E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga falimenti, BSH-ja urdhëron bankat të garantojnë depozitat e klientëve

Kredia me probleme ka arritur në 2.7 miliardë lekë të pakthyera. Bankat humbasin 60 milionë dollarë në 6 muajt e fundit

Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë u ka kërkuar në mënyrë emergjente bankave private që të krijojnë rezerva monetare dhe depozita të sigurta në banka më të fuqishme jashtë vendit, por dhe garanci në valutë dhe metale me vlerë edhe pranë saj. E gjitha kjo bëhet me qëllimin e vetëm për garantimin dhe mbrojtjen e klientëve dhe të depozituesve, nga çdo rrezik i mundshëm falimentimi apo mungesë likuiditeti. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin paraqet një rritje të pakonsiderueshme prej 0,1 përqindësh, duke arritur në masën 17,3 për qind. Kërkesa për kapital rregullator për mbrojtjen nga ndryshimet në kursin e këmbimit e cila përllogaritet me bazë 6-mujore, paraqitet në 418 milionë lekë ose 0.7 për qind e kapitalit rregullator të sistemit për qershorin 2008 dhe përfshin 10 banka të sistemit. Norma e përgjithshme e mbulimit të sistemit tregon se kapitali rregullator i sistemit tejkalon me 39 për qind, kapitalin rregullator të nevojshëm për të mbuluar rrezikun e kundërpartisë, rrezikun e normës së interesit dhe rrezikun e kursit të këmbimit. Ritmet e ndjeshme të kreditimit të ekonomisë janë shoqëruar me moskthim të huave të marra nga klientët. BSH-ë ka evidentuar në raportin e Këshillit Mbikëqyrës se është rritur sasia e kredive të pakthyera nga individët dhe bizneset. Sipas institucionit mbikëqyrës bankar, gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti kredia me probleme arriti në 2.7 miliardë lekë ose 4.3 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Ekspertët e BSH-së evidentojnë se kjo ecuri jo pozitive pritet të vazhdojë, si rezultat i ritmit të lartë rritës të kredive të akorduara gjatë këtyre viteve dhe efektit të shtyrë në kohë të kredive me probleme. Gjatë periudhës 3-mujore prill qershor të këtij viti, bankat kanë dhënë 33.5 miliardë lekë kredi ose 10.7 për qind më shumë kundrejt tremujorit të mëparshëm. Ato vazhdojnë të kreditojnë më shumë tregtinë, shërbimet dhe ndërtimin si sektorët që ofrojnë më shumë siguri, ndërkohë që nuk kanë mbështetur bujqësinë, si një fushë me shumë risk.

Provigjonet, vetëm 2.97%

Banka e Shqipërisë bën të ditur se mbulimi me provigjonë në fund të 6-mujorit të parë është 2.97 për qind. Kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme janë të mbuluara me provigjone dhe mbeten hëpërhë nga më të sigurtat për një kthim nga ana e bankave për të gjithë ata kreditorë që nuk paguajnë në kohë. Por një pjesë e madhe e kredisë është e dhënë për konsum dhe kjo mbetet pjesa më e vështirë për t’u kthyer nga ana e bankave, pasi mbi këtë kredi nuk ka provigjone dhe e vetmja mundësi është kthimi i kredisë nga vetë klienti i bankës. Edhe kredia e dhënë për biznes paraqet problematikë për kolateral, pasi biznese të mëdha mbeten të vështira për t’u shitur me vlerën që ato kanë vënë në hipotekë. Tremujori i dytë 2008 shënon rritjen e kredive me probleme me rreth 2.7 miliardë lekë ose me 21.6 për qind. Treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit (bruto) përllogaritet në nivelin 4.31 për qind, nga 3.92 për qind në tremujorin e parë. Kjo ecuri jopozitive pritet të vazhdojë, si rezultat i ritmit të lartë rritës të kredive të akorduara gjatë këtyre viteve dhe efektit të shtyrë në kohë të kredive me probleme. Edhe treguesi "kredi me probleme/teprica e kredisë (neto)", i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, u përkeqësua, në 2.43 për qind nga 2.08 për qind një tremujor më parë.

Masat shtrënguese

Banka e Shqipërisë ka marrë masa shtrënguese për bankat e nivelit të dytë gjatë gjithë vitit 2008, por këto kredi që nuk kthehen nuk i përkasin kësaj periudhe. Ato janë dhënë kryesisht në periudhën 2005-2007. Portofoli i kredive të dhëna nga ana e bankave të nivelit të dytë ka kaluar 3 miliardë euro, ndërsa kredia e keqe në total po shkon në 130 milionë euro. Por një shifër e tillë mbetet e përkohshme, pasi një shifër disa herë më e madhe i përket kredisë me vonesa ose nën standarde. Këta klientë që paraqesin vonesa në pagimin e kësteve janë edhe më të rrezikuarit për t’u kthyer në grupin e atyre që konsiderohen si të humbur nga ana e bankave.

19 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›