Rama: “Ligji i dosjeve, Berisha me dy fytyra”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka quajtur të turpshëm qëndrimin dhe deklaratat e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me ligjin e dosjeve. Rama deklaroi se Berisha po përpiqet ta hapë këtë çështje për të shkatërruar sistemin gjyqësor dhe për të mbrojtur korrupsionin e tij dhe të ministrave të qeverisë së tij të korruptuar. Kreu i PS-së e akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se gjatë qeverisjes së tij mendoi më shumë për të instaluar diktaturën e korrupsionit, sesa të dëmshpërblinte të përndjekurit politikë, që u goditën nga diktatura komuniste.
Deklarata
Kreu i selisë rozë tha se kryeministrit Berisha duhet t’i vijë turp për dyfytyrësinë që po tregon në lidhje me këtë çështje. “Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse qëllimi i tij nuk ishte dënimi i diktaturës së komunizmit, po mbrojtja e diktaturës së korrupsionit. Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse teksa fliste për plagët e komunizmit, e kishte mendjen te lulet e korrupsionit; teksa ngrinte zërin për krimet politike të partisë së tij të vjetër, e kishte hallin te krimet ekonomike të partisë së tij të re; teksa akuzonte duke ngritur gishtin ndaj shokët e tij të dikurshëm në shërbim të diktaturës së proletariatit, e kishte merakun te gishti i ngritur nga organi i sotëm i akuzës në adresë të qeverisë së tij”, - deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama.
Të përndjekurit
Rama theksoi se kryeministrit Berisha duhet t’i vijë turp për pafytyrësinë e tij në lidhje me ligjin e dosjeve. Kreu i selisë rozë tha se kryeministri Berisha, në vend që të ndihmonte për dëmshpërblimin real të të përndjekurve politikë, po mendon që me anë të këtij ligji vetëm të mbrojë ministrat e pandehur të qeverisë së tij. “Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që mandati i tij po mbaron duke abuzuar me viktimat e komunizmit për të mbrojtur të pandehurit e korrupsionit, asnjë i përndjekur politik nuk ka marrë ende asnjë qindarka nga kjo qeveri që s'bën kurrë atë që thotë, e cila, vetëm me lekët që u merr shqiptarëve nga taksat për të paguar televizionet që të shfaqin reklamat e qeverisë do të kishte dëmshpërblyer, për çdo 30 sekonda gënjeshtra televizive qeveritare, ditën e 45-të të internuarve apo të 23 të burgosurve politikë sipas shumës që përcakton ligji i vetë Sali Berishës. Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që të përndjekurve politikë u ka marrë prej 17 vjetësh jo vetëm votën, por edhe flamurin, tani që po mbaron edhe mandati i tij i fundit për të drejtuar punët e vendit, kërkon që me gjakun, plagët, vuajtjet, sakrificat, hallet e problemet e tyre të pafundme, sot e gjithë ditën, jo vetëm të mbulojë duart e pista të kësaj qeverie të kalbur nga korrupsioni, po edhe të marrë përsëri një mbështetje tërësisht të pamerituar për të përfaqësuar këtë shtresë të vrarë e të torturuar nga Enver Hoxha dhe të mashtruar e të përqeshur nga sekretari i tij i dikurshëm, komunisti i vjetër Sali Berisha”, - tha Rama.
Rama: “Berishës t’i vijë turp për akuzat ndaj babait tim”
Rama reagoi gjithashtu edhe ndaj sulmeve të kryeministrit Berisha në drejtim të babait të tij, që nuk jeton më, Kristaq Rama. Kreu i selisë rozë deklaroi se kryeministrit Berisha duhet t’i vijë turp që prek njerëzit e familjes, duke demonstruar politikën e vjetër që e karakterizon. “Mbrëmë shqiptarët e shqiptaret patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe kryeministrin e sotëm të vendit, komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë, Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë. I dyfytyri Sali Berisha, i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën dhe për t'i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim. Nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime, as nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e njeriut që sot fatkeqësisht qeveris Shqipërinë. Kur kam marrë përsipër të udhëheq betejën për ta larguar nga skena politike këtë monument të dyfytyrësisë së politikës së vjetër të 17 viteve tranzicion, i kam marrë parasysh të gjitha, që nga balta e pafundme e akuzave dhe shpifjeve mbi fytyrën time, deri te trazimi i të gjallëve dhe të vdekurve të familjes sime. Unë jam këtu për t'i thënë Sali Berishës se si djali i një nëne duhet të të vijë një herë turp, si burri i një gruaje duhet të të vijë dy herë turp, si babai i dy fëmijëve duhet të të vijë dhjetë herë turp, si gjyshi i nipave e mbesave të tua duhet të të vijë njëqind herë turp dhe si kryeministri i të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, që të shohin e dëgjojnë kur dhunon traditën familjare e kodin etik të tyre, duhet të të vijë njëmijë herë turp”, - tha Rama.
G99-a: Bode ta lërë diskutimin për spiunët, por të ndërhyjë për uljen e çmimit të naftës
Lëvizja “G99” kërkon nga qeveria dhe veçanërisht nga Ministria e Financave, që të ndërhyjë për të marrë masat për frenimin e abuzimeve me çmimin e naftës në Shqipëri. Aktivisti i G99-s, Etjen Xhafaj, tha se qeveria nuk mund të injorojë shqetësimin e shprehur nga qytetarët për çmimin e lartë të naftës, edhe pse ai shënon ulje të ndjeshme në tregun botëror. Xhafaj tha se ministri Bode duhet të lërë mënjanë diskutimet për ligjin e spiunëve, por të marrë masa për frenimin e abuzimeve. “Çmimet e karburantit në bursat ndërkombëtare vazhdojnë të jenë të ulëta, ndërsa në Shqipëri ato kanë ndryshuar me më pak se 5% në katër javë. Alibia e rezervave është ezauruar tanimë. Po ndërsa qytetarët vazhdojnë të shprehin shqetësim për këtë situatë, qeveria vazhdon të injorojë edhe këtë sinjal rreziku. Ministri i Financave nuk duhet dhe nuk mundet të merret me spiunët në një kohë kur kriza ka arritur në Shqipëri. G99-a thekson edhe një herë se kostot e çmimeve spekulative po i paguajnë konsumatorët shqiptarë. Në një krizë që rrezikon mbi të gjitha fuqinë blerëse e të gjitha vendeve në zhvillim, shteti ynë duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershme për të zgjidhur përfundimisht këtë nyje gordiane”, - tha Xhafaj.
17 Dhjetor 2008