E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Propozimet për përmirësimin e Kodit të ri Zgjedhor



Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar dje amendamentin e propozimeve të saj për korrigjimet që i duhen bërë Kodit të ri Zgjedhor në Komisionin e posaçëm Parlamentar. Amendamenti i LSI-së konsiston kryesisht në përbërjen e KQZ-së, në përbërjen e komisioneve të numërimit të votave si dhe në mënyrën e numërimit të votave dhe të shpërndarjes së mandatave. Amendamenti i LSI-së është bërë dje publik nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Petrit Vasili, i cili gjatë një konference për shtyp deklaroi: “Duke e vlerësuar si një moment reflektimi rikthimin e Kodit në Komisionin përkatës që mbulon Reformën zgjedhore, LSI-ja me grupin e saj shumë të gjerë të ekspertëve, mjaft të specializuar, ka paraqitur dhe do të përgatisë amendamentet e saj lidhur me dy çështje thelbësore, për administrimin e zgjedhjeve dhe formulën e shpërndarjes së mandateve, të cilat do të jenë propozime dhe amendamente konkrete, që do të vihen në dispozicion të Komisionit për shqyrtim”.

KQZ-ja

Propozimet e LSI-së për përmirësimin e Kodit të ri Zgjedhor kanë të bëjnë kryesisht me tri çështje: përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përbërjen e komisioneve të numërimit të votave (KZAZ-të) si dhe për mënyrën e shpërndarjes së mandateve brenda një koalicioni. Në nenin 14 të Kodit të ri Zgjedhor, që ka të bëjë me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LSI-ja propozon që KQZ-ja të ketë 6 anëtarë. Propozimet për anëtarët e saj të jenë sipas kësaj formule: “Tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare”. Sipas këtij propozimi, renditja e partive sipas përcaktimeve të këtij neni bëhet mbi bazën e numrit të mandateve që ka fituar partia politike në zgjedhjet pararendëse për Kuvend.

Komisionerët

Çështja e përfaqësimit në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ-të) ka qenë një prej pikave më të kontestuara në Kodin e ri Zgjedhor nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Madje deputetë të LSI-së, të PDK-së e të PS ’91-shit zhvilluan edhe një grevë 8-ditore për shkak të privimit nga e drejta për të marrë pjesë në procesin e rëndësishëm të administrimit të votës. Për përmirësimet e Kodit të ri Zgjedhor LSI-ja ka propozuar ruajtjen e numrit 7 të komisionerëve, por shpërndarja e tyre të jetë në mënyrë të barabartë. “KZAZ përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ sipas procedurës së mëposhtme: tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare... Kjo mënyrë e zgjedhjes së anëtarëve të KZAZ-ve të respektohet dhe për zgjedhjen e anëtarëve të KQV-ve dhe GNV-ve, duke respektuar ndryshimet në nenet 36 dhe 95/2 të këtij Kodi”, - thuhet në amendamentin e propozimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Mandatet

Një tjetër kapitull i kritikuar i Kodit Zgjedhor ka qenë edhe ai i shpërndarjes së mandateve brenda koalicioneve. Në Kod është sanksionuar ndërthurja e formulës D’hondt me Sant Laguë, ndërthurje e cila është kritikuar duke e cilësuar atë si shkaktare të një Dushku të ri. Për këtë arsye, LSI-ja, në amendamentin e saj propozon që mënyra e shpërndarjes së mandateve brenda një koalicioni, të bëhet vetëm mbi bazën e formulës D’hondt. Pra, që të gjitha mandatet brenda një koalicioni t’i marrë ajo parti që ka numrin më të madh të votave. “Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përfitohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”, - thuhet në amendamentin e propozimeve të LSI-së.

Propozimet

1-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përbëhet nga 6 anëtarë, të cilët propozohen nga tri partitë kryesore të shumicës parlamentare dhe tri partitë kryesore të opozitës parlamentare.

2-Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve të përbëhen nga 6 anëtarë + sekretarin. 6 anëtarët të emërohen nga KQZ-ja me formulën e mëposhtme: tre nga propozimet e partive kryesore të maxhorancës parlamentare dhe tre anëtarë me propozimet e partive kryesore të opozitës parlamentare.

3-Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përfitohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›