajësojnë Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që edhe Moska po fajëson Shtetet e Bashkuara. Gjeorgjianët fajësojnë Uashingtonin se i kanë braktisur, i kanë tradhtuar. Rusët akuzojnë Shtetet e Bashkuara, pasi ata prej kohësh kanë mbështetur Sakashvilin, që rusët e konsiderojnë si një udhëheqës kokëkrisur". Analisti Legvold dhe të tjerë mendojnë se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë për të siguruar një ndalim-zjarri para se konflikti në rajon të dalë plotësisht jashtë kontrollit.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›