Solis: “I kemi kërkuar Berishës shkarkimin e Barkës”
Eljona Ballhysa
Kryesia e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të shkarkojë nga posti i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Kosta Barkën. Ky vendim është konfirmuar dje për gazetën “Albania” nga nënkryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis. Ai bëri të ditur se PBDNJ-ja i ka kërkuar me insistim disa herë kreut të Ekzekutivit shqiptar që të shkarkojë përfaqësuesin e kësaj partie nga posti i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Por, kryeministri Berisha nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së aleatëve. Ai e ka rrëzuar kërkesën për shkarkimin e Barkës, ndërkohë që ende nuk dihen arsyet.
Konflikti.
Kryesia e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut prej kohësh ka diskutuar rreth largimit të përfaqësuesit të tyre në qeveri, Kosta Barka. Që në kohën kur diskutohej ndryshimi i qeverisë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i kërkoi kryeministrit Berisha shkarkimin e ministrit Barka dhe emërimin në vend të tij të një anëtari tjetër të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Fillimisht kryeministri ktheu përgjigje nëpërmjet vartësve të tij se do ta shqyrtonte propozimin, ndërsa vetëm pasi kishte shpallur formatin e ri të qeverisë, Berisha njoftoi PBDNJ-në për mospranimin e kërkesës së tyre për zëvendësimin e Barkës. Madje, sikurse mësohet, kryeministri, për ditë me radhë ka lënë të kuptohet se është ndjerë i “papërgatitur”, në mos paksa i “bezdisur” nga propozimi i ri i PBDNJ-së, duke shmangur kontaktet dhe takimet e nevojshme mes palëve, që janë të domosdoshme në këto raste. Por që nga ajo kohë dhe deri tani, kryeministri Berisha nuk e ka marrë aspak në konsideratë kërkesën e vazhdueshme dhe insistuese sipas Solisit, të PBDNJ-së për largimin e Barkës.
Shkelja
Një qëndrim i tillë i kryeministrit Berisha tregon qartë se ai ka shkelur marrëveshjen për bashkëqeverisje me PBDNJ-në. Ai vazhdon të mbajë në detyrë një përfaqësues të PBDNJ-së që nuk mbështetet nga kryesia dhe lidershipi i kësaj partie. Pra në realitet kryeministri mban në detyrë një individ që nuk përfaqëson interesat e PBDNJ-së, përderisa kjo parti ka kërkuar shkarkimin e tij. Marrëveshja e koalicionit të partive të djathta në thelb është një marrëveshje klasike, e cila parashikon emërimin dhe zëvendësimin e ministrave apo funksionarëve të tjerë të partive të vogla sipas një procedure që zbatohet rëndom në çdo koalicion. Si rregull, propozimi vjen nga struktura më e lartë vendimmarrëse e partisë në koalicion dhe i shkon për propozim kryeministrit. Kur partia anëtare e koalicionit propozon zëvendësimin e një ministri të saj, zakonisht ikja e ministrit nuk diskutohet. Diskutimet dhe përpjekjet përqendrohen kryesisht në emrat e radhës që propozohen për zëvendësimin. Në diskutimin e emrave të mundshëm është normale që të ketë mosmarrëveshje, por refuzimi kategorik dhe mospërfillës është një akt jo shumë normal në një marrëdhënie koalicioni. Madje duket se mospërfillja e kërkesave të aleatëve ka vënë në pikëpyetje dhe qëndrimin e PBDNJ-së në koalicion me Berishën. Kreu i kësaj partie vetëm dy ditë më parë mori pjesë në tryezën e organizuar nga lideri i opozitës, Edi Rama.
19 Shtator 2008