E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoriteti i Konkurrencës dhe Tatimet, kontroll për çmimin e naftës



Një task-force speciale, e përbërë nga specialistë të Inspektoratit Qendror të Naftës dhe Gazit, Autoritetit të Konkurrencës dhe Policisë Tatimore, kanë ushtruar kontrolle në pikat e tregtimit të karburanteve në kryeqytet. Qëllimi i kontrollit ishte që të vëzhgonin dhe konstatonin çmimin me të cilin po tregtohet aktualisht nafta për litër. Po kështu, autoritetet tatimore kanë pasur për qëllim edhe konstatimin e dhënies së kuponit tatimor nga kasa për çdo klient që furnizonte makinën e tij me karburant në pikat e shitjes me pakicë (distributorët). Për të mbajtur çmimet e tregtimit të karburanteve me pakicë në një vëzhgim konstant dhe për të mos toleruar më spekulimet, qeveria ka nxjerrë edhe udhëzime të posaçme për grosistët dhe tregtarët.
Udhëzimi i ri sanksionon që shitësit me pakicë të konsiderohen “nënfurnitorë shërbimi” për kompanitë e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve dhe të naftës. Me këtë tagër Tatimet do të llogarisin TVSH-në 20 për qind mbi çmimin final të shitjes së produktit dhe jo mbi çmimin e shumicës. Kjo skemë është zbatuar sakaq te cigaret dhe ka sjellë rritje çmimesh nga 10 në 30 lekë në tregun me pakicë, si dhe një rritje të çmimeve të shumicës nga 4 në 10 lekë për paketë. Te nafta, ku çmimet janë më fleksibël, udhëzimi i ri i ngarkon shqiptarët me 2-3 lekë taksa më shumë. Shumë shpesh media dhe qytetarët akuzojnë grosistët e naftës për çmime spekulative. Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim mbi Shoqatën e Hidrokarbureve, pas informacioneve se kjo shoqatë shërben edhe si një zyrë për koordinimin e grosistëve në përcaktimin e çmimeve. Çmimi i naftës në Shqipëri është ulur me vetëm 5-6 për qind gjatë muajit të fundit, në një kohë që në tregun ndërkombëtar çmimet kanë rënë me më shumë se 40 për qind.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›