Autoriteti i Konkurrencës: IEKA, nuk përbën monopol në treg
Ligji i sjellë për miratim nga qeveria krijoi debate mes grupeve të ndryshme të interesit, për faktin se i jepte të drejtë vetëm IEKA-s, të certifikonte ekspertët kontabël. Për këtë çështje, Ministria e Financave kërkoi nga Autoriteti i Konkurrencës që të jepte mendimin rreth faktit nëse ligji i ri i qeverisë krijonte kufizime në treg. Në bazë të nenit 69 të ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës", Komisioni i Konkurrencës, jep vlerësime për projektaktet normative në lidhje me shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës, vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të drejtave të veçanta në zona të caktuara për ndërmarrje ose produkte të caktuara etj. Pas dy javë studimi të fakteve, Autoriteti i Konkurrencës u shpreh duke thënë se ligji nuk sjell kufizime në treg, edhe pse IEKA do të jetë institucioni i vetëm që do të certifikojë ekspertët kontabël. "Duke u bazuar në praktikat e vendeve të BE-së, profesionet e lira, të tilla si avokatët, juristët, kontabilistët, farmacistët, mjekët etj., janë subjekt i rregullimeve të veçanta, të tilla si kufizimet e reklamave, nivelet e komisioneve, të drejtave ekskluzive dhe rregullave për të ndaluar bashkëpunimin ndërprofesional, për shkak të sigurimit të një shërbimi profesional dhe cilësor", shprehet në një letër Komisioni i Konkurrencës. Sipas tij, projektligji nuk përmban shkallë të kufizimit apo pengimit të konkurrencës në lidhje me ushtrimin e profesioneve të lira.