Zëvendëspresidenti i KE-së, Barrot: Shqipëria, më tepër punë për trafikun e drogës
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barrot, është shprehur gjatë një seminari të mbajtur dje në Bruksel me temë “Lufta e BE-së kundër drogës”, se mbetet ende shqetësues trafiku i drogës nga Shqipëria. Ai madje ka bërë të ditur se për këtë çështje ka diskutuar gjatë takimit të zhvilluar së fundi me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha. Sipas Barrotit, jo vetëm Shqipëria, por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë të interesuara të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave, i kanë të qarta kërkesat e Komisionit Europian.
“Po, sigurisht. Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i thashë se kjo është një nga pikat ku ne jemi shumë kërkues. Ne duam që Shqipëria të jetë shumë efikase në luftën e saj si kundër kulturave të prodhimit, ashtu edhe ndaj fabrikimit të drogave dhe lëndëve narkotike”, - është shprehur Zhak Barrot. Më tej ai bëri të ditur në këtë seminar dhe kërkesat e KE-së për vendet e Ballkanit. “Në marrëdhëniet tona me shtetet ballkanike nuk harroj kurrë të nënvizoj rëndësinë që i kushtojmë kësaj çështjeje. Siç e dini, ata janë të interesuar për t’u afruar me BE-në për të arritur lehtësimin e regjimit të vizave. Parimet madhore për t’u arritur kjo janë: lufta kundër krimit të organizuar dhe ndërprerja e një numri trafiqesh siç është ai i drogës. Është arritur diçka, por ka ende shumë për të bërë”,- është shprehur Barrot.
19 Shtator 2008