Kredia e keqe nuk ndalet as në vitin 2008
Specialistët e bankave kanë paralajmëruar kohë më parë për këtë fenomen që po ndodh tashmë prej muajsh. Pjesa dërrmuese e kredive janë dhënë në vitet 2005, 2006 dhe 2007, duke qenë ende të reja në moshë për t’u provuar nëse ato do të kthehen apo jo. Dhe viti 2008 është viti i dytë dhe i tretë, përkatësisht, për pjesën më të madhe të portofolit të kredisë së dhënë nga ana e sistemit bankar. Një fakt i tillë tregon se me kalimin e viteve, situata mund të bëhet edhe më e vështirë, pasi edhe mënyra e llogaritjes së kredisë së keqe mbetet ende jo me shumë vlerë, pasi portofoli është rritur me ritme shumë të shpejta. Treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit (mbi baza bruto) përllogaritet në nivelin 4.31 për qind, nga 3.92 për qind në 3-mujorin e parë. Kjo ecuri jopozitive pritet të vazhdojë, si rezultat i ritmit të lartë rritës të kredive të akorduara gjatë këtyre viteve dhe efektit të shtyrë në kohë të kredive me probleme. Edhe treguesi “kredi me probleme/teprica e kredisë (neto)”, i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, u përkeqësua, në nivelin 2.43 për qind nga 2.08 për qind në 3-mujorin e mëparshëm”, - bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit.
Bankat vazhdojnë politikën agresive për dhënie kredish
Sistemi bankar nuk ndalet në dhënien e kredive. Sipas BSH-së, treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave” ka pësuar sërish rritje. Veçanërisht dallohen bankat e mesme, të cilat shfaqin një prirje më të madhe për të rritur peshën e kredive kundrejt depozitave. Treguesi shfaq vlerë të ulët në monedhën vendase dhe në USD. Treguesi në monedhën euro, pas një rënieje të lehtë gjatë viteve 2006 dhe 2007, është rritur në tremujorin e parë të vitit 2008, duke arritur vlerën e fundit të vitit 2004 dhe ka vazhduar të rritet më tej, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008.
19 Shtator 2008