Gjykata italiane, burg agjentëve të CIA-s
Një gjykatës italian ka dënuar dje 23 amerikanë në mungesë për grabitjen në vitin 2003 të një kleriku egjiptian nga një rrugë e Milanos. Në këtë rast ka pasur të përfshirë edhe nga programi i posaçëm i arrestimeve të CIA-s, i krijuar posaçërisht nga administrata e kaluar në luftën kundër terrorizmit. Në përfundim të seancës së gjykimit, ish-shefi i CIA-s për Milanon është dënuar me 8 vjet burg dhe 22 të dënuarit e tjerë kanë marrë secili dënim me nga 5 vjet. Amerikanët, të identifikuar nga prokurorët si agjentë të CIA-s, janë gjykuar në mungesë. Në Uashington, zëdhënësi i CIA-s nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me dënimet, duke thënë se "CIA nuk komenton asnjë nga veprimet e të akuzuarve". Avokatët e 23 të dënuarve kanë deklaruar se do të apelojnë vendimin. Të dënuarit janë në kërkim nga ana e autoriteteve italiane dhe prokurori i çështjes deklaroi se ai do t‘i kërkonte qeverisë të lëshonte një fletë arresti ndërkombëtar në bazë të provave dhe vendimit të gjyqit. Deri tani, qeveria e Berluskonit, që ka qenë një nga aleatet më të ngushta të administratës së shkuar të Presidentit Bush, ka refuzuar marrjen e një mase të tillë. Vendimi është një sinjal i fuqishëm për të gjithë ata anëtarë ose bashkëpunëtorë të CIA-s që kanë kryer krime në Europë. Gjyqi i mësipërm ka zgjatur thuajse tre vjet. Amerikanët që sapo janë dënuar, janë akuzuar për grabitjen e Osama Moustafa Hassan Nasr, i njohur ndryshe si Abu Omar më 17 shkurt të vitit 2003 në Milano. Më pas, ata e transferuan atë në bazat amerikane në Itali dhe Gjermani. Prej andej, ai është çuar në Egjipt, ku sipas dëshmive të tij është torturuar. Më pas është lënë i lirë, por nuk e kanë lejuar që të lërë Egjiptin për të marrë pjesë në gjyq. Gjyqi në fjalë është i pari i organizuar nga një qeveri e një vendi të caktuar kundër programit të arrestimeve të CIA-s, që merrej edhe me transferimin e të dyshuarve për terrorizëm në burgjet e fshehta që ndodheshin nëpër botë, pra jashtë territorit amerikan. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut deklarojnë se këto lloj manovrash e transferimesh ishin mënyrat e përdorura nga CIA për të ushtruar torturë ndaj personave të ndryshëm jashtë burgjeve amerikane, ku tortura nuk lejohet. Procedimi i çështjes së Milanos ka vënë në vështirësi marrëdhëniet mes Amerikës dhe Italisë. Për një rast të tillë, autoritetet e CIA-s nuk kanë dashur të bëjnë asnjë lloj komenti, ndërsa autoritetet shtetërore italiane kanë preferuar të qëndrojnë jashtë një çështjeje që, sipas tyre, e ka në dorë gjyqësori. Gjyqi ka vazhduar për 3 vjet, pavarësisht gjithë vështirësive që i kanë dalë përpara kohë pas kohe, pasi materialet që janë përfshirë në të shpesh janë konsideruar të "klasifikuara", përfshi dosjet e kapura në apartamentin e Romës së një agjenti të Shërbimeve Sekrete Italiane.