Autoriteti i Konkurrencës: Gjykatat pengojnë punën tonë
Pothuajse të gjitha vendimet e Autoritetit të Konkurrencës përfundojnë të apeluara në gjykata, duke sjellë zvarritje të ekzekutimit të gjobës. E gjendur në komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, tha hapur se deri tani nuk është vjelë asnjë gjobë për shkak të zvarritjes së proceseve në gjykata. "Mendoj personalisht që krijimi i Gjykatës Administrative do t‘i jepte fund situatës së krijuar", theksoi Lati. Autoriteti i Konkurrencës raportoi dje në Komisionin e Ekonomisë mbi progres-raportin e Komisionit Europian në fushën e konkurrencës. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë vlerësuan progresin e Autoritetit të Konkurrencës në zbatimin e ligjit për një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg dhe u shprehën për një mbështetje të vazhdueshme për realizimin e funksioneve të autoritetit në zbatim të ligjit, si dhe në nismën për ndryshimin e ligjit ekzistues "Për mbrojtjen e konkurrencës". Ata shprehen se do të bashkëpunojnë ngushtësisht në funksion të evidentimit të të gjitha konkluzioneve të raport-progresit dhe ndërhyrjes së autoritetit për të siguruar një ekonomi tregu funksionale.