E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Jashtëm i Palestinës takon krerët e shtetit shqiptar



Ministri i Jashtëm i Palestinës, Rijad Al-Maliki, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë ka zhvilluar takime të ndryshme me krerët e shtetit shqiptar. Ai është pritur dje në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, kryetari i shtetit vuri në dukje nivelin pozitiv të marrëdhënieve të vendit tonë me Autoritetin Kombëtar të Palestinës, si dhe të bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Presidenti Topi shprehu dhe një herë mbështetjen parimisht të shtetit shqiptar të çdo përpjekje të zgjidhjes paqësore, të qëndrueshme dhe afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez dhe situatës në Lindjen e Mesme nëpërmjet bisedimeve dhe negociatave. Ndërkohë, në këtë drejtim, presidenti Topi vuri në dukje se qëndrimi ynë është në një linjë me atë të Bashkimit Europian dhe i bazuar në disa parime kryesore si dialogu politik, mbështetje ndaj forcave të moderuara dhe asistencë ndërkombëtare për lehtësimin e negociatave midis Izraelit dhe Palestinës. Në vijim, presidenti Topi vuri në dukje se kjo vizitë dëshmon edhe njëherë për nivelin shumë të mirë të dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe të përforcuara sot edhe nga nënshkrimi i Marrëveshjes mes dy ministrave respektivë të Jashtëm, që duhet të reflektohen edhe në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike si shkëmbimet tregtare, kulturore, turistike etj.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki, shprehu kënaqësinë dhe nderimin për këtë takim me Presidentin e Republikës, duke i përcjellë përshëndetjet më të mira të presidentit palestinez Mahmud Abaz së bashku me ftesën për ta vizituar në një kohë sa më të përshtatshme. Ministri i Jashtëm palestinez, Al-Maliki, pasi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona në të gjitha nivelet duke shpresuar në rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe turizmit, bëri një përshkrim të hollësishëm të situatës në Lindjen e Mesme, të ecurisë së negociatave izraelito-palestineze dhe përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë e afatgjatë, u shpreh se suksesi do të arrihet vetëm nëpërmjet vazhdimit të bisedimeve dhe negocimit. Ministri i Jashtme i Palestinës është pritur dje nga kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli dhe nga ministri i Jashtëm, Meta.

Mosmarrëveshjet në Komisionin e Shërbimit Civil kanë bllokuar punën në këtë institucion

Pranë Kuvendit të Shqipërisë është depozituar së fundi raporti vjetor i Komisionit të Shërbimit Civil. Por ajo që vihet re në këtë raport është fakti se ai nuk mban firmën e të gjithë anëtarëve për shkak të mosmarrëveshjeve që ata kanë me kryetaren e këtij institucioni, Mimoza Hysenaj. Në faqen e parë të raportit, anëtari Sajmir Mani ka sqaruar pozicionin e tij duke bërë të ditur se ky institucion nuk ka funksionuar siç duhet për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë anëtarët me kryetaren. “Lidhur me raportin për veprimtarinë e Komisionit të Shërbimit Civil për vitin 2009 që do t’i paraqitet Kuvendit, kanë dhënë votën me arsyetimin paralel, për arsye se u arrit kompromisi në Komision që problemi mbi mosmarrëveshjet midis gjithë anëtarëve të Komisionit me kryetaren, të cilat kanë sjellë si pasojë bllokimin e institucionit e vendimmarrjes përgjatë vitit 2009 të mos trajtohen në këtë raport por të jenë probleme të ballafaqimit drejtëpërdrejtë në Komisionin për Çështjet Ligjore, në Kuvendin e Shqipërisë”, - shkruan anëtari Mani. Pritet që ky raport të diskutohet së shpejti në Komisionin Parlamentar të Ligjeve kur mund të gjejë zgjidhje dhe konflikti që kanë anëtarët me kryetaren e këtij komisioni gjë që duket se ka bllokuar dhe vendimmarrjen në këtë komision.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›