Kryeministri takon ekipin e Bankës Botërore, që hartoi raportin pozitiv për qeverinë
Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje në një takim të veçantë ekspertët e Bankës Botërore që hartuan raportin pozitiv për arritjet ekonomike të qeverisë shqiptare.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha falënderoi ekspertët e Bankës Botërore për raportin në të cilin reflektohen reformat ekonomike të Shqipërisë gjatë periudhës së marrë në analizë dhe kërkoi angazhimin e këtij ekipi për të pasqyruar në raportin e ardhshëm reformat që përmban axhenda e këtij viti, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe stimulimin e prodhimit të brendshëm. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij për ekipin e Bankës Botërore, i cili po asiston edhe në hartimin e një strategjie për investimet e huaja. Berisha vlerësoi se ky dokument ka një rëndësi të madhe në adresimin e vëmendjes së investitorëve në sektorë të rëndësishëm, për të mundësuar një numër më të madh vendesh pune. Po gjatë ditës së djeshme Berisha priti përfaqësuesit e kompanisë “WEB Wind Energy”. Përfaqësuesit e saj shprehën interes për të investuar në sektorin e energjisë dhe prezantuan një projekt-ide për prodhimin e energjisë nga era. Kjo kompani ka në projekt edhe ndërtimin e hidrocentralit në Qukës, Librazhd me kapacitet prodhues 45 megavat. Kryeministri Berisha falënderoi investitorët e huaj për interesin e treguar për të shtrirë aktivitetin e tyre edhe në Shqipëri, në bashkëpunim edhe me partnerë shqiptarë dhe i inkurajoi të investojnë në projektin për prodhimin e energjisë nga era.
19 Shtator 2008