E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Çështja e dosjeve, farsa e radhës



Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron çështjen e ligjit të dosjeve farsën e radhës për të shkëputur nga vëmendja e opinionit publik problemet dhe shqetësimet reale. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se qëndrimi i LSI-së ishte për të mos e votuar këtë projektligj, duke e konsideruar atë aspak serioz. “Kjo iniciativë e fundit, abortive, për të ashtuquajturin ligjin e dosjeve apo të spiunëve, të pagëzuar në mënyrë gjithfarësh, ka qenë konsideruar nga ne një farsë e radhës për të krijuar në fokus vëmendje të re politike për opinionin publik, një vëmendje dhe një fokus i paqenë. Duke qenë një farsë, ajo nuk do ta meritonte votën tonë, sepse ne nuk votojmë farsë”, - tha Vasili. Kundërshtitë dhe rezervat ndaj ligjit të dosjeve u shprehën gjatë seancës së të hënës edhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili kërkoi që ligji për dosjet duhej të kishte përfshirë edhe mjekët e Byrosë Politike apo shkrimtarët, pasi edhe ata kanë luajtur rol në dënimet e kohës së komunizmit. “Ligji është një ligj që vetëm në dy nene trajton thelbin e tij. Në nenet e tjera ai tregon mënyrën se si do të funksionojë komisioni i verifikimit të figurave. Ato dy nene janë punuar keq, me mangësi, por gjithashtu tregon se ka pasur konsensus të plotë. Sepse janë lënë shumë pozicione të rëndësishme dhe janë përfshirë drejtorët e shkollave dhe nuk përfshihen në verifikim shkrimtarët apo mjekët e Byrosë Politike”, - tha Xhufi. Numri një i Grupit Parlamentar të LSI-së e cilësoi si të pavend përjashtimin nga verifikimi i ish-sekretarëve të komiteteve të partisë. “Përse jo sekretarët e parë të komiteteve, të cilët luanin dhe rolin e ministrit të Brendshëm, dhe të hetuesit, dhe gjithçka tjetër”, - tha Xhufi.

17 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›