Debati politik, ngec fondi 30 milionë lekë
Një fond prej 30 milionë lekësh për të përballuar krizën ekonomiko-sociale që ka mbërthyer vendin është bllokuar në Bashkinë e Durrësit për shkak të mosmiratimit të projektbuxhetit 2009. Mosmiratimi dhe largimi jashtë shtetit i sekretares së këshillit bashkiak konsiderohen nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, si të qëllimshme dhe mbajtje peng e investimeve në qytet. Ndërkaq, demokratët vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat pozita duke kërkuar transparencë dhe hedhur poshtë projektin e paraqitur nga administrata bashkiake. Kryetari i Bashkisë së Durrësit doli dje në një konferencë për shtyp për të informuar mbi fatin e buxhetit 2009, që nuk u votua në këshillin bashkiak, pasi këshilltarët e PD-së që përbëjnë shumicën nuk pranuan as ta diskutonin atë. Dako tha se komisioni i ekonomisë i drejtuar nga ish-kryebashkiaku, Arqile Gorea, as nuk është mbledhur për ta diskutuar më parë buxhetin. Në bazë të ligjit për pushtetin vendor, buxheti duhej të ishte miratuar brenda 31 dhjetorit, ndërkohë që qeveria e dërgoi grantin më 24 dhjetor, duke e bërë të detyrueshme shtyrjen e hartimit të buxhetit. Ky grant përbën 33% të buxhetit të bashkisë. Pengesat, sipas Dakos, pasuan dhe nga Prefektura e Durrësit, ndërkohë që më 23 shkurt kur pritej miratimi i projektbuxhetit, demokratët e përjashtuan nga rendi i ditës. Afati i fundit për kalimin e buxhetit është 31 marsi. Për të mundësuar miratimin e tij në kufijtë kohorë ligjorë, bashkia ka kërkuar me shkresë që buxheti të merret në konsideratë brenda 5 ditësh, po sekretarja e KB-së, përfaqësuese e partisë së Pollos, që duhet të administrojë shkresën gjendet jashtë vendit. Situata është vlerësuar absurde dhe Dako ka bërë thirrje që këshilltarët e PD-së të venë interesat e qytetit mbi ato politike.