E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagesat nën dorë, Tatimet zbulojnë inspektorët që merrnin ryshfete nga bizneset



Ervin Koçi

Është bërë e udhës që shumë subjekte biznesi, për të mos kryer të gjithë derdhjen e detyrimeve në shtet, paguajnë një shumë më të vogël nën dorë te inspektorët e Tatimeve. Kaq e përhapur është bërë kjo “metodë” pune në vend, saqë inspektorët tatimorë të zonave janë kthyer tashmë në “milionerët” apo dhe “miliarderët” e rinj, që hanë në kurriz të shtetit. Kjo skemë vërehet sidomos te subjektet e biznesit të vogël. Këta të fundit, për t’u mbijetuar detyrimeve dhe taksave që janë të larta në raport me rënien e xhiros dhe fuqinë blerëse, shikojnë si rrugë më të përshtatshme pagesën e ryshfeteve nën dorë te taksidarët dhe inspektorët e Tatimeve, me qëllim që të shmangin shlyerjet e detyrimeve në shtet. Në vite një eksperiencë e tillë ka krijuar një deficit të jashtëzakonshëm në grumbullimin e të ardhurave nga tatimet, si dhe i ka sjellë humbje të mëdha buxhetit të shtetit. Aktualisht nga kontrollet e ditëve të fundit, Policia Tatimore në kryeqytet, duke kontrolluar për vendosjen e kasave dhe për dokumentacionin në subjektet e biznesit, ka zbuluar rreth 75 subjekte të biznesit të vogël, të cilët kishin paguar te inspektorët e zonës para nën dorë për të mos paguar detyrimet e tjera tatimore. Me anë të kësaj pagese, inspektori tatimor i zonës bën shmangien e subjektit nga kontrollet dhe detyrimet fiskale, duke e paraqitur atë ose si të mbyllur ose si të falimentuar.

Konstatimi edhe nga Banka Botërore

Sipas një vëzhgimi të kryer nga Banka Botërore, 65 për qind e kompanive shqiptare i paguajnë zyrtarët e qeverisë vetëm “për të mbaruar punë”. Tre të katërtat e kompanive deklarojnë se paguajnë para nën dorë te zyrtarët e Tatimeve dhe Doganave, në mënyrë që këta të fundit atë punë që kanë për detyrë ta kryejnë me ligj. Nga një vëzhgim i kryer për llogari të Bankës Botërore, në Shqipëri, numri i kompanive që deklarojnë se kanë dhënë para te zyrtarët për të vënë punët në vijë është dy herë më i lartë sesa mesatarja e rajonit. Në rajonin e Ballkanit, rreth 34 për qind e kompanive kanë deklaruar pagesa nën dorë për të marrë vula e firma nëpër zyrat e shtetit. Tatimet dhe tenderat janë, si zakonisht, më problematiket. Nga vëzhgimi i kryer në kompanitë shqiptare, 77 për qind e kompanive private kanë paguar para te zyrtarët tatimorë gjatë vitit të kaluar, thjesht për të mbaruar punë, ndërsa për të fituar tenderime publike 56 për qind e kompanive janë detyruar të paguajnë para nën dorë. Menaxherët e kompanive në Shqipëri deklarojnë se shpenzojnë rreth 10 për qind të ditës së tyre të punës, duke u marrë me probleme të shkaktuara nga qeveritë. Rreth gjysma e tyre deklarojnë se e konsiderojnë Administratën Tatimore si problemin më të madh të vetin. Për të kryer biznes në Shqipëri kompanitë duhet të paguajnë 44 këste taksash të ndryshme.

Energjia rrënon biznesin

Nga kompanitë e intervistuara në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, rezulton se biznesi shqiptar ka humbur rreth 11 për qind të prodhimit të vet normal si pasojë e ndërprerjeve të dritave. Në rajonin e Ballkanit, ky problem shkakton rënie në eficiencë vetëm në masën 3 për qind. Shqipëria përjetoi krizën më të rëndë energjetike në histori gjatë vitit 2007, me pasoja bllokuese për të gjithë ekonominë. Megjithatë, zyrtarisht qeveria shpalli se ekonomia është rritur njësoj si vitet e tjera. Programi i Vëzhgimit të Biznesit kreu intervista në 304 kompani të ndryshme në Shqipëri, gjatë vitit të kaluar, për të dalë në konkluzionet e mësipërme. Shumica e kompanive të intervistuara qenë në pronësi shqiptare.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›