E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti Bujqësor, studentët futen në grevë

Studentët e Universitetit Bujqësor hynë dje në grevë urie, pas protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit. Pas përplasjes me policinë, 15 prej tyre arritën të ngujoheshin në mjediset e brendshme të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Studentët kërkojnë vazhdimin e studimeve në nivelin e dytë, sipas Kartës së Bolonjës. Por, drejtuesit e këtij universiteti kanë vendosur një mesatare pranimi, si kusht për kalimin në nivelin e dytë. Ka qenë ora 11:30 e paradites së djeshme, kur studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës u përplasën me policinë, pasi kanë tentuar të hyjnë me forcë për të nisur një grevë urie. Forcat e rendit nuk kanë lejuar hyrjen e studentëve për të nisur grevën. Kërkesa e tyre është përqendruar në shtimin e kuotave për diplomat e nivelit të dytë. Edhe herë të tjera studentët e këtij universiteti kanë zhvilluar protesta në të cilat kanë paralajmëruar nisjen e grevës së urisë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Studentët kërkojnë të ndjekin studimet e ciklit dyvjeçar, për të marrë një diplomë të nivelit të dytë të integruar, kjo në përputhje me sistemin e Bolonjës. Studentët paralajmërojnë se do të rrinë të ngujuar deri në fund të zgjidhjes së kërkesës së tyre, kjo pasi cikli trevjeçar që ata kanë përfunduar aktualisht, nuk njihet nga tregu i punës si diplomë. Kanë qenë përfaqësuesit e Universitetit Bujqësor ata që kanë njoftuar policinë për ngjarjen dhe menjëherë forcat e rendit kanë mbërritur pranë Fakultetit të Agrobiznesit.

Pavarësisht njoftimit, studentët nuk janë tërhequr mbrapsht, por kanë vazhduar protestën e tyre, duke sqaruar se do të dalin nga greva vetëm pas plotësimit të afateve. Nga ana tjetër, këtë vit studentët e Mjekësisë, studentët e Vlorës, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, kanë pasur probleme me kërkesat e tyre dhe u janë drejtuar strukturave arsimore nëpërmjet protestave për të gjetur një zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›